Edhe Zhutat i duam në Kuvend: Ose, çka kam që s’ia kërsas edhe unë një - NACIONALE

Edhe Zhutat i duam në Kuvend: Ose, çka kam që s’ia kërsas edhe unë një

2 vjet më parë

nga Dafina Demaku

Kjo nuk është kritikë për Shkurte Fejzen dhe Ilir Shaqirin. As për këngët epike ‘Sërish vjen marsi’ dhe ‘Mora fjalë’. Por, ajo që ndodhi sot në Kuvendin e Kosovës, sipas fjalëve të Glauk Konjufcës, mund të përshkruhet kështu: “kultivim i sjelljeve të çuditshme’.

Kur Ilir Shaqiri dhe Shkurte Fejza ia behën në sallën e Kuvendit të Kosovës, m’u kujtua Glauk Konjufca dhe Albin Kurti, që çdo formë akti të tillë performance, jashtë Kuvendit, nëpër oborre private apo nëpër sallone ndejash, në të kaluarën e lidhnin me ‘komandantë’, ‘yndyrë’, ‘mish dhe raki’.

Në një intervistë të para pak vitesh, kryeministri Albin Kurti fliste për presidentin Hashim Thaçi dhe – sipas tij - shijen e keqe ose të hidhur muzikore të tij. Duke elaboruar një bisedë të shkurtër me Thaçin diku para vitit 1999, shprehte dyshim e shpërfillje në përmasa raciste, se Thaçi mund të ishte person që dëgjonte – ta zëmë -muzikë rock.

Një deklaratë e Glauk Konjufcës, po ashtu në Kuvend, ku replikonte me dikë nga qeveritarët e kohës, me ironi e arrogancë iu thoshte se ‘e paramendonte që në ndejat e tyre, ka mish, yndyrë e raki’.

Konjufca deklaronte se në ndeja të tilla, ‘njeri bëhet trim edhe pa qenë hiç’.

‘Çohet gjunë Samia, çohet gjunë Endriti, i këqyrë njeri po gjujnë ton’ me rend, thotë: po çka kam që s’ia kërsas edhe unë njo’, deklaronte Konjufca dhe këtë sjellje e definonte si ‘kultivim i sjelljeve të çuditshme’.

Kurti dhe Konjufca, me këso deklarimesh, ia përcaktonin insanit fatin e tij në dimensionin klasor, më thuaj çfarë muzike dëgjon, të të them se kush je: ne të kitareve, ju të çiftelive.

Sot, kur në seancën e Kuvendit po shënohej me solemnitet data e Epopesë së UÇK-së, në ndërtesën ngjitur Kuvendit, në Qeveri, ishte Ndërmjetësi Miroslav Lajçak.

Aty po ‘kultivohej një sjellje e çuditshme’ e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, pa muzikë, yndyrë, mish e raki - të paktën deri tani nuk ka informacione për kontekstin kulinarik të takimit, por sjellja e çuditshme është se po ndodhte një takim mes një njeriu që para pak ditësh na tha se nuk flet më kurrkënd për dinarin, e aq më pak me Lajçakun dhe m’u në ndërtesën e Qeverisë po fliste, për dinarin dhe me Lajçakun.

Fatmirësisht, korpusi muzikor folklorik në Kosovë është mjaft i pasur. Fatkeqësisht, një copëz të tij, e dëgjuam sot aty ku s’qe nevoja.

Se mund të bëhet (ndonjë)njeri trim, edhe pa qenë hiç.

Lajme të ngjashme