Asociacioni i komunave kosovare me shumicë serbe është në të mirën e Kosovës
Në vitet e nëntëdhjeta, ka qenë një rrymë e vogël e politikanëve në Kosovë që kanë menduar se integrimi i shqiptarëve në strukturat shtetërore serbe është rruga që duhet të ndiqet për t’i arritur aspiratat kombëtare. Pra marrja pjesë në zgjedhjet lokale, krahinore, por edhe në ato të ish-Jugosllavisë, marrja pjesë në vetëqeverisje lokale, në struktura krahinore, të cilat ishin zbrazur nga kompetencat vendimarrëse. Marrja pjesë, pra integrimi. Pak kanë qenë ata që kanë menduar kështu. Por populli e pati zgjedhur rrugën e mosintegrimit, rrugë kjo varfëruse, shumë e dhimbshme, por me shpresë që aspiratat e tij të përmbusheshin dhe të fitoheshin liria dhe pavarësia. Duke i dëgjuar sot zërat se integrimi i serbëve në strukturat shtetërore kosovare, qofshin ato komunale, shtetërore, bashkëpunimi ndërkomunal, qenka më i dëmshëm se mosintegrimi i tyre, nuk kam se si të mos mendoj se po të ishte kjo strukturë mendimtarësh dhe prijësish në vitet e nëntëdhjeta, sigurisht se sot do të ishim një asociacion i komunave të ndershme. Por, shyqyr, populli ka ditur se cila rrugë shpie te pavarësia e cila rrugë shpie tek asimilimi.
Shkruan: Gazmend Demolli (https://twitter.com/GazmendDem...)
Asociacioni i komunave kosovare - Është me rëndësi thelbësore që të theksohet se janë komuna kosovare. Do të ishte mirë, besa, që edhe emërtimi të ndryshohej dhe të flitej për komuna kosovare. Megjithatë, nuk ka të bëjë vetëm me emërtimin, por me elementin thelbësor të gjithë kësaj çështjeje – forcimin e institucioneve të Kosovës në çdo aspekt të jetës shoqërore, publike dhe politike. Asocimi i komunave kosovare është një hallkë tjetër e institucioneve të Kosovës. Pra është plotësisht kosovar. Në asnjë version të propozimit nuk është thënë gjëkundi se ky asociacion ka ndonjë lidhje institucionale me Serbinë dhe qeverinë e saj. Përkundrazi, ky asociacion duhet të shërbejë si instrument për zhdukjen e çdo organizmi dhe çdo organizimi paralel të shtetit serb në Kosovë, që me vite ka vazhduar të interferojë në jetën publike të komunitetit serb në Kosovë. Formimi i asociacionit duhet të jetë edhe fundi i letërnjoftimeve dhe targave të lëshuara nga komunat fiktive. Fundi i komunave fiktive, sepse edhe kjo është marrëveshje e arritur. Fundi i komunave fiktive, fundi i targave dhe i dokumenteve identifikuese të lëshuara nga Serbia, kthimi në institucione kosovare është gjithsesi në të mirën e Kosovës. Nuk ka se si të mos jetë.
Kompetencat - Është për t’u habitur se si të gjithë flasin për kompetenca ekzekutive. Nuk ka kompetenca joekzekutive askund, sepse vetë termi “kompetencë” e ngërthen në vete elementin ekzekutiv. Mund të ketë p.sh. përgjegjësi, detyra, obligime. Por që të kesh kompetencë në një fushë, duhet të plotësosh dy kushte: vendimet që merren, obligojnë juridikisht dhe ke mundësi operative dhe financiare për t’i zbatuar ato. Fillimsht, vendimet që mund t’i marrë asociacioni në asnjë rast nuk mund të kenë efekt juridik, nuk mund të obligohet asnjë komunë t’i respektojë ato, asnjë person juridik apo qytetar. Asociacioni mund të sugjerojë, këshillojë, iniciojë, t’i nxisë komunat që të marrin vendim në rrafshin e veprimit që buron nga e drejta dhe kompetencat e komunave të dala nga ligji, por nuk mundet asociacioni të marrë një vendim të obligueshëm juridikisht. Nuk ka kompetencë. Së dyti, nuk ka mundësi operative dhe financiare që t’i zbatojë vendimet që dalin prej tij. Për shembull, mund ta sugjerojë ndërtimin e një spitali rajonal, por nuk e ka tokën, e cila duhet të jepet nga komuna; nuk ka mjetet financiare, të cilat mund të merren nga qendra, nga komuna, nga donacionet, etj. dhe nuk ka as mundësi autorizimi, çertifikimi e çka tjetër. Nuk mundet as të punësojë personel shëndetësor. Asociacioni nuk ka kompetenca. Mund të marrë përgjegjësi, detyra, të japë këshilla, të ndërlidhë, të sugjerojë, por nuk ka kompetencë në asnjë fushë të veprimit.
Bashkëpunimi ndërkomunal - Mitrovica e Veriut sot ka disa kompetenca, të cilat nuk i kanë Zveçani apo Zubin Potoku. Në arsimin e lartë, në shëndetësi, gjyqësi e disa kompetenca të tjera, të cilat janë të njohura dhe të zbatuara dhe që e kanë për objekt organizimin shoqëror të komunitetit serb. Arsyeja kryesore pse asociaciacioni i komunave është i nevojshëm, është se komuna e Mitrovicës së Veriut nuk duhet të jetë e vetmja që mund të marrë vendim dhe të zhvillojë politika zhvillmore në arsim të lartë, shëndetësi etj., por ajo duhet ta ndajë këtë përgjegjësi dhe detyrë me pjestarët e komunitetit serb që jetojnë në komunat e tjera. Përndryshe është diktat i Mitrovicës së Veriut ndaj komunave të tjera dhe nuk është demokratik. Ato kompetenca specifike janë ndarë tanimë, nuk ka asgjë të re. Tash, ajo që diskutohet, është vetëm se si mund të jenë ato kompetenca në mënyrë të barabartë të ndara mes të gjitha komunave të tjera kosovare me shumicë serbe. Nuk është e drejtë që një prind nga Ranillugu të mos ketë të drejtë demokratike që të ndikojë me votë në politika, p.sh, në politika arsimore, të cilat do të kenë ndikim në shkollimin e fëmijëve të tij, sepse ajo e drejtë u takon sot vetëm mitrovicasve të Veriut. Demokratizimi mund të shpie në një pluralizëm më të gjerë. Në këtë rrafsh të bashkpunimit ndërkomunal, nga projektet e dala mund të përfitojnë edhe komunat më të vogla për të ofruar një jetë më të mirë për qytetarët kosovarë që jetojnë atje. Zhvillimi i këtyre fshatrave dhe demokratizimi i komunitetit serb janë në të mirë të Kosovës.
Frika dhe rreziqet - Një vendim nuk duhet të merret, të përkrahet apo të kundërshtohet bazuar në frikë apo në presion. Frika nuk është këshilltare e mirë. E akuzoj frikën që sot e ka kapluar arsyen. Arsyeja e shëndoshë sot po frikësohet nga opinioni publik, po frikësohet nga humbja e përkrahjes së bazës militante, rrjedhimisht nga rezultati i zgjedhjeve të ardhshme. Arsyeja po frikësohet nga eventualiteti i një gabimi që do të mund të ishte historik dhe nga anatemimi si rrjedhojë. Nuk mund të ketë rrezik nga vetëqeverisja më efektive dhe më demokratike lokale. Thuhet që forma më e mirrë e vendimmarrjes, është ajo që buron sa më afër qytetarit dhe fushës ku zbatohet. Kur përmendet bosnjëzimi nga ata që nuk e njohin Dejtonin, është paranojë ose e qëllimshme ose injorante. Marrëveshja e Dejtonit e arriti qëllimin e saj të menjëhershëm për t'i dhënë fund gjakderdhjes, por ajo i ngriu ndarjet e saj etnike në dy entitete të ndara. Marrëveshjet lanë trashëgim edhe një sistem jashtëzakonisht kompleks qeverisjeje, me një presidencë trepalëshe dhe qeveri për secilin entitet. Çka ka të bëjë asociacioni këtu me modelin më kompleks politik në botë? Ku është paralelja? Hajgare a? Bosnja, me gjithë kompleksitetin e saj, është duke shkuar përpara dhe është duke thithur investime nga jashtë. Bosnjëzim! Thua se bar po hamë ne. Dhe aleatët. Ka mijëra forma të bashkëpunimit ndërkomunal, mijëra forma të vetëqeverisjes lokale, dhe kjo e asociacionit kosovar të komunave me shumicë serbe është ndoshta njëra nga më të thjeshtat dhe më të pafuqishmet që mund të kenë ekzistuar ndonjëherë. Një asociacion i disa komunave të varfra, periferike, të pazhvilluara, me një rini në ikje dhe popullatë të moshuar, me një papunësi të madhe, po shkaktoka ku ta di unë se çfarë tërmeti në sistemin politik e kushtetues kosovar. Në një sistem ku as partia shumicë e komunitetit shumicë nuk arrin që të ndryshojë gjë, kryetari i Zubin Potokut po formuaka një grup në “Viber” me kryetarin e Ranillugut edhe prite tani. Sepse pyetini këta të Asociaciont të Komunave të Kosovës se çka është ai – grup në “Facebook”, qe çka është. Frika ilaç nuk ka.
Aftësia për të kryer marrëveshje - Kriteret e shtetësisë sipas Konventës së Montevideos thonë se një shtet duhet të ketë: një popullsi të përhershme, një territor të përcaktuar, një qeveri dhe aftësinë për të kryer marrëdhënie ndërkombëtare. Mosrespektimi i marrëveshjeve të arritura bie ndesh me parimet e të drejtës zakonore ndërkombëtare dhe e zbeh aftësinë e Kosovës për të qenë shtet sovran. Shtet. Por edhe shtetësia pa aleatë nuk mjafton në botën bashkëkohore. Aleatët tanë janë të çmuar dhe garanci e një të ardhmeje më të mirë, më të ndritshme. Janë në anën tonë. Aleatë. E nëse të gjithë aleatët kanë qëndrim se asociacioni është jetik për marrëveshjen, ndërsa marrëveshja për kalimin në një etapë të re historike në Ballkan – atëherë nëse nuk mund të ndalohet, pse të bëhen përpjekje për ta bllokuar e jo të kapitalizohet?