Pavioni i të çmendurve - NACIONALE

Pavioni i të çmendurve

5 muaj më parë

nga Col Mehmeti

Tash e gjashtë vjet të mallkuara, VV-ja i kolonizoi me të vetët AKI-në, Policinë e Kosovës, njësitë e inteligjencave policore, televizionin shtetëror, bordet e ndërmarrjeve e çka tjetër jo. Dy pjellat e saj, shteti i kapur dhe shteti i thellë, prapëseprapë nuk e qetësojnë kryeministrin e votuar nga 403,521 njerëz. Megjithëse sundimi i tij mundësohet falë manipulimit digjital e algoritmik, mbase më i larti në Evropë, megjithëse sundimi i tij nuk kontestohet seriozisht nga partitë opozitare, Kurtin po e bren veç një hall. Jo aq ekzistenca e mediave sa ekzistenca e një lloji gazetaresk, aq problematik e aq i urryer prej tij. Në gjendjen nervatendosur përballë zgjedhjeve eventuale, Kurti do një betejë përfundimtare me mediat e me gazetarinë interpretuese. Nuk është kjo betejë e barabartë, sepse ai po apelon në dhunë, në pasione e në imazhe të rreme si “thasët me para”.

Col Mehmeti

2 prill 2026 – Regjimi albinkurtist nuk dridhmohet pse dikush i bie mësysh, bluan plane kundër tij, apo ia jep tersin me turlifarë sugjestionimi.

Të vetmin burim destabiliteti e ka paaftësinë e frikshme të vetë Kurtit dhe raportit të tij paradoksal me pushtetin.

Atij s’i bie tamam as sikur të jetë i votuar nga 42 përqind e elektoratit sa ishte në fillim të vitit të kaluar e as nga 51 përqind sa ishte në fund të vitit.

Edhe kur ka shumë pushtet, Kurti flet vetmevete se çfarë do të ngjante sikur të kishte më pak pushtet.

Pastaj kur ka më pak pushtet, ai mërmërit se çfarë do të ngjante sikur të kishte më shumë pushtet.

Një psikologji virane, pra, ku të kesh pushtet është keq, të kesh më pak pushtet është keq, dhe të mos kesh fare është njashtu keq.

Rrënimi i tri pushteteve

Megjithëse e mendonte për t’ua bërë gjëmën kundërshtarëve, rrënimi i ekuilibrave demokratike në vend më fort e mori në qafë vetë regjimin albinkurtist.

Sikur këto hallka të vijonin mirëvajtjen e tyre si drejtpeshuese, të tri pushtetet nuk do të vinin në gjendjen kur zihen rob e mbahen peng nga pasiguritë mendore të një njeriu të vetëm.

Sapo të jetë shkëputur nga bezdia e dorëlëpirësve të tij, kur sillet nga krahu-në-krah e përfênet nën jorgan gjatë orëve të pambarimta të pagjumësisë kronike, Kurti ka plot momente kur rëndohet nga banaliteti i gjithçkaje.

E di, e kupton thellë, se dy krijesat e tij kopile, shteti i kapur e shteti i thellë, nuk po i sjellin farë hajri siç e kishte besuar njëfarë kohe.

E di, për shembull, se spiunët e partisë që i bëri spiunë të shtetit, me karta identifikimi me akronimin ‘AKI’, janë maskarallëku vetë.

E di që kontrolli i institucioneve të sigurisë i ka bërë ato paradoksalisht më të pakontrolluara.

Sepse langaraqët e sjellin ujkun në torishtë.

Bir, Selman i nënës, ç’të të qaj më parë!

Se deri ku shkon disiplina e profesionalizmi i spiunëve të tij mjafton kjo vaki që pëshpëritet me dhimbje në zemër nga ndonjë nëpunës i harruar i pushtetit.

Një rrëfenjëz që shtjellet me tymin e cigares në nje skaj kafeneje.

Thuhet – dhe këtu ndjesia është si njato kallëzimet popullore pranë vatrës së zjarrit – se në një sallë jashtë vendit po e dekoronin njërin post mortem.

Salla dalëngadalë po mbushej dhe siç është adeti protokollar në radhën e parë të ulëseve, ose edhe atë të dytë, vihet përsipër nga një fletë e bardhë për mysafirët e nderit që spikaten nga të tjerët.

Edhe në këtë sallë dikush kishte vënë si të thuash nja gjashtë-shtatë fleta të bardha me mbishkrimin akronim ‘AKI’.

Sapo i panë ato, hafijet e Albinit plot sqimë e kryenaltësi u ulën në karriget e nderit, në atë që iu ishte rezervuar si copa e mishit në tavë.

Pjesa tjetër është histori e turpshme ku agjentët e shtetit janë më budallenj se më i keqi i fshatit – një karrige e rezervuar i dekonspiron një kallaballëk agjentësh.

Bir, Selman i nënës, ç’të të qaj më parë!

Domethënë, profesionalizmi i njerëzve të shtetit albinkurtist është i tillë sa mund të vihet në lojë edhe nga adoleshentë.

Tekembrama, edhe vetë Kurti u bë gaz i dynjasë kur u mashtrua paq nga dy rrengaxhinj rusë, Vovani dhe Lexusi, që iu paraqitën ne telefon si kryeministri i Letonisë.

“Thasë me para”

Tani kur Kurti i ndërkyer po e kërcënon kaq serbes fisin e gazetarëve me demek introduktimin e një ligji të ri, brenga e tij kryesore është…vetja.

Ai e di mirëfilltazi se cilido rreng i tij, qoftë i menduar edhe nga AKI-ja e tij, do të shkërdhehej atypëraty.

Kështu i ngjau edhe me planin ‘gjenial’ që u ekzekutua përmes mediumit pro-rus Slobodna Bosna, në të cilin shpifej brutalisht se gazetarë e zyra redaksionale në Prishtinë merrnin financime nga Vuçiqi.

Prandaj, ai do të donte më parë një ulurimë turme sepse ajo nuk e çan kryet për sens, logjikë a drejtësi.

Turma e do një kokë në tepsi ose, idealisht, edhe një ekzekutim publik.

Dhe a nuk hidhen përpjetë gjendjet emocionale të njerëzisë sapo përmendet një rrenë e fortë që e prek krenarinë në tel?

Thasë me para nga Serbia”, për shembull.

Mjafton një simile, një imazh i tillë, që fantazia popullore t’i thotë xhelatit “Rri ti, se unë merrem me tradhtarët”.

Kështu duke e ndërsyer një turmë të tërë xhelatësh të vegjël, Kurti vetëm sa e shkatërron të vetmin ledh kundër regjimit të tij, siç janë mediat disidente.

Lexo edhe: Katër hilet e rrezikshme të VV-së për zgjedhjet

Edhe kur ambasadorët e huaj do të reagojnë plot zemëratë, ai do ta ketë mundësinë të paraqitet me buzëqeshjen e tij shtihane sikur ai është i përmbajtur, por ja që populli do t’i marrë gjërat në dorë.

Një larje e duarve si Pons Pilati…

Kurti nuk dertohet pse pikërisht Kosova e sunduar prej tij u bë vrima e zezë e krejt Evropës si log eksperimental manipulimesh algoritmike e kiberlufte.

Ai e di se, edhe pa ardhur në pushtet, partia e tij krijoi një sistem të tillë manipulimi digjital që, në minimumin e vet, krijon momentume artificiale në prag të zgjedhjeve.

Analfabetizmi digjital, jetë e gaz për VV-në

Tumoret e vetme mediale janë disa qindra llogari e mediumthe në Facebook, Instagram e veçmas në TikTok, të cilat së toku e kanë krijuar një metarealitet ku e vërteta përdhunohet nga qindra të ‘vërteta’ alternative.

Në to mbisundon absolutshëm vetëm zëri i VV-së dhe përkrahja fanatike për çdo çmenduri.

Sovraniteti digjital e informativ i Kosovës do të mbrohej vetëm atëherë kur të asgjësohej ky metarealitet.

Do të ishte ajo e bardha ditë ku analfabeti digjital do të përfitonte nga kurse edukimi për alfabetizëm digjital.

Imperativi më i madh i kohës tonë është ai që quhet edukim digjital, larg më i rëndësishëm sesa shkollat e shkrim-leximit siç është katandisur arsimi.

Por Kurti mund të jetë mësues populli vetëm në një botë ku, siç e qëndiste vetë tekstin e tij alla-Duginçe, “analfabetizmi funksional…ka përfshirë afër 40% të popullsisë”.

Lexo edhe: Hashim kthehu e na i mbroj mediat, aman!

Sot, kërcënimi i vetëm ekzistencial i Kosovës është askush tjetër pos analfabetizmi kronik në botën digjitale e atë reale.

Ai ushqehet or’ e çast nga antimediat e VV-së si një rrjet i gjerë labirinthik me qindra faqe, mediumthe e llogari ashtu sikurse edhe një armatë botsash e profilesh të rreme.

Nëse dikur inteligjenca e Kosovës ishte simotër e nderuar në komunitetin e inteligjencave aleate perëndimore, mbrojtja e sigurisë kombëtare shihej si aftësi e vendit për të frenuar e neutralizuar çdo lloj fryme ekstremizmi religjioz e ideologjik.

Lexo edhe: Për shylybylat e AKI-së

Por nën diktaktin e VV-së, AKI-ja e doktrinarizoi idenë budallaqe se mbrojtja e kombit dhe e shtetit bëhet vetëm duke e shkallmuar secilin pol opozional të Kurtit dhe regjimit të tij.

Në këtë frymë shkatërruese, Kurti gënjen fëlliqtë kur në thotë në Kuvend se “një qytetar i dezinformuar s’është i lirë, ai është i manipuluar”.

Duke i fërkuar duart nga kënaqësia, vetë ai e quante mundësi të artë rrethanën që analfabetizmi favorizon përhapjen në formë thashethemesh të qëndrimeve të partisë së tij.

Gazetaria interpretuese a gazetari poltroniste?

Duhet të thuhet edhe një gjë tjetër mjaft me rëndësi.

Vizioni hakmarrës i Kurtit nuk është gjithaq shkatërrimi i plotë i medias sa kastrimi i saj përmes luftimit të gazetarisë interpretuese.

Në fjalimin e tij vitrolik në Kuvend, ai vikati se, “ne nuk kemi interes të kufizojmë mediat, kemi interes që ato të jenë më të forta, më kritike, më të pavarura.”

Nënteksti i kësaj është se për regjimin mediat ideale janë ato që nuk bëjnë dot një komentar a interpretim të gjendjes, por vetëm ato që cungohen në gazetari poltroniste.

Kështu, regjimi po e kornizon një model të mbrapshtë ku gazetari e dëshiruar është ajo e nivelit të “Kosovanews”-it të Jeton Sopes, “Mekulipress”-it të Gëzim Mekulit, “Rrugapress”-it të Elvis Hoxhës apo qindra mediumthesh të tjera që menaxhohen nga mërgimtarë në Gjermani, Zvicër e n’gjeti.

Nëse nuk replikohen këto antimodele gazetareske, atëherë toleranca e vetme është për atë lloj zhurnalizmi minimalistik që mjaftohet me raportime gropash në asfalt, probleme me sportele burokratike a mungesa shiringash në ndonjë shtëpi shëndeti.

Por ja që një pjesë e fisit rebel gazetaresk nuk e ka ndërmend të lojalizohet e të shërbehet me simile e metafora për “thasë e çanta me para” në vend të qëmtimit gazetaresk.

Jeta në Kosovë kallxohet edhe kur komentojmë e interpretojmë siç e ka bërë vendin në Perëndim tash e disa dekada gazetaria interpretuese.

Lajme të ngjashme