Vazhdon përhapja e zjarrit në Kaliforni, raportohet për dy të vdekur
Në mes të një zjarri të madh që ka përfshirë Kaliforninë veriore, raportohet se janë gjetur dy persona të vdekur.
Sipas BBC-së, trupat e pajetë të çiftit, janë gjetur brenda një makine në një rrugë të përfshirë nga flakët ndërsa duket se ishin në përpjekje për t'u larguar nga zona.
Deri më tani, zjarri McKinney ka djegur më shumë se 50,000 hektarë, duke e bërë atë zjarrin më të madh për këtë vit në vend.
E për shkak të zjarrit që ka nisur të premten pas një thatësire, erërave të forta e goditjeve të rrufesë, guvernatori i Kalifornisë Gavin Newsom ka shpallur një gjendje të jashtëzakonshme.
Edhe pse qindra zjarrëfikës janë duke luftuar për ta frenuar zjarrin, deri më tani nuk kanë pasur sukses, ku si rezultat është njoftuar për më shumë se 2,000 banorë të evakuuar nga zona.
Në lidhje me zjarret e shumta që kanë shpërthyer kohët e fundit në mbarë botën, ekspertët fajësojnë ndryshimet klimatike të shkaktuara nga faktori njeri.
