Veliu pasi nuk u përfshi në listën e LDK-së: Intrigë nga një grup njerëzish që janë mbyllur në zyrat e LDK-së
Agim Veliu, ish-nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka reaguar pas shpalljes së listës së kandidatëve të LDK-së për zgjedhjet e 28 dhjetorit, duke shprehur habi për përjashtimin e tij nga gara. Në një prononcim në Debat Plus, ai tha se nuk ka marrë asnjë sqarim nga struktura vendimmarrëse e partisë.
Sipas Veliut, procesi i përzgjedhjes së kandidatëve është zhvilluar brenda një rrethi shumë të ngushtë njerëzish, pa transparencë dhe pa përfshirjen e degëve të LDK-së, përfshirë edhe atë të Podujevës, të cilën ai e konsideron të anashkaluar plotësisht.
“Befasuese, nuk e di arsyen pse nuk jam i përfshirë në listë. Nuk kam kontaktuar me askënd nga grupi vendimmarrës i LDK-së, sepse vendimet janë të koncentruara në një grup shumë të vogël njerëzish,” tha Veliu.
Ai theksoi se vendimmarrja është centralizuar te kryetari i partisë dhe te personat e emëruar prej tij, duke akuzuar për një koordinim të qëllimshëm që, sipas tij, ka sjellë drejt dobësimit të strukturave lokale.
“Nuk kam pasur kontakt, mundemi të themi një degë kryesi, por ata janë një grup i njerëzve që marrin vendime të dirigjuara te koordinuara dhe këtu po shihet se është një koordinim shumë i mirë mes kreut të LDK dhe te emëruarit i cili po kryen detyrat e tij me përpikëri me shkatërrimin e degës fatkeqësisht atje”, ka theksuar ai.