Bota nga e cila erdhi albinkurtizmi - NACIONALE

Bota nga e cila erdhi albinkurtizmi

2 muaj më parë

nga Col Mehmeti

Ka raste kur fitoj përshtypjen se skëterra albinkurtiste nuk është bash një aksident.

Nuk është rënie nga parajsa në honet e ferrit për shkak të humbjes së virtyteve.

Nuk është, madje, as ndëshkim për braktisjen prej bukëshkalësh të qytetërimit të dikurshëm.

Ferri është tjetri, thotë Sartri, por duhet të shtohet gjithashtu se ferri jemi të gjithë ne.

Në periudhën parasokratike, Herakliti ia la njerëzimit një mësim: “ethos anthropos daimon”.

Në një përtejfjalësim nga greqishtja në shqip i bie “karakteri i njeriut është fati i tij”.

Pra, është një arsye diku, sipër nesh, pse edhe fati ynë ndonjëherë është i merituar.

Shoqëritë e humbura në provincializmin e tyre prore e hapin gojën veç për moral.

Dhe aty ku bëhet zhumhur e poterë për moral e vertikalitet morali, mu aty ka kohë që morali ka ikur me teshë e koteshë.

Shumë kohë para se Qoftëlargu të merrte skeptrin dhe fronin me 51%, njerëzia e kishte kthyer denoncimin e hajdutllëkut si kryefjalë të mantrës morale.

Iluzionohej sikur ishim një shoqëri e virtyteve të larta njerëzore, por ja si për dreq një shemë politikanësh u dhanë harbutçe pas babëzisë e kleptomanisë.

Ai që në dukje shtihohej si pozicionim moral ishte veçse një përpjekje që veset korruptive që e përshkojnë një shoqëri të tërë të jashtësoheshin e të strukeshin në një qosh ode.

Sipas këtij mendimi dëshiror, nuk ishin njerëzit të korruptuar e korruptues, por vetëm disa bij të padenjë të fisit.

Po të bëhej një anketë e fshehtë, ose po të ishte një Pallat kadarean i Ëndrrave ku qëmtohen rropullitë oneirike të hallkut, do të zbulohej se burimi i korrupsionit është gjetkë.

Korrupsioni nuk ka përfunduar kur ne bëmë me gishtin e demaskimit drejt filanit e fistekut për këtë e atë aferë.

Njerëz të korruptuar nuk ka nëse nuk ka njerëz që korruptojnë.

Sipas një ligji të pashkruar, korruptuesit pjellin të korruptuarit.

Kur ndonjë bejtexhi në kohën e pushtimit osman, si puna e kolonjarit Hasan Zyko Kamberi, habitej nga fuqia e parasë, ai me padashje po e skiconte letërnjoftimin e një shoqërie të tërë.

Bektashiani ynë në fundvitet 1700 vajtoi atë kulturë korruptuesish e të korruptuarish që përshkonte si fill fatal foshnjën në djep, bejlerë, pashallarë, myftinj, myderizë, shejh ul-islamin vetë, vezirin e, mbi të gjitha, sulltanin.

Dhe, po, edhe atëherë korruptuesit ishin poshtë e të korruptuarit sipër.

Shqiptarëve të këtij shekulli u mungoi një komentar i tillë, si ai i bejtexhiut të mirë nga Kolonja, që do ta vinte një pasqyrë para nesh për t’u turpëruar nga vetja jonë.

Habitërisht, dolën demagogë e mistigogë që na thanë se ne jemi evlija, por ata janë problemi sa kohë e kanë pushtetin.

Demagogë e mistigogë na u bënë flamurtarë moralë të antikorrupsionit, dhe hallku vrap pas tyre.

Në fakt, kjo bandë moralistësh bëri një korrigjim të vogël, por domethënës.

Shoqëria korruptuese e kleptomane e polli bindjen e gabuar se korrupsion nënkuptuaka një transaksion mes atij që jep para dhe atij që merr.

Dhe kështu morali korruptiv e shpëtoi ndërgjegjjen e fajshme kolektive; korrupsioni shihej e shihet gjithmonë rreth parasë.

Por, korrupsioni në historinë e vet, që nga agimi i kohërave e gjer sot, ka frymëtuar e vegjetuar si bakteri pranë papastërtisë.

Ai ishte dhe është forma societale ku njerëzit duan të kryejnë edhe gjërat më të vogla pa përfillur as edhe një prag ligjor, pa pasur as edhe konsideratën më të vogël ndaj të tjerëve.

Zor që gjendet një njeri që të mos ketë qenë korruptues dhe i korruptuar.

Nëse lëshohemi me litar te memoriet e hedhura qëllimisht midis rraqeve të nënvetëdijes, atje do të gjejmë turlifarë elementi inkriminues.

Thuajse secili nga ne çau ravat e jetës mes ligjshkeljes e ligjshmangies, edhe atëherë kur i çonim djemtë në të zezën drejt kurbetit, edhe kur paguanim filanin si taksist deri te kufiri, edhe kur paguanim atë azganin tjetër që na priste për të vazhduar tutje rrugën e klandestinitetit.

Udhëtimi në subkonshiencë është gjithmonë udhëtimi pas të cilit bota nuk është më e njejtë pasi ia kemi parë shëmtinë e përbindshme.

Korruptues e të korruptuar deshën vetëm të krijonin një Kod Hamurabi, me të cilin do të rregullohej etika e korrupsionit.

U vendos, si të kishim pleq mentarë mbi krye, që hajdutë të shpalleshin vetëm ata që kapeshin me presh në dorë ose cilido target i lehtë.

Këtë e kishte çikur dikur Hunter S. Thompson sipas të cilit: “Në një shoqëri të ngushtë ku sikushi është fajtor, i vetmi krim është të kapesh”.

Albinkurtizmi nuk erdhi në fuqi pse ishte sipëran mbi të tjerët apo se oferta e tij ishte plot me vizione e ide.

Jo, albinkurtizmi vetëm sa e mori në menaxhim këtë kod korruptiv në të cilin njerëzia ka nevojë jo aq për spastrim e dëlirje nga veset sa për alibi që veset i mpak te një grusht njerëzish.

Albinkurtizmi iu tha njerëzve korruptues e të korruptuar “Ju jeni të mirët e të mbarët, ata janë të ligjtë”.

Albinkurtizmi sundon absolutçe jo dhe aq pse përballë ka një opozitë të pazë, inferiore e me komplekse.

Ai jeton i fortë sepse shoqëria poshtë tij është një frigorifer i madh njerëzish korruptues e të korruptuar.

Sepse atje poshtë nuk ka një vijë ndarëse mes partish: atje një turi kanë edhe albinkurtistët fanatikë, edhe albinkurtistët më pak fanatikë, edhe ata që s’janë albinkurtistë, edhe ata që janë rreptazi kundër tij.

Ka një shpjegim, mbase parasociologjik, pse secili sektor shoqëror sot është në një nivel të frikshëm çmendurie.

Fanatizmi gjithmonë ka nevojë për një boshllëk të madh dhe lëndën ndezëse e gjen pikërisht te ajo gjë që premton pak transedencë nga realiteti.

I këtillë është edhe fanatizmi fetar, mbase i vetmi që po arrin t’i shtojë radhët e veta në kohën kur demografia ka marrë theqafjen.

Nuk janë në kërkim as të Zotit, as të paqes shpirtërore e as të edifikimit të vetvetes.

Janë dëshpërimisht në kërkim të gjetjes së një kurbani që do të bëhet therror për të shfryer inatin, urrejtjen e egërsinë.

Lajme të ngjashme