Midis Hamasëve shqipfolës dhe vizionit për shtetësi
Kosova, Shqipëria dhe e gjithë kjo botë shqiptare sa troha, janë vrima e fundit e kavallit kur vjen puna për të pleqëruar çështje të përbotshme. Megjithëse zekthi për të ‘bërë diçka’ është më i fortë se kurrë më parë – Hamasët shqipfolës, madje, janë në kulmin e arrogancës së tyre – Kosova nuk ka as negociatorë që dinë të pleqërojnë fesate të vjetra, as ekspertizë, dhe, për më keq, përvojat e saj të ngushta provinciale janë leksione që askush nuk është i interesuar t'i dëgjojë. Në varfërinë e saj kapitëse, Kosova megjithatë e përshfaqi bujarinë e vet me gjysmë milion euro që i ndau sivjet për Gazën. Megjithëkëtë, ashtu siç e trazoi udhën brezi i parë i etërve themeltarë të Republikës, shteti nuk e bën kurban lidhjen e shumëçmuar me Izraelin as si aset gjeopolitik e as si histori shumëvjeçare me fate e përvoja ku e ku të njëjta.
Col Mehmeti
Fuqia e Kosovës për të ndikuar në Lindje të Mesme është poaq sa ajo e një pilivese në një pellg ku përfyten hipotamë e aligatorë.
Është tashmë communis opinio se trualli i politikës së jashtme ishte pjesa më inekzistente e Qeverisë që e mori skeptrin më 22 mars 2021.
Mjafton të çosh ndërmend faktin se ambasada e Kosovës në Amerikë është veçse një filial për gjynah që as nuk merr sinjale nga Prishtina e vdekur e as nuk sjell sihariqe të mbara nga Washingtoni.
Të mbërrimet e vetme diplomatike, paradoksalisht, janë ato që i trashëgoi nga të tjerët.
Për fat të mirë, lidhja me Izraelin, për të cilën ishte kumbarë vetë presidenti Donald Trump, nuk pësoi asnjë të krisur nga lëvizjet shpesh të shkalluara të ish-kryeministrit Albin Kurti dhe papërvojës së tij proverbiale për të bërë diplomaci.
E mira e vetme, për të cilën duhet vërtet të psherëtijmë të lehtësuar, është se kjo diplomaci e zbrazët nuk u ndikua nga rrymimet fort toksike të segmenteve të mërdhezura islamike.
Kanalet diplomatike shpëtuan paq nga helmatisjet ideologjike që duan t’i bëjnë kurban interesat pavetësore të shtetit dhe kombit për llogari të politikave të pamenda.
“Nuk i kqyrin puntë e veta që i kanë kërrsh, po merren me Palestinë”
Ç’është e vërteta, ka njëfarë historie tejet të panjohur të ish-kryeministrit për ç’i përket të kështuquajturës çështje palestineze.
Në maj të 2009-s, siç e kishte konfesuar para autorit të këtyre radhëve, Kurti as nuk i shihte me sy organizimet propalestineze ndër ne.
Një vizitë në Tetovë ia kishte cimbisur aq keq nervat.
Qyteti asokohe ishte mbushur çdo 100 metra me bilboarde me mbishkrime transparente “Palestinë jemi me ty”.
Ishte koha kur Izraeli e Hamasi po dyluftonin rreptë.
“Nuk i kqyrin puntë e veta që i kanë kërrsh, po merren me Palestinë”, më pati thënë Kurti me një çehre të hakërryer, buzëqeshje të vrarë e zë përqeshës.
Chapeau, ami!
Nuk kërkon kushedi sa vramendje për të kuptuar se vizionet e botëvështrimet e Kurtit kanë qenë marrëzisht të tejthjeshtëzuara, të përcipta e të çala.
Porse, një ‘departament’ brenda trurit të tij ka qenë gjithnjë i prerë në një pikë – Palestinë e palestinezë nuk përkojnë askundvend me shqiptarët. Chapeau, ami!
Për gati pesë vjet, Kurti ishte si njaj Samsoni vetëvrasës që e shembi krejt tempullin diplomatik duke ua zënë frymën të gjithëve, me miq e armiq, me punëtorë e jopunëtorë.
Por, habitërisht e fatlumësisht, ai nuk bëri asnjë skandal a fjalë të pamatur me ambasadoren e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv. Vetë ajo e kishte falenderuar për qëndrimin e sivjetmë kur Kosova u vu në mbështetje të Izraelit në përplasjen 12-ditëshe që e la të shkatërruar Iranin tok me ëndrrat e tij bërthamore.
Një “thank you” e ngjashme i kishte ardhur atij edhe në vjeshtën e kaluar prej vetë ministrit të Mbrojtjes, Israel Katz, atëherë kur shteti izraelit po ballafaqohej me agresionin e frikshëm të regjimit të ajetollahut në Teheran që lëshoi 200 raketa balistike.
Një vizion i nisur nga etërit themelues të Republikës
Duke qenë se interesat gjeopolitike të Kosovës dhe shqiptarëve ruhen vetëm duke u rreshtuar me ShBA-të, edhe kompasi gjeopolitik nuk duhet të lajthisë përballë trysnive negative e spindoktorizmit aktiv nga qerthujt ekstremistë e retrogradë në vend.
I fundit episod i lavdishëm i politikës së jashtme të Kosovës ishte deri në çastin kur projekti shtetndërtues i Kosovës po hapëronte plot konfidencë duke pasur para vetes qëllime, caqe e vizione.
Urëzimi i marrëdhënieve me Izraelin ishte fryt i një politike të përkorë që përshfaqte durim kur ishte nevoja për durim dhe guxim kur ishte nevoja për guxim.
Për ata që dinë të lexojnë e përtejlexojnë, intervista e mbramë e ish-presidentit Hashim Thaçi e shprehte bukurisht vizionin e mbarë që dikur i kishte aq hije Kosovës.
Për fat të keq, ky sens shtetformues nuk bashkëndahet nga partia e tij, madje edhe pritet me njëfarë ftohtësie vramuze nga njerëz që investohen kot së koti në kauza për Palestinën.
Edhe sikur të dilte i fituar presioni që bëjnë Hamasët shqipfolës, dhe po të vinte një aso gjendje surreale ku të gjithë shqiptarët mendojnë njësoj për Gazën, Kosova me diplomacinë e saj nuk do të diktonte asgjë. Shumë-shumë, ajo do të bëhej qesharakisht si bretkosa e La Fontenit: fryhet e fryhet në dëshirën e saj për t’u bërë sa një buall dhe në fund shpërthen.
Ja sa kemi takat...
Në të vërtetë, Kosova, për aq sa kishte takat, e nderoi veten kur nga qesja e buxhetit publik ndau gjysmë milion euro për Gazën.
Kosova nuk jep dot as negociatorë që dinë të pleqërojnë fesate të thella, as ekspertizë, dhe, ç’është me e keqja, përvojat e saj të varfëra janë leksione që nuk dëshiron t’i dëgjojë askush.
Mbase këto as që i ka pasur ndërmend Kurti kur më 31 janar para ministrave të tij e dha kumtin se Republika jonë do të bënte rahmet me gjysmë milioni euro si mbështetje për palestinezët në Gaza.
Kishin dhe kanë të drejtë ata që veprimin e tillë e kontekstualizuan me nevojën e Kurtit për ta blerë simpatinë e votave islamike pak para zgjedhjeve.
Madje, edhe adresimi i tij i sotëm ka fort të ngjarë se u diktua nga po të njëjtat ekzigjenca.
“Shqetësimi i thellë” i tij për krizën humanitare në Gaza u la, si të thuash, në fund të fjalimit gjatë të cilit na e përkujtoi se Qeveria tashmë i ka ndarë gjysmë milion euro si mbështetje.
Fjalimi i tij në vazhdim u mbyll me thirrjen për një armëpushim që mundëson dërgimin e rregullt e të mjaftueshëm të ndihmave, lirimin e pengjeve dhe arritjen e një zgjidhje afatgjatë e të qëndrueshme midis izraelitëve dhe palestinezëve.
Pra, kaq është takati i Kosovës për politika të mëdha: një thirrje dëshirore që idealisht nuk merr anë, ose së paku e avokon një mes të pëlqyeshëm për të dyja palët e hasmuara.
Tjetër gjë është nëse ndihma nga Kosova do të shkojë aty ku duhet për t'i ushqyer gojët e uritura e barqet e thara. Injoranca e Qeverisë për procedura e transaksione lë livadhe të tëra për të dyshuar: nuk dihet nëse kjo ndihmë do të alokohet tek ndonjëra nga agjencitë e Kombeve të Bashkuara apo te organizatat joqeveritare që e kanë marrë përsipër shpërndarjen e ndihmave.
Pikëpyetje që të zgravron nga përbrenda është nëse kjo ndihmë financiare do ta ketë fatin e shumë ndihmave që përfunduan bash aty ku nuk do të duhej kurrën e kurrës të përfundonin – në kthetrat e Hamasit.
Fare legjitimë jemi në shqetësimin tonë për secilën ndihmë të grabitur ashtu siç tundi këmbanat edhe vetë OKB-ja: nga 19 maji deri më 29 korrikun e sivjetmë, 87 për qind e 2,010 kamionëve me ushqime janë rrëmbyer qoftë paqësisht nga turmat apo forcërisht nga akterë të armatosur.
Moraliteti i rremë
Lufta në Gazë është tragjedi tej çdo përfytyrimi të cilën e sollën desperadot e ideologjitë e krupshme islamike.
Ishte triumfi i shpirtit të urryer luftëdashës, që nuk honeps fatet njerëzore, ai që i hapi dyert e skëterrës.
Jetët e pafaj dhe kapica me shkatërrime e rrënoja u armëzuan dhe u bënë lëndë e gjallë për mantrën e re narrative që të keqen ultimative e sheh vetëm te ’armiku sionist’.
Nga shumë rrafshe, edhe ‘Hamasët’ shqipfolës fundërrojnë në këtë kategori ku moralizimi i pasinqertë i tyre mbulon veçse një strategji të mirëmenduar që operon me vizione mijëvjeçare (millenarianism). Është ajo fobia e krisur ndaj gjithçkaje hebreje, shoqëruar me bestytnitë e pafundme për ‘komplotin’ e çifutërisë për ta prangosur botën.
Por mënyra që e sugjerojnë (meqë nuk e diktojnë dot) është tejet e çnjerëzuar, domethënë moralizimi i tyre kundrejt nesh që nuk jemi partizanë kauzash të huaja.
Është gati-gati si ajo terapia fiksionale e quajtur ‘Ludovico technique’ te filmi i Stanley Kubrickut A Clockwork Orange.
Viktimës së lidhur e të injektuar me droga i vihet një biçim mekanizmi rreth syve që i mbahen të hapur me zor dhe ai duhet të shohë me zor imazhe grafike të dhunës së pashembullt.
Por kjo teknikë e edukimit të përdhuntë nuk e përfton aspak njeriun e dëlirë, por një të tillë të zgavërt ku tani e tutje rri një qenie e mpirë, e tulatur dhe e zhveshur nga të qenët agjente për gjykime etike.
Moraliteti i një lufte nuk duhet t’i vihet si ndërdyshje një populli e shteti që nuk ka tagër të vendosë a ndikojë në rrjedhat e përbotshme.
Kësodore, Jacques Maritain sikur kishte të drejtë kur thoshte se “moralistët janë njerëz të palumtur” – moralizmi absolut bëhet një xhandar i dobët i cili në përpjekje për të zbatuar parime morale përfundon duke i zhvleftësuar e nëpërkëmbur ato.
Në sytë e Maritainit, moralisti ia huq kur vë kërkesa që janë të paarritshme për rodin njerëzor. Ai ia huq edhe kur parimet e pandryshueshme morale i përshtat për gjithfarë gjendjesh, duke i relativizuar atitudat morale.
Shumë më bukur e kishte përkapur këtë njëri nga etërit themelues të Amerikës, Thomas Jefferson se: “Është ligj melankolik i shoqërive njerëzore që ndonjëherë të shtrëngohen për të zgjedhur një të keqe të madhe me qëllim të parandalimit të një tjetre edhe më të madhe”.
Por këtë ndërdyshje nuk e kanë shqiptarët për arsyen e thjeshtë se me ta as nuk filloi e as nuk do të mbarojë lëmshi i madh i Levantit dhe luftrave të atjeshme. /Nacionale/