Mehdiu i Frashëriotëve: Semper Desiderari
Col Mehmeti
Ka diçka fort të pashpjegueshme sa herë na qëllon me kast a pahiri të takohemi me Mehdi Frashërin (1872-1963).
Jashtë syrit profesionist të historianit, ky skion i Frashëriotëve edhe sot e gjithë ditën ngjall njëfarë atitude love-hate (dashuri-urrejtje).
Diçka të tillë duhet ta ketë përftuar edhe në të gjallë, në rrugëtimin e ravat e gjata të aktivitetit politik e jashtëpolitik.
Pas bashkëvendësit të tij përmetar Turhan Pasha (1846-1927), Mehdiu ishte një nga shqiptarët e hasretit që e pati një CV
absurdshëm mbresëlënëse.
Mehdiu ishte prerje e veçantë, një administrator race, që shërbeu si kajmekam, mytesarif, komisioner e turlifarë ofiqi tjetër në katet e mesme të ngrehës perandorake osmane.
Ai ishte sa në Ohër, sa në Pazarin e Ri, sa në Thrakë, e së mbrami edhe guvernator në Jerusalem.
Për fat, ai nuk pati ndonjë konflikt intrapsiqik siç patën shumë shqiptarë të tjerë osmanë që nuk dinin nëse duhej të zgjedhnin Shqipërinë e mosvarur a Perandorinë në grahmat e fundit.
Me përvojën e shumëvlefshme fituar ndër vite, ai u bë krenarisht hyzmeqar i vyer i shtetit neofit fillimisht me Qeverinë në Vlorë, e mandej me Qeverinë në Durrës dhe, së mbrami, në Tiranë.
Për nga emocionaliteti Mehdiu ishte një Bismark i vocërr, domethënë politikan me zero emocione, zero dramaticitet dhe zero patetizëm.
Rreth tij nuk krijohej ajo mjegull gjykimi ku dëshirat merren si ide dhe emocionet si vizione.
Prandaj, Mehdiut i detyrohemi kaq fort për shërbimin më të madh që na e bëri neve shqiptarëve që mbetëm jashtë shtetit të ri. Dhe ja arsyet pse…
Nëse prej Niçes i marrim veresije termat e tij binarë, Mehdiu është Apolloni i Shqipërisë së re, ai që e stabilizoi politikën me logjikë, arsye e gjykim të esëllt.
Dionisi ose dionisiakët ishin fraksioni ose faksioni ‘kosovar’ në Shqipërinë e pas vitit 1919. Me ta lidhej aventura, emocioni e moskuptimi i një bote të re që erdhi pas Versajës.
Hasan Prishtina me kompaninë e tij kosovare (ish-komitetlinjtë e Hoxhë Kadri Prishtinës) nuk e kuptonin dot se Shqipëria e sapokrijuar nuk e kishte as takatin e as substancën që të përdorej për rivendikime ndaj të tjerëve.
Shqipëria e sotme, me shumë gjasë, do t’i kishte nja 32 mijë kilometra katrorë nga 28 mijë sa i ka sot, nëse ajo do të sillej më serioze kundrejt rregullave të reja ndërkombëtare.
Aventurat e fraksionit dhe faksionit kosovar jo vetëm që e asgjësuan buffer zone-n, atë rripin verilindor që siguronte asnjanësi, por edhe e armatosën Jugosllavinë me çdo argument të mundshëm që kufiri i ri shqiptaro-jugosllav, prej Struge deri në Prizren, të ishte më i leverdisshëm për Jugosllavinë.
Kur Shqipëria me sakrifica herkuliane u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve, faksioni e fraksioni kosovar, madje shumë kohë edhe para Nolit, ashtu sikurse edhe gjatë pushtetit ditëshkurtër të tij, e merrte fjalën vend e pavend për të folur për Kosovën në seancat e Lidhjes së Kombeve në Gjenevë.
Një moment, Mehdi Frashërit i plasi damari dhe ai sikur thirri me zemërim “Këta kosovarët po e teprojnë…”
Puna kishte qenë kështu. Hasan Prishtina, në muajt e parë të vitit 1921, kishte bërë thirrje që të mbaheshin mitingje popullore në Kosovë si shenjë e pakënaqësisë ndaj trajtimit që iu bëhej nga ana e Mbretërisë së serbëve, kroatëve dhe sllovenëve.
Mehdiu, nga cilësia e ministrit të Brendshëm, iu niste një telegram prefekturave gjithandej Shqipërisë: “Disa kosovarë që ndodhen në Gjenevë kanë dërguar telegram për të bërë mitingje në Kosovë; politika e shtetit i sheh të panevojshme…prandaj jeni të porositur që t’i ndalni këto mitingje.”
Afërmendsh, sot një deklarim si ky prek sedra e shkakton shkulme zemërimi deri në atë pikë sa Mehdiu të ngjajë si një shpirtshitur që s’i bëhej vonë për shqiptarët e tjetër. Jo!
Mehdiu ishte një nacionalist i kalibruar, por para nacionalistit tek ai banonte një politikan me sens e intuitë të rrallë.
Ai e dinte se Shqipëria në shpërgënj nuk u bë si shtet për të flakëruar rivendikime as ndaj Jugosllavisë e as ndaj Greqisë, por si kompromis filigranik ku dy shtetet fqinjë, të stërfuqishëm krahasuar me shqiptarët, pajtoheshin që megjithatë në Ballkan të zinte vend një shtet shqiptar.
Nëse prishej ky kompromis e kjo dakordancë e porcelantë, atëherë ekzistenca e shtetit riosh shqiptar do të ishte thjesht çështje ditësh derisa forcat jugosllave ta përlanin për së gjalli.
Edhe Noli qesëndisës me vargjet e tij “A të duhen luftëtarë/ Gjithë botës t’i vësh zjarrë?/ Do arratinë të marrë?/ Merr nja dhjetë kosovarë!”, e përkapi për ca çaste se diçka nuk ishte mbarë, seç kishte diçka ters në përfshirjen e shqiptarëve nga Kosova në cic-micet e politikës ditore.
Në vend të sienergjisë aq fort të nevojshme për shtetndërtim, gjithçka sillej e pështillej rreth politikave ditore, si furkë leshi, ku Hasanat e Bajramat herë bëheshin me njërin taraf e herë me tjetrin.
Prandaj, Mehdiu kishte të drejtë.
Ai na fshikulloi si shqiptarë kosovarë, por ky fshikullim i tij na salvoi. Sepse kjo politikë largvajtëse e ruajti Shqipërinë e fituar me aq mund, kurse neve na ruajti kjo Shqipëri e cila na bëri pjesë të saj sapo e maturoi trupin e vet…
Në diskutimet e sotme shpesh në formë nostalgjie shfaqen zërat, “Ah, sikur ta kishim një Nol…”
Në të vërtetë, vetëm Mehdiu Frashëri është ai që më së shumti duhet të rivizitohet e të merret si shembull frymëzues i qartëpamësisë për interesin kombëtar dhe gjeopolitikën e urtë.
Leksionet e tij të rralla më 1921-1924, më 1935-1936 si kryeministër me botëpamje liberale, dhe 1943-1944 si regjent i shkëlqyer, janë ato që duhet të shfletohen e të përvetësohen.
Kurse Nolit, për shkak të leximeve të majta që vazhdojnë të bëhen sot e gjithë ditën, i merret shembull ajo që as nuk është shembull e as nuk duhet të jetë shembull.
Të majtët sot e marrin shembull Nolin e gabimeve, Nolin e fandaksjes pas Leninit, Nolin që iu çonte selame sovjetikëve për të lidhur krushqira diplomatike, Nolin që thjesht e kishte humbur prekjen me secilin realitet të mundshëm.
Noli që duhet të shpluhuroset nga harresa është Noli që e kuptoi se sa desperado kishte qenë, Noli që u pajtua më në fund me ‘satrapin’, sepse ky i fundit u tregua shumëfish më revolucionar se ai, dhe përfundimisht Noli i Autobiografisë e Noli i viteve në Boston që e kuptoi se Shqipëria dhe shqiptarët janë kafshatë e vogël në skemën e madhe, pafundësisht të madhe, të gjërave.
Ndërkohë, Mehdi Frashëri, vizionet e tij që tingullojnë plot aktualitet edhe sot, si dhe trashëgimia e tij shumëfaqëshe, japin dorë të zhdavariten shumë nga keqkuptimet e sotme rreth Shqipërisë e detyrimeve të saj morale kundrejt Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe rajonit shqiptar.
Mehdi Frashëri, sempre desiderari! Përgjithmonë i munguar, përgjithmonë i dëshiruar!