Mbretëresha Elizabetë vendosi që të ishte e mërzitshme – për hir të Britanisë
Për mua, aspekti më tërheqës i mbretërimit 70-vjeçar të mbretëreshës Elizabetë ishte vendosmëria e saj e hekurt për të qenë e mërzitshme. Në ato shtatë dekada, ajo shumë rrallë lejoi që t’i rrëshqisnin qëndrimet për ndonjërën nga ngjarjet e mëdha politike e publike për të cilat kishte autoritet. Ajo madje kurrë as nuk ka dhënë shenjë të qëndrimeve të saj për asnjërën nga figurat vezulluese me të cilat është marrë. Ne nuk dimë se çfarë mendonte ajo për Donald Trump-in, ose Barack Obama-n, ose Margaret Thatcher-in. Dhe kurrë nuk do të dimë. Elizabeta ishte figura më e disiplinuar publike e shekullit të kaluar.
Shkruan: Fareed Zakaria
Në epokën e rrëfimeve, kur ne publikojmë çdo ide, nxitje, impuls dhe pamje që na lind në kokat tona, kjo grua i mbajti mendimet e veta. Siç thekson Tina Brown, autore e librit magjepsës, “Letrat e Pallatit”, Elizabeta ishte e kujdesshme edhe në dasmat e funeralet e familjes së vet, duke qeshur ose lotuar rrallë, gjithmonë duke i ruajtur dinjitetin dhe pamjen e shkëputjes. Ky ishte interpretimi i saj për rolin e vet si monarke kushtetuese, ajo që i udhëheq të gjithë njerëzit dhe kurrë nuk merr anë, dhe e luajti këtë rol më mirë se që e ka luajtur kushdo tjetër. Edhe gjatë debatit të tensionuar për Brexit-in, ajo kurrë nuk lejoi që t’i rrëshqisnin nga goja parapëlqimet e saj. (Kryeministri i atëhershëm, David Cameron, ishte detyruar që të kërkonte falje personalisht që e kishte zbuluar faktin se mbretëresha ishte e kënaqur që Skocia kishte votuar kundër pavarësisë në referendum.)
Është lehtë ta mendosh familjen mbretërore të Britanisë si familje që bën jetë të bukur. Ata jetojnë në pallate të mëdha, e gëzojnë vëmendjen e botës dhe, për pjesën më të madhe, admirimin. E tërë kjo është e vërtetë. Por mbretëresha e shfaqi anën tjetër të medaljes: se zhvillimi i kësaj jete në mënyrën e duhur, duke e përmbushur detyrën, mund të jetë i vështirë dhe i pakursyer në mënyrën e vet. Një rrjedhë e pafund e detyrave publike, të mëdha e të vogla, duhet të përmbushet. Mbi të gjitha, kjo kërkon vetëmohim.
Në një mënyrë, odisea e Harry-t dhe Meghan-it, dukës dhe dukeshës së Sussex-it, e zbulon sfidën e monarkisë moderne. Ndaras dhe larg nga akuzat nxitëse për racizëm, që ata i ngritën kundër anëtarëve të tjerë mbretërorë, duket se ata e godisnin jetën e prerjes së shiritave dhe vizitave provinciale, sidomos duke e marrë parasysh faktin që, si anëtarë të vegjël mbretërorë, ata ishin të destinuar për të jetuar jetë krahasimisht modeste. (Kjo është pse raportohej që princi Andrew gjithmonë rrinte me njerëz të pasur, duke shpresuar për ndonjë dhuratë ose më shumë.) Duke e marrë parasysh famën e tyre, Harry dhe Meghan duket se kanë kuptuar që kanë mundur të ndaheshin, ta shfrytëzonin situatën dhe të gëzonin begati shumë më të madhe me liri personale shumë më të madhe – dhe kështu vepruan. Por ata po vepronin si individualistë, duke e rritur kënaqësinë e tyre. Mbretëresha veproi si institucionaliste, duke e mbrojtur reputacionin e qeverisë britanike.
Shkrimtari i shekullit XIX, Walter Bagehot, kishte shkruar në mënyrë të famshme se secili sistem kushtetues ka nevojë për dy pjesë –një “të denjë”, një tjetër “efikase”. Njëra për ta fituar respektin e publikut dhe tjetra për ta bërë qeverinë funksionale. Elizabeta qe shëmbëlltyrë e përsosur e aspektit të dinjitetit – diçka nga e cila ne në Shtetet e Bashkuara do të mund të shfrytëzonim më shumë në sistemin tonë kushtetues.
Presidenti i ShBA-së është njëkohësisht udhëheqës i qeverisë dhe udhëheqës i shtetit. Ky kombinim i ka përparësitë e veta. I kombinon pushtetin dhe prestigjin dhe e bën shefin ekzekutiv prani komanduese në skenën botërore. Sidoqoftë, kjo mund t’i përulë postin dhe vetë demokracinë amerikane. Kur Trump-i, si president, veproi në mënyra veçanërisht skandaloze ai nuk ishte duke u sjellë keq vetëm si person, por duke i shkatërruar normat e demokracisë amerikane. Britania e ka pasur pjesën e vet të kryeministrave të dobët e jombresëlënës, por sjellja e tyre nuk e ka pasur efektin e njëjtë të gjerë ndaj imazhit të vendit.
Jetojmë në një epokë në të cilën pak njerëz mendojnë për institucionet dhe edhe më pak janë të gatshëm për të bërë sakrifica duke u përfshirë në përkrahjen e tyre. Njëri që e bëri këtë ishte George C. Marshall, i cili u shërbeu Franklin Roosevelt-it dhe Harr Truman-it në disa poste të larta dhe ishte vlerësuar nga shumë njerëz si njeriu që e kishte organizuar fitoren e ShBA-së në Luftën e Dytë Botërore. Marshall-i refuzoi që të shkruante libër për kohën e tij në pushtet, pavarësisht se i ishin ofruar pagesa të mëdha. Ai besonte se ky veprim do të ishte përfitim jo i duhur nga shërbimi qeveritar.
Kryetari i Gjykatës Supreme të ShBA-së, John G. Robert Jr., është njëri nga institucionalistët e fundit të Amerikës. Si jurist konservator, ai ndoshta pajtohet me konsensusin konservator se, si çështje e arsyeshmërisë teknike juridike, vendimi për çështjen “Roe v. Wade” rreth abortit ishte thellësisht i çalë. Por ai gjithashtu dëshiron që ta ruajë legjitimitetin e gjykatës, në një vend ku gati për 50 vjet gratë janë mbështetur te të drejtat dhe mbrojtjet e ndërtuara nga vendimi i Roe-s. Prandaj, raportohet se ai është përpjekur që t’i bindte kolegët e tij konservatorë që t’i afroheshin një kompromisi që do ta mbante në fuqi të drejtën themelore kushtetuese për abortim, por që do t’i pakësonte në masë të konsiderueshme mbrojtjet e gjera të vendimit të Roe-s. Sidoqoftë, asnjëri nga kolegët e tij konservatorë nuk doli në anën e tij. Për të gjithë nga ta, ideologjia e mposhti institucionalizmin.
Ne e jetojmë jetën si individë, por gjithashtu si pjesë e shoqërisë. Kështu, për ta siguruar funksionimin e mirë të shoqërive, gjithmonë kemi pasur nevojë për disa norma që i kërkojnë individit të tërhiqet, të sakrifikojë ca ego dhe të luajë një rol në një projekt më të madh. Askush nuk i ka kryer këto detyra më mirë se mbretëresha Elizabetë II.
Marrë nga: "The Washington Post" / Përktheu: Nasuf Abdyli