Kurti ndihmon Gazën, por ku do të shkojë kjo ndihmë?
Qeveria e Kosovës nga qesja e buxhetit ka ndarë 500 mijë euro si ndihmë humanitare për Gazën. Pa u saktësuar se si do të procedohet më tej kjo ndihmë, pikëpyetje të shumta ngrihen përballë mundësisë që ato të keqpërdoren me të arritur në enklavën me mbi 2 milionë banorë. Prej vitit të kaluar është raportuar sesi strukturat ende aktive të Hamasit i konfiskojnë kamionët me ndihma humanitare, u vënë tarifa atyre dhe ua shesin në të zezën tregtarëve që bëjnë kërdi me çmime. Kështu, edhe një cigare e vetme shitet 27 euro!
Col Mehmeti
Gjysmë milion euro Qeveria e Republikës së Kosovës i ka bërë nijet t’i dërgojë si ndihmë humanitare për palestinezët në Gaza.
Vendimi i marrë në mbledhjen e së premtes të kabinetit qeveritar është arsyetuar si nevojë për rindërtimin e vendit.
“Qeveria shpreson dhe bën thirrje që ky armëpushim i përkohshëm të shfrytëzohet për arritjen e paqes së qëndrueshme, pra paqe të drejtë dhe të bazuar në zgjidhjen me dy shtete”, ka thënë kryeministri Kurti gjatë kësaj mbledhje.
Diçka të tillë pati ndërmarr vjet edhe Qeveria e Serbisë, e cila kishte nisur ndihma humanitare në formë ushqimesh, uji, pajimesh mjekësore si dhe tendash—vlera e këtyre ndihmave ishte vlerësuar rreth 3 milionë euro.
Ndërkohë që vendimi është marrë për ndihma rreth Gazës, pa u qartësuar mënyrat si do të procedohen tutje, ekzistojnë disa pikëpyetje për punën e ndihmave që ndahen për enklavën e përfshirë prej vjeshtës së vjetme në luftë.
Prej vitit të kaluar, herë në formë videosh e herë nëpërmjet copëzash gazetareske, është folur për përvetësim ndihmash nga Hamasi—i cili, prej fundviteve ’90, është cilësuar si organizatë terroriste nga ShBA, BE, Britania e Madhe, Australia, Kanada, Japonia dhe Zelanda e Re.
Banorët gazanë janë ankuar në vijimësi se kanë përfituar pak e hiç nga ndihmat e dedikuara për ta, anipse prej fllimit të luftës e deri te armëpushimi i arritur tash së fundmi në Gazë kanë hyrë 2400 kamionë me ndihma.
Jo rrallëherë si fajtor kryesor për përvetësimin e ndihmave është bërë me gisht Hamasi dhe strukturat e tij ende aktive.
“Hamasi i vjedh ndihmat dhe ua shet tregtarëve, të cilët pastaj iu vënë çmime të kripura në kurriz të të gjithë popullit tonë”, kishte thënë së voni një banor i Gazës.
Si shembull i kësaj është cituar edhe fakti që Hamasi ende kërkon tarifa për dërgesat e cigareve që hyjnë në enklavë.
Kjo ka bërë që çmimi i një cigare të vetme të arrijë pabesueshëm deri në 200 shekelë (ky është ekuivalenti i 27 eurove).
Kontrolli thuajse absolut i ndihmave humanitare që dërgohen në Rripin e Gazës bën që ata të vazhdojnë të jenë të varur nga grupi militant.
“Sapo hyn kamione me ushqime, Hamasi e merr kontrollin e tij, i merr të gjitha ngarkesat dhe ua shet banorëve me para të zeza”, kishte deklaruar vjet Micha Kobi, ish-zyrtar i Agjencisë së Sigurisë së Izraelit (Shin Bet).
Ndonjë hulumtim, si ai i Channel 12, ka njoftuar se Hamasi ka përfituar së paku gjysmë milion dollarë që prej hyrjes së ndihmave të para në enklavë.
Sipas njoftimeve të mediave, të mbështetura edhe mbi përgjimet e operativëve të Hamasit, militantët e këtij grupi i kanë fshehur ndihmat e përvetësuara nëpër depo ushtarake në Khan Yunis.
Kështu, Hamasi dhe organizata tjetër Xhihadi Islamik i Palestinës janë akuzuar për përkeqësimin e gjendjes humanitare në Gazë.
“Hamasi po e shpërdoron ndihmat e banorëve gazas për të promovuar ambiciet e veta terroriste. Sado nuk është i ri, ky diversion i ndihmës humanitare prej Izraelit dhe shteteve të tjerëve dëmton palestinezët e rëndomtë duke i privuar ata nga kjo mbështetje e stërnevojshme dhe duke i dekurajuar ndihmat në të ardhmen”, ishte thënë në një reagim të AIPAC në gusht të vitit të kaluar.
Në të vërtetë, praktika e përvetësimit të ndihmave nga bota nuk është e re për Hamasin. Qysh më 2016, donacionet prej Mbretërisë së Bashkuara, të mbledhura nga World Vision, ishin përdorur për të ndërtuar baza ushtarake në Gaza.
Këto pretendime ishin ngritur me rastin e arrestimit të Mohammed El-Halabit, zyrtar në World Vision, me akuzat me dërgimin e 43 milionë dollarësh për Hamasin.