Vladimir Putin nuk do të marrë pjesë në funeralin e Mbretëreshës Elizabeth
Kremlini ka njoftuar se presidenti rus Vladimir Putin, nuk do të marrë pjesë në funeralin e Mbretëreshës Elizabeth.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov, tha se megjithëse rusët “respektojnë” mbretëreshën “për mençurinë e saj”, pjesëmarrja e Putinit në funeral nuk është një opsion.
Më tej zëdhënësi shtoi se së shpejti do të merret një vendim se kush do të përfaqësojë Rusinë në ceremoni.
Të enjten, Putin ishte një nga liderët botërorë që i shprehu ngushëllimet e tij familjes mbretërore dhe i uroi mbretit Charles III "guxim dhe qëndrueshmëri".
Në deklaratën e tij Putin, lavdëroi Mbretëreshën duke thënë se: "Për shumë dekada Elizabeta II gëzonte me të drejtë dashurinë dhe respektin e nënshtetasve të saj, si dhe autoritetin në skenën botërore".
Kujtojmë se, varrimi shtetëror i Mbretëreshës Elizabeth II, pritet të bëhet më 19 shtator në Westminster Abbey.
