Ish-kryeministri Kurti “Mend s’donte, mend s’kishte dhe mend shiste për Veriun”
Partia ‘Albin Kurti’, e udhëhequr nga vetë Albin Kurti, për zgjedhjet e 28 dhjetorit nuk dënjon të shkruajë program politik as me inteligjencë artificiale. Nëse për pesë vite rresht nuk kuptoi absolutisht asgjë nga zeja e vështirë e qeverisjes, ajo megjithatë i ra në fije një sekreti të madh. Partia ‘Albin Kurti’, e udhëhequr nga vetë Albin Kurti, e kuptoi idiosinkracinë e një populli që digjet nga dëshira morbide për të parë dhunë, për të parë varje në litar e gijotinime me xhelat e viktimë, për sirena e alarme policie, për bam-bame plumbash, për poshtërime njerëzish. Këtë edhe do ta bëjë nga veriu në jug. Sepse rrimë pa ngrënë e pa pirë, durojmë edhe me bukën thatë, por nuk e shtyjmë dot pa parë diçka: dramë, spektakël e poshtërim të tjetrit.
Col Mehmeti
Deri më sot i vetmi shqiptar që propozoi diçka të shqueshme si zgjidhje praktike për veriun e Kosovës ka qenë njëri nga 40 firmëtarët e Aktit të Pavarësisë, Bedri Pejani (1885-1946).
Përpara se të kërcejmë vendit me ndjeshmëritë tona moderne, le ta kemi parasysh atë që quhet zeitgeist (shpirt i kohës).
Ishin vitet kur projeksionet kombëtariste shërbeheshin pa fije droje me nocione që pas 1945-s do të qortoheshin e rriheshin me thupër si tabiate të asaj bote që perëndoi përgjithmonë. Sidoqoftë…
Zgjidhja e tij ishte fare normale për logjikën e paqtimit dhe kufijve të sigurtë: transplant etnik.
Më 1943, Bedri Pejani sugjeronte që në Kolashin – që përkon me viset e Zubin Potokut dhe Zveçanit të sotëm – të vendoseshin qindra familje shqiptare nga Drenica e Bajgora.
Simbas Pejanit, “Kollashini bashk me malin e Rogoznës duhet të fitojnë, sa më parë, nji fizionomi ethnike shqiptare”.
Në këto vija me sa duket ishte edhe Eqrem bej Vlora (1885-1964) sa kohë qëndroi në krye të asaj që u quajt Ministri e Tokave të Lirueme.
Deri më 1999, gjendja në veri ka precipituar herë kështu e herë ashtu.
Nëse do të përqaseshin hartat etnike e gjuhësore të fillimshekullit të 20-të me ato të fundshekullit, vijat mbetën po të njëjtat.
Nëse Sanxhaku i Pazarit të Ri dhe Mitrovica formonin dy blloqe kompakte shqiptare, një si pykë i ndante ato në mes.
Viset përgjatë rrjedhës së epërme të Ibrit mbizotëroheshin nga elementi sllavishtfolës, kurse ato që vargiseshin në rrjedhën e poshtme të lumit ishin në duart e elementit shqiptar.
Ndryshe nga tonet alarmiste në shtypin serb gjatë viteve ’80, shqiptarët nuk kishin bërë asnjëfarë përparimi në ato anë as me blerje pronash e as me ndonjë prani tjetër.
Shumica sot do t’i thoshte ‘jo’ shestimeve alla-bedripejançe dhe, nuk do mend, që një gjë e tillë është e pamundur.
Zgjidhja tjetër alternative ishte po të bëhej një këmbim relativisht satisfaktor i tokave mes Kolashinit e Leposaviqit dhe Luginës së Preshevës dhe Bujanocit.
Por, çuda e Zotit, shumica e shqiptarëve kosovarë i thanë ‘jo’ kësaj zgjidhje viabël.
E tillë kishte qenë propaganda VV-iste që e gënjente hallkun se veriu është njëfarë El Dorado mineralesh e xehesh. Hahaha!
Prej vitesh, Trepça e famshme mezi mbahet gjallë me sadakanë e parasë publike, dhe bereqeti i saj me të hyra nuk barabitet as me atë të një kompanie lëngjesh.
Nga ajo pjesë jashtë çdo radari fiskal, të hyrat nga tatimet ose çfarëqoftë janë qesharake.
Pa kurrfarë skrupulli moral, ish-kryeministri Kurti e satanizoi idenë e shkëmbimit të tokave faqazi botës duke manipuluar me ndjeshmëritë perëndimore për ‘racizëm’:
“Nuk ka kufij të përsosur etnik dhe kërkimi i një përsosmërie të tillë është qasje dhe qëndrim racist”, pati thënë ai në një intervistë për Zërin e Amerikës.
Për fat të keq, zgjidhja e pranuar, dashtas e padashtas, është ajo të cilën e imponon VV-ja e padijshme, VV-ja shtetshkatërruese.
Një vend i tërë mbetet peng i një frontier-i, një kufi që nuk qetësohet kurrë, por që sjell bereqet elektoral, rritje në sondazhe, pseudopatriotizëm ‘Mora fjalë’ e teatralizma lleftistësh maniakë.
Dhe në kohë fushate, tani kur janë vetëm 27 ditë nga zgjedhjet, prodhimet e vetme vendore nga kjo pjesë do të jenë spektaklet e organizuara...
Mpirja kolektive që e prodhoi populizmi albinkurtist bën që të mos ketë ndjeshmëri as nga varfëria që çdo ditë po e shtrëngon nga një katramë më shumë, e as nga ndonjë premtim nëse dikush e merr mundin për të imagjinuar një të nesërme.
Ka vetëm dëshirë morbide për gjak, për dramë, për koka turku, ashtu që të kënaqet instinkti atavik për dhunim.
Si në kohën e komunizmit shqiptarovrasës kur varjet me litar, midis piace, e bënin popullin fukara të buzëqeshte e të shtyhej në radhë për të parë më mirë.
Si në atë orë të ligë të historisë ku maniakizmi lexohej në fytyrat e burrave dhe grave, të rinjve e të rejave, të moshuarve, që mbanin frymën teksa armiqtë e popullit lëshonin grahmat e fundit, duarlidhur, e nën litarin që fatzive ua shkurtonte jetën, kurse publikut ia vidhte njerëzillëkun.