Një ëndërr e keqe: çfarë do t’i ndodhte Shqipnísë me një Albin Kurt? - NACIONALE

Një ëndërr e keqe: çfarë do t’i ndodhte Shqipnísë me një Albin Kurt?

3 orë më parë

nga Col Mehmeti

Është lehtë për protestuesin e lirë në Tiranë të shqyejë gurmazin duke kërkuar një Albin Kurt për Shqipnínë në vend të një Edi Rame. Është edhe më lehtë, madje, të besohet se gjithçka është e gabuar dhe se ia vlen barra qiranë të shkatërrohet çdo gjë e të ndërtohet nga e para duke e imituar Kosovën. Por, a ka nevojë të ‘kosovarizohet’ gjysma jonë andej Drinit? Çfarë ofron Kosova? Perëndimin? Jo kurrë! Kosova është bota e bythëpraptë ku Albin Kurti premton fabrikë keçapi e fshatarët lumturohen gojëhapur nga kjo; është skamja ku për gjashtë vjet ndërtohen vetëm dy urëza disametërshe; është pisllëku moral ku Amerikës i thuhet plot arrogancë ‘JO’ për gjithçka. Kosova është shoqëria distopike pa letërsi, pa kulturë, pa shkencë, pa asnjë emër intelektual që njihet përtej kufijve; është fundbota ku lajm për njerëzit është kur Albin Kurti e mulla Osman Musliu i shtrohen vekshit me pasul.

Col Mehmeti

23 qershor 2026 – Në nëntorin tragjik të 1944-s në muret e sokakëve të Tiranës kishte mbetur tek-tuk ndonjë afish.

Në ditët e mbrama të qeverisë së Ibrahim Biçakçiut kur Shqipnísë së shpejti do t’i vihej rreth qafe litari bolshevik, afishet e ngjitura nga Qeveria ishin parashikueset më të sakta se çfarë do të ngjante në muajt e vitet në vazhdim.

Këto afishe ishin përgjërimi i fundit i një kabineti në ikje që njerëzia të mos i besonte bolshevizmit duke e kujtuar gjëmën e popujve të shkatërruar nga ideologjia sovjetike.

Por thuajse askujt nuk i hante palla që të lexonte paralajmërimin e zymtë sado i vërtetë të ishte.

Ishte një dalldi e madhe në atë nëntor dhe askush nuk donte të bëhej xeher sa të mendonte që prapa partizanëve e atyre të rinjve që mbaheshin si komunistë fshihej e keqja më e madhe e Shqipnísë.

Diçka e tillë e injoruar është edhe simpatia fatale për Albin Kurtin duke e harruar katastrofën që ia solli Kosovës.

Kur sot protestuesit ‘flamingo’ në Tiranë ulurojnë në kor për të, këtu nuk bën punë ai shpjegimi sipërfaqësor se pezmi ndaj Edi Ramës po e bën kryeministrin nga Kosova të duket si model i hajrit.

Albinkurtizmi sot është një mënyrë e të menduarit që të tashmen e do të shkatërruar jo përmes një alternative, por përmes sanktifikimit të shpifjeve e pallavrave. Është gjendje mendore.

E ardhmja alternative kërkon vizion e dije dhe këto mungojnë kronikisht te brezi Z, njësoj siç mungonin dikur edhe te ‘heronjtë’ e 1944-shit.

Vetëm e tashmja e cila banalizohet përmes mistifikimeve, gënjeshtrave e gjysmë të vërtetave u bën vend analfabetëve e injorantëve që, për arsye të pashpjegueshme, sot ndjehen moralisht më superiorë se gjithë njerëzimi.

Në një botë ku pluskojnë si mbeturina të pavërtetat e gjysmë të vërtetat, një porcion i madh shoqëror ndjehet çuditërisht i sigurt, besimplotë në vete, madje me autoritet më të madh sesa një profesor, akademik a ekspert.

Këta banorë të rinj të kësaj çmendine, alla-Big Brother, nuk do të mbijetonin në një realitet ku investimi në Zvërnec është gjëja më e mençur, është mbrothësimi i vërtetë i vendit e shndërrim i pasurisë natyrore në diçka që rentabilizohet si e mira e krejt kombit.

Banorët e rinj të Big Brotherit mbijetojnë vetëm kur me një gënjeshtër të vetëdijshme e lexojnë realitetin përballë vetes.

Kështu, Zvërneci bëhet sakaq ‘bastion zionist’, resorti shpërfytyrohet e falsifikohet si copë toke e rezervuar për hebrenj, dhe natyra përreth shihet si e shkatërruar nga prania e ‘armiqve’ të tillë.

Me ndoca elemente mazokizmi, banorët e rinj të këtij Big Brotheri pervers do të donin të shihnin një botë ku Edi Rama është mik kryekreje i Vuçiqit, se shteti paska mbaruar dhe se ai paskësh qenë përherë në shërbim të Serbisë e Greqisë.

Banorët e rinj të Big Brotherit duan ta imagjinojnë një shtet që ua heq të gjitha gajlet jetësore, u jep provizione sadakaje, ua gjen punën, dhe secili si bos filmash do të ketë luksin që të moralizojë për botën se çfarë është e mirë e çfarë është e gabuar.

Çfarë do të ngjante sikur të bëhej njëmendësi dëshira morbide që në Tiranë të instalohet një qeveri si kopje e replikuar e asaj në Kosovë?

Si do ta premtonte një realitet më të mirë një politikan si Albin Kurti?

Do të bindeshin fshatarët e Maqellarës sikur Kurti të dilte para tyre e të premtonte se sa bukur do të ishte hapja e një fabrike të keçapit, siç bënte me disa banorë të fshatit Banullë në Lipjan?

A do të bindeshin studentët protestues se ia vlen barra qiranë që në Tiranë të ketë Qeveri alla-albinkurtiste që do t’ua jepte një sadakë 100 euroshe së paku njëherë në vit?

A do të bindeshin fshatarët në Rragam të Shkodrës se atdheu do të jetë më i mirë kur Albin Kurti, pas shumë shterëzimesh, do t’ua ndërtonte një urëz disametërshe siç bëri në Saradran të Istogut?

A do të fashitej ky tension padurueshmërie andej Drinit sikur ta merrnin model Kosovën?

A ofron Kosova vërtet alternativë?

A do të donin të replikonin atë model shoqëror që i ngjan një gjendje lufte civile ku urrejtja ka helmatisur pothuajse secilin?

Kjo, pra, është Kosova.

A do të donin një shoqëri intelektualisht shterpë që në krye të saj ka imamë e klerikë ideologë që edhe në Lindjen e Mesme injorohen për shkak të tejkalimit të çdo norme të lejuar?

A do të donin një shoqëri që po e jeton edhe mesjetën e saj me fesate fetare, edhe shekullin e njëzet me zënka ideologjike?

Pyetje të tilla mund të bëhen pa hesap.

Por rruga drejt BE-së është e tillë që nuk duhet të këmbehet me asgjë, madje as me ëndrrat e lira për një Shqipní që e imiton fëmiun e saj kopil e me sjellja të këqija, siç është Kosova albinkurtiste.

Lajme të ngjashme