‘Akademizmi’ anti-UÇK i pushtetit: intervista, shkrime e artikuj shkencorë - NACIONALE

‘Akademizmi’ anti-UÇK i pushtetit: intervista, shkrime e artikuj shkencorë

1 vit më parë

nga Col Mehmeti

Urrejtja e rrënjosur kundër UÇK-së dhe bartësve të saj e ka çarë zhguallin e cic-miceve të brendshme politike. Kjo urrejtje tashmë ka fituar ‘nënshtetësi’ edhe brenda botës akademike. Studiues e akademikë të huaj para vetes kanë jo pak material me autorë shqiptarë nga Kosova. Secili në mënyren e vet e ka shpërfytyruar përpjekjen çlirimtare sipas projektimeve negative që vetëm ishin bërë gjatë viteve ’90 në Serbi, Rusi e kudo mes qarqesh të majta e antiamerikane. Qysh më 1998, Albin Kurti u bë referencë citimesh sesi shqiptarët nuk duhej t’i shkonin pas UÇK-së që po krijonte armiq, por duhej të ndiqnin udhën e jodhunës e cila do të fitonte miq edhe nga radhët e serbëve. Më 2001, Donika Gërvalla i bojatiste UÇK-në, UÇPMB-në dhe UÇK-në në Maqedoni si ndërmarrje ekstremiste që po e zhyste gjithë Ballkanin në dhunë. Së fundmi, më 2012, Dimal Basha ishte bashkëautor i një artikulli ‘shkencor’ sipas të cilit UÇK-ja qe financuar nga trafikantë droge. Autorët nuk ishin të panjohur as atëherë e as tani. Bëhet fjalë për një ish-kryeministër, një ish-ministre të Punëve të Jashtme, si dhe një kryetar të sapozgjedhur Kuvendi.

Col MEHMETI

28 gusht 2025 – Nga maji i vitit 1998 e deri në gusht 2012, qasjet anti-UÇK të njerëzve nga Kosova kanë fituar jehonë edhe brenda domenit akademik.

Së paku, tri figura të rëndësishme politike në Kosovë janë shndërruar në referenca të gatshme për cilindo akademik a shkollar të huaj që ia mësyn ta trajtojë UÇK-në dhe organizimet çlirimtare shqiptare në dritë negative.

Këto kontribute përfshijnë intervista dhënë për studiues të huaj (rasti i ish-kryeministrit Albin Kurti), artikuj personalë (rasti i ish-ministres së Punëve të Jashtme Donika Gërvalla-Schwarz), si dhe kontribute shkencore (rasti i kryetarit të sapozgjedhur të Kuvendit Dimal Basha).

Si referenca akademike ato zënë vend brenda librash që gëzojnë reputacion midis kritikësh, revistash e zhurnalesh të shkencave sociale.

Publiku i tyre është në pjesën më të madhe anglishtfolës, e në disa raste edhe frëngjishtfolës e gjermanishtfolës.

NACIONALE sjell të përmbledhur tre shembuj tronditës ku figura me staturë publike nga Kosova kanë shprehur mosbesim ndaj rrugës së UÇK-së, ose në raste më të skajme akuza ndaj saj si e dhunshme, provokatore dhe e mbështetur nga bota e pistë e krimit.

Kurti në librin e Howard Clarkut

Në maj të vitit 1998, një i ri prishtinas, 23 vjeç, po linte përshtypje jo vetëm për anglishten që e fliste diç më mirë se studentët e tjerë.

Asokohe në Kosovë kishte mbërritur aktivisti pacifist nga Britania e Madhe, Howard Clark.

Ai nuk mund ta shmangte dot studentin prishtinas i cili “fliste për jodhunën me entuziazëm e idealizëm rrallë të dëgjuar në Kosovë”.

Në dhjetor të 1997-s, kur disa nga përfaqësuesit e studentëve nga Kosova u ftuan në Washington, Kurti kishte kërkuar që t’u rezervohej një takim me profesorin e studiuesin e jodhunës, Gene Sharp.

Këto ngjarje fare të pavëmendësuara gjenden në librin e Howard Clark “Civil Resistance in Kosovo”, të botuar në vitin 2000 nga shtëpia botuese londineze ‘Pluto Press’

Vetë autori, Howard Clark, ishte asokohe pjesë e organizatës anti-luftë “War Resisters’ International”.

Në fillimvitet ’90, ai kreu udhëtime gjithandej Ballkanit në rrethanat kur qiellin kudo po e errësonin rétë e luftës.

Si mbështetës i çdo grupimi që shprehej kundër luftës së armatosur, Clark u mbresua prej rezistencës civile në Kosovë, e cila u përcoll me një sërë studimesh e librash nga ana e tij.

Midis lufte Kurti përpiqej të organizonte tryeza në Tetovë


Në librin e sipërpërmendur, ai ndërmend një rast në fund të qershorit të vitit 1998 kur Albin Kurti po përpiqej të organizonte njëfarë punëtorie të quajtur ‘Joviolenca aktive si alternativë ndaj përpjekjes së armatosur’.

Megjithatë, gjeratorja e ngjarjeve të stuhishme po e bënte të pamundur ëndrrën e studentit prishtinas për jodhunë.

Shi për këtë Clark shkruante: “Problemi ishte që dinamika përfuqizuese që doli nga protestat studentore në vjeshtë të 1997-s u tejkalua nga ngazëllimi e më pas paniku i ‘ardhjes’ publike të UÇK-së dhe masakrave në Drenicë” (fq.157).

Po ç’punëtori mund të organizohej në verën e 1998-s kur forcat ushtarake e policore jugosllave e kishin kreshpëruar në kulm dhunën?

Sipas bashkëbisedimit që Kurti kishte pasur me aktivistin britanik, konferenca ishte menduar nga ai dhe David Hartsough të mbahej në muajin gusht në Tetovë.

Megjithatë, ajo u anulua në korrik, kurse Kurti krejt papritmas e gjeti veten si sekretar i përfaqësuesit politik të UÇK-së, Adem Demaçi.

“Kurti më tha në nëntor: ‘Ti e di se unë kurrë nuk do të kap armët, ndaj po përpiqem të bëj atë çfarë mundem politikisht’” (fq. 248).

Kurti: “Kurrë nuk do t'i rrok armët”

Përtej intervistës së cituar disi shkurtimisht në libër, Clark e kishte bërë edhe një incizim ku Kurti flet me ândje për përcaktimin e tij kundër luftës së armatosur.

Me flokët kaçurrelë sipas modës ‘Marley twists’, Kurti 23-vjeçar ishte i prerë kundër çfarëdo përfshirje të tij në radhët e UÇK-së.

“Në kapërcyell të shekullit të njëzetë dhe fillimit të shekullit njëzet e një, nuk mund të ketë luftë klasike me një linjë frontale midis dy forcash ushtarake. Nuk ka luftë të tillë. E patë Bosnien dhe luftën e lemerishme me plot njerëz të pafajshëm që u vranë”, thoshte ‘përfaqësuesi’ i Unionit Studentor.

Dhe vijonte më tej: “Unë kurrë nuk do t'i rrok armët. Mendoj se më e mira zgjidhje, siç e kam thënë më parë, mes dorëzimit dhe luftës është lëvizja e padhunshme. Unë besoj në jodhunë sepse dua ta shmang dhunën. Gjëja tjetër është se unë besoj në filozofinë e jodhunës, besoj në përkushtimin për jodhunë, dhe disiplinën e jodhunës. E di që ka plot lëvizje të jodhunës gjithandej botës që ia kanë dalë mbanë me qasjen e jodhunës. Mund t’ia dalim edhe ne”.

Ideja gjeniale e Bob Marley-t prishtinas: “Me jodhunë fitojmë miq serbë, me luftë i humbasim ata”


Më tej, Kurti po i thoshte bashkëfolësit se shqiptarët kanë mundësi për një rrugë të tillë meqë “janë komb paqësor” e me traditë organizimesh të tilla.

Kjo rrugë, sipas tij, do të sillte përfitime. Një prej tyre ishte se shqiptarët mund të gjenin ‘miq’ në radhët e kundërshtarëve, kurse lufta e armatosur do t’i humbiste ata.

“Një gjë që është mjaft e mirë në lëvizjen e jodhunës është se krijon miq nga ana e kundërshtarit. Por me luftë, me dhunë, kurrë nuk mund t’i krijosh ata. Me dhunë të gjithë shqiptarët do të bëhen unikë, dhe të gjithë serbët do të bëhen unikë. Këto janë parakushte për luftë e cila, përfundimisht, nuk do të ngjajë vetëm në Kosovë. Kurse me rrugën e jodhunës plot serbë po na mbështesin”.

Gërvalla: “UÇK po përhap frikë e panik”

Më 2001, aktivistja e LDK-së në Gjermani, Donika Gërvalla në çdo paraqitje të saj po ia zezonte faqen UÇK-së dhe kryengritjeve të mëpastajme shqiptare në Luginë të Preshevës e Maqedoni.

Asokohe, Gërvalla botoi artikullin namkeq “Wohin gehört Kosova?” (Kujt i përket Kosova) në revistën gjermane “OST-WEST. Europäische Perspektive”.

Revista e njohur me akronimin “OWEP”, e cila del katër herë në vit, është një revistë që iu jep hapësirë autorëve me anëpamje të ndryshme në Evropën Qendrore e Lindore.

I gjithë artikulli i Gërvallës merrej me periudhën e pasluftës ku, sipas saj, hakmarrja ndaj pakicës serbe ishte kapitulli më i errët (schlimmen Kapiteln).

Në sytë e aktivistes së LDK-së, bashkësia ndërkombëtare kishte instaluar “ekstremistë” të cilët ia kalonin edhe Beogradit për nga shkalla e dhunës.

“Një prej kapitujve më të rëndë është hakmarrja e ekstremistëve me përvojë e të dhunshëm mes kosovarëve kundër qytetarëve serbë dikur të privilegjuar të Kosovës. Edhe dallimi mes dorasve dhe jodorasve mes pakicës serbe nuk e lejon as përligjjen më të vogël për sjelljen që e kontradikton vullnetin e qartë të shumicës dërmuese të kosovarëve. Dhe ekstremistët e instaluar nga bashkësia ndërkombëtare sollën me vete një element dhune që nuk ka qenë e pranishme në këso shkalle, madje as gjatë periudhës së dhunës masive nga Beogradi”, shkruante Gërvalla.

Tabloja që dilte para lexuesit gjermanë ishte vetëm zi e terr për UÇK-në. Shkrimi njashtu krijonte përshtypjen se Kosovën e kishte kapëluar frika e paniku (frischer Angst und frischer Panik).

Sidoqoftë, Gërvalla rezervonte fshikullimet më të ashpra kundër kryengrijeve shqiptare në Luginën e Preshevës dhe në Maqedoni.

Nga pena e saj krijohej imazhi për shqiptarët si njerëz të dhunshëm e ekstremistë që provokonin.

“Ajo çfarë po bëjnë tani ekstremistët në kufijtë e Kosovës, në Serbinë jugore, dhe në Maqedoni, është rikthim te strategjia e moçme: provokim me dhunë për të fituar vëmendje e njohje. Shpresshmërisht, Evropa nuk do të lajthihet me këtë taktikë. Shpresshmërisht, Evropa e njeh potencialin e kosovarëve për ta kundërpeshuar këtë strategji”, shkruante Gërvalla.

Basha: UÇK-ja mes terrorit e parave të drogës

Më 2012, Dimal Basha rrinte në kontakt të ngushtë me studiuesen me prejardhje nga Maqedonia, Jana Arsovska, e cila është profesoreshë e asociuar e Socilogjsë në John Jay College of Criminal Justice në New York.

Në bashkëautorësi, ata i dhanë jetë artikullit “Globalizing the Western Balkans: Transnational Crime, Fundamental Islam and Unholy Alliances”.

Ai u botua në formatin online të revistës akademike ‘Études caribéennes’ si botim i Universitaires des Antilles.

Në numrat e saj botohen zakonisht kontribute e prurje që mbulojnë lëmenj si gjeografia, ekonomia, historia, antropologjia e sociologjia.

Në zemër të artikullit në fjalë, Basha dhe kolegia e tij maqedone i mëshonin pohimeve se “UÇK u financua nga para të drogës dhe trafikantëve të drogës”, se “trafikantë të drogës dërguan njerëz të armatosur të luftojnë përkrah tyre”, dhe se “konflikti etnik legjitimoi dhe mbështeti lidhjen ndërkombëtare kriminalo-politike të Kosovës në emër të ndërtimit të shtetit”.

“UÇK-ja nuk mbështetej zyrtarisht nga asnjë shtet, kështu që duhej të mbështetej në burime të tjera alternative financimi. Sipas rasteve të hetuara, fondet për UÇK-në vinin nga shqiptarë të rëndomtë në diasporë, si dhe nga trafikantë droge që vepronin në të gjithë Evropën Perëndimore dhe ShBA. Kjo mbështetje nuk kufizohej vetëm në para, por trafikantët e drogës dërgonin gjithashtu njerëz të armatosur për të luftuar përkrah UÇK-së dhe blinin armë në emër të saj. Ndërsa lidhja midis UÇK-së dhe krimit të organizuar është e vështirë për t’u përcaktuar, ka raste gjyqësore të njohura nga Gjermania, Italia, Belgjika dhe Republika Çeke, të cilat sugjerojnë fuqimisht për një lidhje midis trafikantëve të drogës dhe UÇK-së”, shkruanin në bashkëautorësi Basha dhe Arsovska.

Arsovska, ‘sociologia’ që shqiptarët i bënë kriminelë

Në të vërtetë, lidhja e Dimal Bashës, tani kryetar i Kuvendit të Kosovës, me profesoreshën maqedone ka edhe një bisht tjetër prapa.

Ajo në bibliografinë e saj akademike si sociologe ka bërë emër me hulumtime që merren me ‘kriminalitetin’ e shqiptarëve, sikundër shihet edhe nga CV-ja e saj.

NACIONALE dje ka shkëputur ekstrakte në këtë frymë nga libri i Arsovskës që mban titullin “Dekodim i krimit të organizuar shqiptar”.

Sipas saj, shqiptarët duke mbështetur UÇK-në i kontribuan “zhvillimit të një lidhje kriminale politike”. Në këtë hulli, ajo shkruante se UÇK-ja u financua “nga operacione të drogës në Kosovë dhe shqiptarëve në Perëndim”.

Arsovska po ashtu shkruante edhe për Hashim Thaçin dhe Xhavit Halitin, si drejtues të UÇK-së dhe për politikanë të pasluftës që, sipas saj, ishin “thellësisht të përfshirë në tregtimin e drogës”. /NACIONALE/

Lajme të ngjashme