Anatomia e Shkatërrimit: Kur fëmijët bëhen regjisorë dhune
Skenat e paradoditshme të dhunës brutale ku abuzues është një 12-vjeçar dhe i abuzuar një mocanik i tij, janë tejet të gjithështrira e të pranishme në katet përdhes të shoqërisë. Afërmendsh që dymbëdhjetë vjet konflikte brendashoqërore, toksicitet e kauza të hamamta politike nuk sjellin hajr e as breza që rriten me një minimum stabiliteti. Dhuna është e infinitshme në ligësinë e vet, madje edhe kur ekzekutues të saj qëllojnë të jenë kalamaj qyrra. Më 2008, regjisori James Watkins me filmin e tij ‘Eden Lake’ e pati artisticizuar një realitet gati të pabesueshëm ku disa tinejxherë e masakrojnë një çift të rriturish.
Col Mehmeti
Një i lindur më 2013 sot është dymbëdhjetë vjeç dhe një moshë si kjo është gati sa një gjysmë brezi. Në rrethanat e një sistemi të shpërfytyruar arsimor e kulturor, adoleshenca është pasqyra e thyer që e shëmbëllen copa-copa realitetin me kontigjente të tëra të anashnxjerrurish.
Në atë copë toke ku, edhe shtatëmbëdhjetë vjet pas pavarësimit, çdo ditë e lume ngryset me tema budallaqe për kufij, thika mbi harta e urrejtje të secilit kundër secilit, shtetasit me të rinj, fëmijët, saora u rritën nën hijen e pavëmendjes.
Ç’është e vërteta, kjo është receta me një përshkrim të thjeshtë si duhet të prodhohen breza të frakturuar e traumatizuar.
Shkolla, e ajo çadra demek e të socializuarit, është krejt badihava; fëmijët po rriten në kushte natyre me të fortë që çajnë përpara e të dobët e të pambrojtur që zullumin psiqik e kanë përditshmëri.
Kjo përshtypje përftohet edhe nga storia e koleges gazetare, Leonora Kolukaj. Protagonisti i saj, një i mitur, është subjekt i një dhune të pashembullt brutale nga një mocanik i tij. Brutaliteti i dhunës fizike dhe psiqike i bën karshillëk një skene me dhunë grafike e të stilizuar filmi.
Dhunimi aty pushon së qeni një zënkë e rëndomtë fëmijësh që nuk dinë, sepse aty ndërkallet edhe kënaqësia e pashpirt e infliktimit të dhimbjes fizike e emocionale te tjetri, estetizimit të saj me kamerë telefoni dhe afishimit të saj si material për t’u endur nga dora në dorë si senzacion mes të vegjëlish.
Zullum fizik e psiqik
Çështja është se një botë e tërë nga katet përdhes të pjesëve të reja të shoqërisë mbijeton në kushte të tilla zullumi psiqik e fizik. Është asofarë zullumi që nuk kapet bash shpesh nga kamerat e telefonit, që fillon e mbaron pa asnjë konsekuencë, që trivilizohet aty për aty se nuk e kap radari i ligjit, që pedagogë e psikologë shkollash vetëm rrudhin krahët si për asgjë send.
Në një vend të bythëpraptë si ky i yni, ferri i shkollave nuk është vetëm e tashmja. Vetë shkolla ka qenë në liga inferiore prej 1945-s e këndej. Kjo nuk është kuptuar, e as nuk kuptohet sot e gjithë ditën, sepse shkolla gjithnjë afrodiakizohej me mbiemrin ‘shqipe’.
Një shkollë shqipe ishte domosdoshmërisht e mirë dhe fisnike. Edhe kur ajo nuk i ka armiqtë e saj të përhershëm që e ndalojnë me firmane sulltani a dekrete Beogradi, halli i saj kryesor është si t’ia bëjë me rroga mësimdhënësish e pastruesish teknikë. Kaq!
Kjo e bën atë një institucion thelbësisht joedukativ, mangut nga çdo investim në krijimin e mekanizmave plotësues që e ofrojnë një minimum shtrojere edhe për shëndetin psiqik të nxënësve.
Bullizues e të bullizuar
Dhuna mes mocanikëve, ose ajo që në studime të specializuara njihet si ‘peer violence’, është një problem me gjithështrirje më të madhe sesa që mendohet.
Nuk është tekembramja çështje përkufizimi se çfarë përbën dhunë e ku janë kufijtë e saj: a është dhunë vetëm dajaku tradicional, shpulla e goditja, apo edhe shpërdorimi me rrebesh fjalësh fyese e përqeshëse.
Në gjuhërenë sociale kjo quhet tashmë bullizim
tek i cili shquhen këto elemente: fuqi disproporcionale e abuzuesit i cili qëllon të jetë më i fortë, më i vjetër, apo më i pasur e më i njohur sesa viktima; shpesh në abuzim nuk përfshihen vetëm dy fëmijë, por një grup sosh; abuzuesi e ka qëllimin që të shkaktojë dhimbje emocionale e fizike; abuzimi vazhdon duke zgjedhur gjithnjë viktima të reja; si dhe abuzimi përdoret për frikësimin e të tjerëve dhe ruajtje të pozicionit të të fortit.
Kultura që po inxhinieron psikën e re
Te libri i tij Anatomia e Shkatërrimit Njerëzor, filozofi e psikoanalisti Erich Fromm dallonte te njeriu dy lloje të ndryshme agresioni, njëri beninj e tjetri malinj. I pari, i ‘pazararshmi’ domethënë, është përgjigjje ndaj kërcënimit të interesave jetësore, reaktiv dhe mbrojtës. Ai bën vend ndër njerëz e kafshë dhe zgjidh problemin e kërcënimit duke e hequr atë çfarë e shkakton këtë gjendje.
Tjetrazi, agresiviteti malinj, nga thesi i të cilit del abuzimi, brutaliteti e mizoria, është i lidhur vetëm me gjindjen njerëzore dhe manifestohet me gjithfarë formash e intensitetesh të dhunës.
Kur TikToku është më atraktiv se gjithçka tjetër për adoleshentë e të rritur, kur arketipat e tij bëhen formësues sjelljesh, edhe bullizimi në kurriz të të dobtëve bëhet etikisht i pranueshëm dhe pjesë e jetës.
Këtu mbase ka një inxhinierim të rrezikshëm, e kësodore edhe një ndërhyrje skandaloze në një minimum njerzillëku që bashkëshoqëron njerëzit e rinj.
Sepse siç e thonë plot studime, fëmijët që prej një moshe të hershme kanë një sens të mprehtë ndershmërie e drejtësie, gjë që i bën të kenë një mospëlqim ndaj mësuesve apo moshatarëve që ndjesohen si të përfshirë në ‘praktika të pandershme’.
Edhe nga një shfletim i përciptë studimesh relevante në fushën e sjelljeve, del që fëmijët jo vetëm që gjykojnë nëse diç është e drejtë apo e gabuar, por edhe përgjigjen emocionalisht dhe bihejvioralisht.