Bomba atomike në veri? Çka dinte më shumë ambasadori amerikan se Albin Kurti që ia ndërroi mendjen për targat - NACIONALE

Bomba atomike në veri? Çka dinte më shumë ambasadori amerikan se Albin Kurti që ia ndërroi mendjen për targat

1 vit më parë

nga Jetlir Buja

Është e padurueshme lehtësia me të cilën kaloi marrëveshja për targat që u arrit në mbrëmjen e 23 nëntorit. Ose, ajo me Elektroseverin pasi ky operator përdhosi dinjitetin e shtetit të Kosovës duke shkelur afat pas afati. Ose, ajo me Serbinë për zbatimin e marrëveshjeve të Energjisë. Ose, ajo gojorja për letërnjoftimet. Por, edhe më të padurueshme janë arsyetimet për këto marrëveshje dhe rrenat blatante të pushtetit e përcjellur me kokëtrashësinë e opozitës.

“Nëse çoni jetë patologjike atëherë do ta patologjizoni krejt shoqërinë tuaj,” – thoshte Aleksandër Solzhenitsini, një shkrimtar i madh rus. Tashmë kam jetuar mjaftueshëm në këtë shoqëri, e kam njohur mjaftueshëm njerëz të saj, për të thënë që ky patologjizim është problem serioz. Veset s’janë përjashtim por rregull, e virtytet s’janë rregull por përjashtim. Prandaj, duket që askujt s’i bëjnë përshtypje rrenat.

Albin Kurti është rrjedhoja e kësaj kulture. Ai i shkeli të gjitha qëndrimet e tij kryesore politike. Dhe natyrisht, kjo pashmangshëm bëri që ai t’i rrekej rrugës së rrenave. E meqë ai është njeriu më i pushtetshëm në Kosovë, atëherë kjo e bën patologjizimin e mëtejmë edhe më shqetësues. E njëkohshëm, edhe prodhimin e një disonance kognitive në masë që na shpërfaqet krejt qartë në debatet politike.

Në fillim, na tha se e kishte pranuar të njëjtën marrëveshje për targat që e kishte refuzuar dy ditë më parë sepse aty do të përfshihej edhe nisja e negociatave për planin franko-gjerman. E tash, del se i paska thënë gazetarit Micheal Martens se e kishte bërë kompromisin pas një paralajmërimi nga ambasadori amerikan se situata në veri mund të përkeqësohej pakthyeshëm.

“Ambasadori amerikan “kishte më shumë informacion se unë” për situatën në veri,”kishte thënë Kurti. Pra, rrenë pas rrene. Fjalët se BE-ja kishte heqë dorë nga propozimi i BE-së (plani franko-gjerman) ishin thjesht budallallëk. E këto për ambasadorin janë thjesht pallavra që shprehin frikën e tij irracionale e cila duket se u bë thelbi i asaj që iu ofrua Kosovës në propozimin e fundit.

Brukseli është epitoma e disonancës tonë kognitive kolektive. S’është veç vendi ku negociojmë me Serbinë. Është para së gjithash, vendi që na bën inkonsistentë e të pafytyrë, vendi që na e mbyll gojën dhe na depolitizon. E megjithatë, s’ishte gjithmonë bash kështu. Albin Kurti na dha shpresë me zhurmën e tij kundër vendimeve që merreshin, e kundër marrëveshjeve që bëheshin. Po negociohej për fatin tonë, dhe duhej të kishim edhe ne mendimet tona. Për të parën herë, kishte një farë potencialiteti për materializimin e demokracisë, për tamam alternativë, për tamam zgjedhje mes palëve të ndryshme e për tamam debat publik.

Por, gati dy vjet pas ardhjes së Kurtit në pushtet sinqerisht besoj se kjo ngjarje ishte më shumë një rezultat shantazhi. Kurti e bënte një zhurmë, që shoqëria s’mund ta duronte. Ky popull s’e vuri në pushtet Kurtin, thjesht e hoqi nga opozita. Pushteti që i dha ishte një efekt i vogël anësor pasi qëllimi kryesor ishte t’i mbyllte gojën. Më e rëndësishmja ishte të mos kishte më protesta, bllokada e mendim për Brukselin. Dhe ja, s’ka më!

Duhet ta themi troç që kjo shoqëri s’mendon absolutisht asgjë për procesin në Bruksel. S’ka menduar asgjë për Zajednicën, asgjë për targat, asgjë për letërnjoftimet, asgjë për idenë e shkëmbimit të territoreve dhe asgjë për cilëndo marrëveshje. Ani pse ka folur shumë. Por, asnjë fjalë e saj s’ishte rezultat i mendimit vetjak. Prandaj, s’ka pasur kurrë asnjë nismë direkte nga populli, asnjë protestë. Populli thjesht s’do që të mendojë për Brukselin, dhe s’do as që kjo të mendohet nga tjetërkush. Një dell i tmerrshëm vetëshkatërrues.

Ajo që ka bërë Albin Kurti përgjatë këtij viti është pezullimi i demokracisë në Kosovë. Ai ishte zgjedhur të vepronte ndryshe prej pushtetarëve të mëparshëm, por u bë thjesht një avokat edhe më fanatik i pozicioneve që ata mbanin. Tepër rigoroz në ruajtjen e konfidencialitetit, tepër rigoroz që të mos rinegocioheshin marrëveshjet që dikur i shihte si të këqija dhe tepër i frikësuar nga prospekti i sulmit nga Serbia.

Ndërkohë, s’dihet absolutisht asgjë se “çka dinte më shumë ambasadori amerikan” se Albin Kurti! Ose, qysh duket – qysh pyeste vetë dikur me kuriozitet – “presioni ndërkombëtar”? A na kërcënojnë me bomba atomike?

Për fat të keq, këtij populli që ikë përditë nga vetja e tij, s’i han palla!

Lajme të ngjashme