Thaçi iu dha leksion edhe ‘Hamasave’ të vocërr të PDK-së
Intervista e ish-presidentit Hashim Thaçi përmban leksione për të gjithë – ajo qe një shpalim i rrugëtimit të vështirë e gati të harruar drejt shtetësisë e deri te diplomacia e sotme gjytyryme që nuk e shmangu lakun e izolimit të plotë. Megjithatë, për t’u mbajtur vëth në vesh janë fjalët që tha për Izraelin. Deri para pak vitesh, edhe Kosova, njësoj si Izraeli, kishte mbështetje bipartizane në Washington. Falë Trumpit u arrit të sigurohej një nga njohjet me të rëndësishme, siç qe ajo nga Izraeli. Njohjen e ndërsjellë e kishin penguar shumë gjëra, madje gjatë gjithë kohës, sipas ish-presidentit Thaçi, Autoriteti Palestinez iu kundërvu agresivisht Kosovës. Çuditërisht, vizioni gjeopolitik i Thaçit gjen mbështetje të ftohtë në partinë e tij. Plot eksponentë të saj, përfshirë edhe forumin rinor të PDK-së, japin përshtypjen sikur janë vullnetarë online për Hamasin e kauzat e tij.
Col MEHMETI
25 korrik 2025 – Ka plot e plot gjëra që mund të shkoqiten nga intervista e fundit e ish-presidentit Hashim Thaçi.
Sado format i panatyrshëm si një bisedë e zhvilluar përmes hekurash, gjykimet e mprehta e të esëllta për gjeopolitikën janë leksion në vete.
Sidoqoftë, në gjithë këtë intervistë seç është një subjekt domethënës jo dhe aq i vënë re sa duhet – Izraeli.
Si një intervistë që në të ardhmen fare lehtë mund t’i ndajshtohet si fusnotë e citueshme historishkrimit mbi shtetndërtimin, evokimi i gjithçkaje për dhe rreth Izraelit vë në dukje më së miri atë se ku mori në thua Kosova tash e pesë vite.
Izraeli ishte vendi i 117-të që e njohu Kosovën, por nga rëndësia kjo njohje i tejkalonte thuajse 95 për qind të njohjeve të tjera.
Kjo e ndodhme ishte krejt e papritur, veçmas kur ndërmendet atituda plot kujdes e shtetit izraelit kundrejt Ballkanit.
Atë që nuk e kishin bërë vite të tëra matje e çmatje e bëri një marrëveshje e vërtetë zotërinjsh mes Trumpit dhe Netanyahut.
Dhe po këtë lexim e bëri edhe Thaçi nga Haga, sipas të cilit, “njohja e parafundit e Kosovës i erdhi nga Izraeli, me punën dhe angazhimin e drejtpërdrejtë të Presidentit Trump dhe Ambasadorit Grenell”.
Kosova si Izraeli me mbështetje bipartizane
Ç’prej viteve ’60 e deri më sot, marrëdhënia e ShBA-së me Izraelin dhe anasjelltas cilësohet si një nga lidhjet më të fuqishme e më të nduarnduarta në botë.
Megjithë sprovat e dinamikat e turlifarshme, mbështetja për Izraelin është bipartizane, sidomos në Kongres, që domethënë se republikanë e demokratë janë të pakursyer në mbështetjen e tyre për Tel Avivin e tash Jerusalemin.
Dhe e tillë del të ketë qenë edhe mbështetja për Kosovën.
“Kam punuar me shtatë presidentë të SHBA-ve, pesë prej tyre në detyrë dhe me tetë sekretarë shteti, duke filluar nga M. Olbrajt deri tek M. Rubio, më herët si senator. Me secilin prej tyre kam eksperiencë të veçantë. Ata iu përkasin taborreve politike të ndryshme, por për Kosovën kishin të njëjtin qëndrim. Një pozicion i tillë bipartizan nuk ndodh shpesh në DC. Kjo ka ndodhur në dekadat e fundit vetëm me Izraelin dhe Kosovën. Se si do të jetë më tutje – varet nga Kosova”, ka thënë Thaçi.
Edhe nga burgu, sensi i tij gjeopolitik nuk duket i topitur.
Në rrethanat kur diplomacia shatra-patra e Gërvalla-Schwarzit ka mbetur prej vitesh në vendnumëro, ish-presidenti Thaçi ka kërkuar që përpjekjet të përqëndrohen për të shkëputur njohje nga Ukraina dhe Siria.
Madje, në këtë të fundit, me ndryshimet e sapondodhura, “ShBA-të, BE-ja, Turqia dhe Izraeli do ta mirëprisnin një vendim pozitiv për Kosovën”.
Palestina aktivisht kundër Kosovës
E gjithë kjo mund të ndjesohet brenda caqeve të dëshirores, por është evokimi i një historie ajo që fiton rëndësi të tejzakontë.
Sipas Thaçit, njohja nga Izraeli nuk ishte favorizuar kushedi sa, madje edhe sugjerimet nga miqtë amerikanë kishin qenë të tilla që ky muhabet mos të hapej për shkak të ndërlikimeve të brendshme.
“Për një dekadë të tërë ishte temë tabu edhe njohja nga Izraeli; bile isha këshilluar edhe nga dy administrata amerikane Obama-Biden një dhe dy që të mos i ‘ngushtoja’ zyrtarët e Tel-Avivit për çështjen e njohjes së Kosovës, me arsyetimin ‘e kanë barrë Palestinën’. Nga ana tjetër autoritetet palestineze vend e pa vend çdo rast që u jepej deklaroheshin agresivisht kundër pavarësisë së Kosovës. Ishte krijuar rrethanë paradoksale. Trump ishte ai që theu këtë tabu. Por nga ai moment çështja e njohjeve të reja ngriu”, ka thënë Thaçi.
'Zyret' vullnetare të Hamasit në Kosovë
Këto evokime të njeriut që ishte më së shumti i familjarizuar me procesin e njohjeve dhe bashkërendimin me Perëndimin, në të vërtetë janë sfiduese për një miriadë arsyesh.
Kosova ka përjetuar goxha trysni nga brenda e jashtë kundër hapjes së ambasadës së saj në Jerusalem – përveç shtetit turk me Erdoganin e Çavuşoğlunë, kjo trysni ishte shtuar jo pak edhe brenda vendit.
Diku vrushkuj antisemit e diku tjetër thjesht propagandë islamike, marrëdhënia Kosovë-Izrael po sfidohet aktivisht.
Madje edhe brenda partisë së ish-presidentit Thaçi, plot eksponentë të lartë më kabull e bëjnë të solidarizohen me kauzat e Hamasit për të ashtuquajturën ‘Palestinë’.
Edhe forumi rinor i PDK-së, Rinia Demokratike e Kosovës, nuk dallon fort nga një çerdhe ku i mëshohet avazit të Hamasit, ku riprodhohen në kushte shpije varietete propagandistike e ku Jerusalemi quhet arabçe Al-Quds.
Në RDK, ku me gjasmë priten të vilen kuadrot e PDK-së së ardhshme, duket se nuk ekzistojnë nocione për lexim realitetesh gjeopolitike sipas interesit gjeopolitik të Kosovës.
Sipas Thaçit, i ashtuquajturi Autoritet Palestinez i kundërvihej rreptë Kosovës e pavarësisë së saj.
Ç’është e vërteta, tabloja do të ishte më e saktë sikur të thuhej që edhe tabori tjetër palestinez, Hamasi, ka qenë po në këto pozicione anti-Kosovë.
PDK-ja pa Thaçin e pa Veselin është PDK-ja që nuk do të dallonte asfare nga nga diplomacia e vdekur e VV-së – së paku, kjo përshtypje vjen nga anemia e saj brendapërbrenda.
Në mungesë të ravijëzimit të caqeve e vizioneve largvajtëse, mendimi gjeopolitik është ai që po kontaminohet dhembsurisht nga çdo lloj ndikimi a prirje ideologjike.
Jo rastësisht, kjo fushatë toksike bën çmos për ta shkërmoqur lidhjen e veçantë mes Kosovës dhe Izraelit…
Një telefonatë që ndryshoi gjithçka
Njohja e Kosovës nga Izraeli ka një histori në vete.
Një telefonatë e papritur që presidenti Donald Trump i bëri kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, përftoi rrethanën që Izraeli ta njihte Kosovën.
Kjo ishte deserti ëmbëlsues që e shoqëroi marrëveshjen e 4 shtatorit 2020 mes Kosovës dhe Serbisë – të firmosur në zyrën e presidentit Donald Trump.
Të dyja palët u pajtuan që të hapnin ambasadë në Jerusalem. Derisa Serbia nuk e bëri asnjëherë një gjë të tillë, marrëveshja doli më e bereqetshme për Kosovën.
Sebep saj ajo siguroi njohjen nga Izraeli dhe urëzimin e marrëdhënieve diplomatike.
Më 1 shkurt 2021, Kosova dhe Izraeli zyrtarizuan vendosjen e relatave diplomatike – pas një muaji, Kosova e hapi zyrtarisht ambasadën e saj në Jerusalem.
Kësisoj, vendi ynë është në radhët e shteteve të para që e njohën Jerusalemin si kryeqytetin e ri të Izraelit krahas Shteteve të Bashkuara, Guatemalës, Paraguajit dhe Hondurasit.
Në të vërtetë, zërat për ta njohur Kosovën në Izrael nuk kishin munguar as në nivelet më të epërme të shtetit. Në Ministrinë e Jashtme vërehej një numër jo i vogël zyrtarësh që shpreheshin në të mirë të njohjes së Kosovës, megjithëse pozicioni zyrtar nuk ndërmerrte hapa konkretë.
Të 'painkuadruarit' e përjetshëm: serbë propalestinezë dhe palestinezë proserbë
Sidoqoftë, shapi ishte ndarë nga sheqeri kur më 2011 Serbia votoi për njohjen e së ashtuquajturës Palestinë si anëtari i 195-të i UNESCO-s.
Edhe përpara kësaj, Ramallahu ishte rreshtuar me Serbinë në mosnjohjen e Kosovës.
“Kosova nuk është më e mirë se ne. Ne e meritojmë pavarësinë para Kosovës”, kishte thënë Yasser Abed Rabbo, një diplomat palestinez, në kohën kur i gjithë Perëndimi e njohu pavarësinë e Kosovës.
Mbështetja e të ashtuquajturës Palestinë për pozicionin serb ishte shprehur në vizitën që Mahmoud Abbas e kishte bërë në Serbi dhe në takimin me ish-presidentin serb, Boris Tadiq.
Qëndrimet proserbe të të ashtuquajturit Autoritet Palestinez janë shprehur rregullisht.
Fjala vjen, më 2014, ambasadori palestinez Muhammad Nabhan deklaroi se “Kosova ka qenë gjithmonë pjesë e Serbisë”, Serbia “asnjëherë nuk e ka okupuar Kosovën” apo “Palestina e mbështet Serbinë dhe ende e bën”.
Në të vërtetë, Serbia e Autoriteti Palestinez kishin bërë plot ndere për njëri-tjetrin.
Më 2009, diplomacia serbe që drejtohej nga Vuk Jeremiq i kishte dalë në mbrojtje Hamasit në Gazë.
Në një samit të mbajtur në Stamboll më 2010, Serbia ishte njëra nga vendet që u bë kundër Izraelit për incidentin e majit 2010.
Më 2012, Serbia votoi në favor të rezolutës 67/19 në Kombet e Bashkuara, e cila i jepte Palestinës rolin e shtetit vëzhgues. /Nacionale/