Sa më keq, aq më mirë
Col MEHMETI
9 tetor 2025
– Ka pasë nevojë të ethshme për një spektakël si ky i sotmi me Fatmirin e Shehollëve.
Edhe një kothere buke e thatë hahet më lehtë nëse regjimi na shërben teatralizma ku shteti duket sikur po merr hak ndaj spiunëve të armikut.
Nëse nuk lëshon sirenat e alarmit ose nëse nuk përhap psikoza sulmi e rrethimi, një regjim zor e ka për ta siguruar paqen në kushtet e një varfërie të kudondodhur.
Si kulturë e kemi pasur dhe e kemi të nevojshme të konsumojmë një çikë vrazhdësi.
Është një dëshirë zjarrmuese për ta parë xhelatin me sëpatë tek i heq kokën një të paudhi.
Kriza e bandës lleftiste, që po e sundon Kosovën pa asnjëfarë legjitimiteti, duhet të amortizohej në një mënyrë ose tjetër.
Dhe a ka mënyrë më efikase për një gjë të tillë sesa ta prangosësh një ‘spiun’ serb midis çarshie?
Po ta flisja të vërtetën nga loçka e zemrës, këtyre ditëve intuita më jepte parandjenjën se Kurti ishte duke shestuar diçka djallëzisht dinake.
Vetja e tij autentike është ajo që i rri pip në këmbë parimit çnjerëzor rus “chem khuzhe, tem luchshe” (Sa më keq, aq më mirë).
Me vullnete e gjendje të tilla agjitimesh, shteti i kapur nga cuba lleftistë nuk e ka për gjë të kurdisë kushedi çfarë sulmesh mbi termoelektrana apo asete të tjera publike e mandej të flitet për javë të tëra për “sulmet e Kremlinit mbi Kosovën demokratike”.
Andaj, është fort e këshillueshme që të mos bëhesh pre e një triumfalizmi të rremë.
Për ata që kanë nocione të tilla si e djeshmja, pra që nuk jetojnë vetëm në të tashmen e përjetshme (këtë fluskë metarealiteti që e ka krijuar regjimi), është shumë e lehtë të kuptohet pse bëhet kjo ose ajo shfaqje.
Aksionet policore mbi ndonjë katafiq serbësh, fjala vjen, ndodhin të shumtën e herave kur ministra e oborrtarë të Kurtit kapen të zhytur deri në fyt mes korrupsioni. Ose Serbia ‘afrohet’ gjer të kufiri kurdo që regjimi albinkurtist është në hall përballë pakënaqësish.
Dhe tash kapja e një ‘spiuni’ serb ndodh pak ditë para zgjedhjeve lokale kur Vetëvendosja nuk di as kryet ku e ka në 27 komuna. Problemeve të tyre ekzistenciale nuk u bëhet më çarja me lojëra sovraniste.
Ndaj, narracioni ku Vetëvendosja zë ‘spiunë’ serbë le të mbetet mes fanatikëve të partisë, meqë për ta u bë, por jo të përbrendësohet nga njerëz që ende jetojnë jashtë mbretërisë së idiotëve.
Latinçe i thonë “Credat Judaeus Apella, non ego” (Le ta besojë këtë çifuti Apella, e jo unë)
E vërteta është se Serbia trashëgon një përvojë të frikshme shekullore nga bota e komuniteve të inteligjencës, zbulimit e kundërzbulimit, dhe zor që asetet e investimet e saj do t’i nxirrte kaq ballëpërfaqe, aq më tepër te një Fatmir Sheholl.
Të mësuar autodidaktçe në një mjedis thashethemesh, mistifikimesh e gjysmë të vërtetash, secili qytetar po ta merrte autorizimin ose pushtetin ligjor me siguri se brenda ore do ta arrestonte të parin Shehollin.
Dhe këtë farë të bâme xhandarçe do të përjetonte me ndjesinë iluzore se po e kryen më sublimen detyrë të atdhedashurisë dhe po e zë me presh bashkëpunëtorin kryesor të armikut.
Por, atdhedashuria naive nuk është nevojisht njohje e as goditje aty ku duhet.
Janë kushedi me qindra Fatmirë Shehollë që nuk i njohim ose janë të tillë që gjithë kohën e kalojnë duke bërë me gisht Fatmir Shehollin si kryespiun serb.
Nuk është zotësi as arrestimi e as damkosja e tij si spiun. Fundja, dihej kudo se ai u kishte bërë hyzmet strukturave serbe të Sigurisë në kapërcyell të shekullit të kaluar. Këtë gjë as vetë ai nuk e kishte fshehur.
Heroizëm i vërtetë nga strukturat inteligjente të Kosovës do të ishte kapja e atij rrjeti të Serbisë që, si zhardhoku, është rrënjëzuar thellë në vendin tonë. Këto bam-bamet si plumba pisqolle godasin kot në tabela llamarine duke menduar se po bëjnë kërdi mbi armiq. Kaq sa i përket ‘suksesit’ mbi Shehollin kurban.
E vërteta tjetër e pelimtë është se komuniteti i inteligjencës në Kosovë kontrollohet nga Kurti, dhe nami i saj nuk është fort inteligjent.
Vjet e sivjet, ‘profesionistët’ e AKI-së e kthyen institucionin në një zyrë spiunazhi për të luftuar gazetarë e kundërshtarë të regjimit.
Kjo ‘inteligjencë’ ishte ajo e marifeteve mediokre ku paguheshin portale boshnjake që të përlyenin emra mediumesh kritike në Kosovë sikur janë të paguara nga Vuçiqi.
Në këtë metarealitet harrestar askush më nuk kujtohet sesi një njeri i afërt i Kurtit, si Ridvan Muharremi, ishte vënë në kërkim të dëshmitarëve kundër ish-presidentit Hashim Thaçi.
Kur e humbën luftën kundër pavarësisë së Kosovës, shërbimet serbe të sigurisë përvolën mëngët për një projekt shumë më dhelpërak me të cilin do t’i rrëgjonin muret dhe themelet shtetit të Kosovës.
Veprimtaria kryesore e shërbimeve serbe – që nuk dallon asnjë fije prej atyre gjërave të ndyra që bënte Ridvan Muharremi nga restauranti i tij në Taukbashçe të Prishtinës – ishte për të gjetur dëshmitarë e për të sajuar dëshmi që do të armëzoheshin në luftën speciale kundër UÇK-së në Gjykatën Speciale në Hagë.
Propaganda e fortë e regjimit albinkurtist shpesh nuk e ka qëllimin për t’i shitur dënglat e veta sa për ta asgjësuar kujtesën mbi të djeshmen.
Në verën e vitit 2013, hetuesë të Policisë së Kosovës, gjatë një zhbirimi të rrjeteve që trafikonin emigrantë për në Hungari, u ranë në fije një grupi njerëzish të çuditshëm nga Rahoveci.
Ata ishin kontaktuar nga shërbimi serb për të gjetur dëshmi të cilat do të provonin se gjatë luftës së fundit në Kosovë pati trafikime të organeve të civilëve serbë.
Sipas planit të mirëmenduar të shërbimeve serbe, këto mbetje mortore planifikoheshin të varroseshin në zonat kufitare me Serbinë.
Vendosja e tyre do të bëhej mu në ato vende ku hetuesë të huaj do të investigonin trafikimin e organeve njerëzore.
Sipas kësaj skeme, shërbimi informativ serb do të paguante 20 mijë euro personat të cilët do të bartnin ilegalisht mbetjet mortore.
Bartja e tyre, sipas raportit të asokohshëm të Policisë hetuese, ishte menduar të bëhej me veturat e ndihmës së shpejtë të Spitalit Rajonal të Mitrovicës veriore, në mënyrë që të shmangeshin dyshimet e mundshme gjatë kontrollit në pikëkalimet kufitare.
Kapja e këtyre trafikantëve – të cilët instruktoheshin nga shërbimet serbe – sigurisht se ishte meritë e hetuesve të vyeshëm brenda Policisë së Kosovës.
Këto janë lavditë e vërteta të burrave e grave që i shërbyen këtij shteti.
Skenat me Shehollin janë numra cirku me të cilat regjimi i shtyn disa ditë.