Dronat e fantazisë ose imazhi militarist i njerëzve që nuk luftuan me 1999
Col Mehmeti
Nuk hiqen as në dritë të diellit disa besëtytni në lidhje me shndërrimin e një partie në regjim.
Ekziston njëfarë bindje se kalimi nga partia në regjim kërkon njëfarë dekreti, diçka në natyrën e arbitraritetit, një eklips disaçastësh i diellit, me fjalë të tjera një ngjarje që zor se ndodh.
Në të vërtetë, ky tranzicion i së keqës është fare i mundshëm mu për shkak se është aq i pavërejtshëm.
Në rastin tonë nuk kemi pse të aplikojmë skemën klasike ku një autokrat i vocërr në një shpërthim grandomanie shfuqizon rregulla, procedura e rituale demokratike.
Jo bre, autokracia dhe regjimi bëhen punë e kryer, një fait accompli, shumë më lehtë.
VV-së i dolën luspat e regjimit me miratimin në heshtje të të gjithëve.
Resurset e mëdha të shtetit i bën hyzmet politikës së sadakave që krijoi parazitarizëm mbarëshoqëror.
Kështu, ka plot njerëz që neveriten nga shndërrimi i vetes në lypës, por ja që mbijetesa e vështirë nuk ua lejon t’i thonë ‘jo’ asaj që duket si ndihmë falas.

Fukarallaku gjithmonë e kërkon një estetizim të tij, një romantizim të skamjes që shihet si një durueshmëri e njeriut që e frenon veten nga tepria e materiales.
Në kushtet e traumës historike, fukaraja ynë ngushëllohet me ndjesinë që na jep iluzioni i sigurisë.
Ai sikur thotë “Keq jam boll, ligësht jam me idare, por së paku kufirin nuk ma nguc kush”
Këtë e ka kuptuar fare mirë albinkurtizmi, ndaj edhe kaq lehtë rrobaqepësohet imazhi militaristik.
Manipulimet e qëllimshme me dronë – që gjoja qenkan prodhim vendi ‘Made in Kosova’ – luajnë më së miri me këtë nevojë kolektive që dobësia të kompensohet me projektimin e një droni që posi shqiponjë e ruan vendin.
Te dronët imagjinarë përrallshëm strehohet edhe qyqarllëku ynë si popull joluftarak që kontribuoi aq pak për guerilën e vet kryengritëse dhe që e urren ethshëm secilin drejtues të saj.
Droni edhe nëse shpërthen një luftë ia krijon këtij populli një komoditet për ta fshehur tucllëkun e tij.
Lufta konvencionale kërkon këllqe, fortitudë mendore e guxim të cilat mungojnë kronikisht te meshkujt me pantolla slim që i rrahin nënat, gratë e motrat e tyre në shpí.
Droni është njëfarë hile për ta kapërcyer frikën, një fluturim imagjinar për t’i rënë armikut nga largësia e pa frikën e cakërrimit konvencional.
Droni është shpresa teknologjike edhe për pensionerët tanë që marrin shtesa nga Kurti në prag të zgjedhjeve, por që në të dyzetat e tyre i bishtnuan luftës.
Te dronët veshet një projeksion i së munguares, dhe droni si makinë fluturake shihet si kompensim teknologjik për mungesën e kulturës dhe mendësisë militare.
Ironia është që autori i fiksimit kolektiv me dronë e me militarizëm qesharak, më 1998 u vetëafishua si oponent i opsionit për luftë të armatosur.
Lexo edhe: ‘Akademizmi’ anti-UÇK i pushtetit: intervista, shkrime e artikuj shkencorë
Dhe njerëzia këtu e kudo ka nevojë ta kuptimësojë edhe të pakuptimten.
Njësoj si ngjau me ‘pinguinin nihilist’ që mbushi rrjetet sociale gjatë gjithë janarit.
Një copëz e shkëputur nga dokumentari i Werner Herzogut më 2007 Encounters at the End of the World paraqet një pinguin vetmitar që ndahet nga tufa dhe mësyn drejt një mali.

Publiku e romantizoi si ecje ideali e dikujt që nuk e çan kryet për rregulla societale dhe ndjek lirinë.
Por, pinguini për shkencëtarët nuk ishte gjë tjetër pos një specie që i çorientuar e me instinkt të topitur shkonte drejt vetëshkatërrimit të tij.
Një pinguin i tillë është edhe kreu i regjimit që nuk ka as shqisa e as instinkt.
Ecja e tij nuk është kërkimi i lirisë, por një vetëshkatërrim i sigurt drejt izolimit.
Pinguinin tonë e ndoqi krejt tufa. Këtu fillon muti i madh…