Katër hilet e rrezikshme të VV-së për zgjedhjet
Megjithë talentin për marifete, regjimi albinkurtist është thuajse i parashikueshëm në secilin çap të radhës gjatë njëzet e gjashtë ditëve të ardhshme. Ka fort të ngjarë që partia e Albin Kurtit do të ketë zero buxhet për fushatat tashmë të dalaboje me tubime, mitingje, salla të mbushura e popull elektoral që endet me autobusë nga qyteti në qytet. Nuk do të ketë as solo performanca të Kurtit, e lëre më program a premtime. Ajo e ka ndarë mendjen që luftën narrative ta fitojë duke apeluar në nevojën kolektive për dhunë e poshtërim. Veriu sërish mund të bëhet vend teatralizmash me zbulime tunelësh e stimulim situatash alarmiste. Duke qenë hegjemone e pashoqe në truallin e luftës hibride, VV-ja me shumë gjasë do t’i shenjëstrojë edhe më fort mediat si kalatë e fundit të rezistencës antipopuliste.
Col MEHMETI
2 dhjetor 2025 – Nëse studentëve rioshë të Juridikut ua kërkon një ese ku të letërnxinin mendimet e tyre sesi e imagjinojnë drejtësinë e së ardhmes, shumica e tyre me atë shqipen e tyre dhëmbërënë e pa ë-ja do të shkruanin “dënim me vdekje”.
Do të mjaftonte kaq pak gjë për të dëgjuar si me stetoskop ato pulset dhe regëtimat e një përbindëshi kolektiv që kërkon gjak, vdekje e spektakël ritualistik.
Kjo prirje për violencë është negacion i vetë shtetit dhe fundamentit të tij ligjor, një gjendje e lirisë së egër për të shkatërruar gjithçka jashtë fisit.
Tani kur kanë mbetur vetëm njëzet e pesë ditë nga zgjedhjet e 28 dhjetorit, VV-ja nuk e ka nijet të bëjë premtime a shestime.
Nuk do të ketë evokim të parabolës me qenin topall në QKUK e as premtim për ndërtim burgjesh shumëkatëshe ku përfundojnë kleptomanët.
Këtë vit, në zgjedhjet e 9 shkurtit, kjo parti as që e mori kalemin të shkruajë program.
Ajo, sa për adet, e plagjiarizoi veten duke marrë copa nga ‘programi’ i para pesë vitesh.
VV-ja, pra, është vetëm në kërkim të mënyrës së duhur për të apeluar në përbindëshin violent të shoqërisë që kërkon koka në tepsi.
Gjithçka është një bast i madh për të fituar hegjemoninë diskursive, atë që është bërë shprehi të quhet narracion.
Kjo domethënë se Albin Kurti dhe albinkurtistët kërkojnë të fitojnë terrenin narrativ ose ta rifitojnë aty ku e kanë humbur.
Duke pasur siprani absolute në media sociale, me shumë gjasë shumë nga temat e tyre të moçme do ta ruajnë statusin e permanencës.
Gjërat e tejkaluara nga 2012-a, 2015-a a 2020-a do të riprodhohen sikur të ishin aktuale edhe në 2025-n.
Këto do të ishin katër veprimet plausible të VV-së me të cilat do të kërkojë fitore në zgjedhje:
Hilja e parë: Metarealiteti digjital
Duke përfituar nga rrethana ku Kosova është vogëlsi dhe gjëja më e parëndësishme në Evropë, lufta kibernetike do të shfaqet me krejt monstruozitetin e vet. Pavarësisht se në Bruksel e kryeqendra evropiane po trashet dosja për Rusinë me raste manipulimesh algoritmike, dezinformacion e propagandë kompjutacionale (TikTok e platforma të tjera), VV-ja do ta përdorë atë pa ndonjë teklif. Ajo do të bëjë çmos për të krijuar artificialisht një momentum politik nëpërmjet dallavereve në media sociale – këto të fundit, hajmedet, kanë arritur ta vrasin besimin e publikut në mediat tradicionale.

Kosova në sytë e BE-së nuk e ka rëndësinë e as peshën gjeostrategjike të Moldavisë, të cilën e mban në prehrin e saj mbrojtës përballë majmunllëqeve hibride ruse. Vendi ynë nuk do ketë mbrojtjen antihibride siç e kanë, ta zëmë, Moldavia e Rumania. Madje duket se nuk do të shpenzohet asnjë kacidhe për fushata vetëdijësuese ndaj dezinformacionit dhe as për edukim digjital që nënkupton shkathtësim të njerëzve për të dalluar lajmrrenën nga lajmi i vërtetë, përmbajtjen e kulluar nga ajo e sajuar.
Hilja e dytë: Sajim konflikti në veri
Hëpërhë, pjesa veriore e Kosovës nuk kontribuon për të mirën e përgjithshme as me të hyra, as me tatime e as me besnikëri qytetare. Por, paradoksalisht, kjo hapësirë jonormale paraqet hambarin më të madh për mbështetje publike për hesap të Kurtit. Pa veriun nuk do të ishte i mundur asnjë zhonglim popullist, pa të nuk do të ishte e mundur fshehja e varfërimit të plotë të njerëzisë. Ndonëse këto që trumpetohen si të arritura në veri janë që të gjitha të parapara në marrëveshjet e 2013-s dhe 2015-s, VV-ja i armëzoi ideologjikisht e politikisht a thua sikur ato ishin çështje e vizionaritetit dhe guximtarisë së Kurtit.

Me kontrollin e frikshëm që ushtron në strukturat e sigurisë, si në inteligjencë dhe Polici, VV-ja do të vazhdojë të shpërdorojë me atë që quhet escalation dominance: sajim situatash alarmiste e përhapje psikozash të frikës kolektive. Siç e thonë burime të afërta me partinë në pushtet, prej muajsh është duke u nëpërdhëmbur një përsëdytje e një skenari ngatërresash te Banja – kjo pas zbulimit të një tuneli nëntokësor. VV-ja tashmë e ka sheshuar udhën për një skenar të tillë edhe me paralajmërimet e saj të vazhdueshme në mediat e huaja për një meç të ri konflikti në veri. Me politikën e saj për të pauperizuar (varfëruar) secilën shtresë – hiç më larg se para pak ditësh personelit policor në veri iu hoq një shujtë – konfliktet e krijuara në ‘laboratorin’ e krizave gjejnë truall pjellor dhe vetëm mjaftojnë disa xixa për të marrë flakë. Me shumë gjasa, veriu gjatë javëve në vijim do të hapë siparin teatral për situata ku gjithë vëmendja publike do të bjerë mbi rrezikimin e sovranitetit të vendit nga inkursione matanë kufirit. Belatë fillojnë shpesh me banalitet të maskuar si arsye, dhe kjo në realitetet lokale mund të zërë vëng edhe me një mosrespektim të flamurit dhe përshenjave shtetërore nga bashkiakët e rinj të cilët pritet ta marrin mandatin më 5 dhjetor.
Hilja e tretë: spektakle arrestimesh me ‘spiunë’
Ashtu siç ndodhi muaj më parë me arrestimin e Fatmir Shehollit, VV-ja ka shumë të ngjarë që sërish të kurdisë spektakle të tilla. Ajo do me çdo kusht të fabrikojë perceptimin publik se kjo parti e ka përnjëmend nijetin e saj për të shpërpushur rrjetin agjenturor serb. Nuk do mend që këtu nuk ka kurrfarë qëllimi të lartë për dëlirjen e vendit nga elementë destabilizues, por për prodhim gjendjesh të polarizuara shoqërore që vijnë gjithmonë nga skenat e prangosjeve xhandarçe.

Hilja e katërt: Goditje mediash e zërash kritikë
Meqë për pesë vite me radhë nuk hasi në kurrfarë opozitarizmi parlamentar, regjimi albinkurtist, afërmendsh, do të përpiqet të hakmerret ndaj ledheve të vetme disidente: mediave, shoqërisë civile dhe njerëzve me staturë publike që janë kritikë të zëshëm. Gjysmën e punës e ka kryer kur urrejtjen e vet kundër mediave e ka shndërruar në urrejtje kulturore të publikut kundër gazetarisë.
Që të gjitha këto hile kanë gjasë të përdoren hera-herës, diku më shumë e diku më pak, disa më herët e disa më vonë.
Nëse nuk bën vaki asnjëra prej tyre, aq më mirë.
Nëse asgjë tjetër jo, Kosova e shoqëria e saj do ta kishin për nder ta quanin si të arritur ruajtjen e një kulture demokratike që doli më e fortë se cilido vullnet i ligë botërrënues.
Por, partia që më së shumti i bën për vete mendjet e zemrat e njerëzve nuk duket e interesuar për një mjedis normal ku qeveritë vijnë e shkojnë në varësi të ofertave të tyre.
Ajo e do një botë të rrënuar e të papërfunduar ku njerëzit cakërrohen në konflikte të pasosura kulturore.