Zjarret në Evropë shkaktojnë ndotje të ajrit në disa shtete
Ajri në Britani, Francë dhe Evropë Jugore po ndotet shumë pas temperaturave rekorde, që kanë shkaktuar zjarre në natyrë.
Skencëtarët në Shërbimin Copernicus për Vëzhgimin e Atmosferës paralajmëruan të martën për nivel të pashëndetshëm të ndotjes së ozonit në pjesët jugore dhe perëndimore të Evropës, që së shpejti mund t’i prekë rajonet veriperëndimore, shkruan agjencia "Reuters".
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka përcaktuar një kufi tetëorësh prej 100 mikrogramësh për metër kub për ekspozimin e ozonit në nivelin e sipërfaqes. Në juglindje të Anglisë, në veri të Francës dhe në rajonin e Beneluksit po shënohen përqendrime më të larta se 120 mikrogramë për metër kub.
“Ndikimi në cilësinë e ajrit nuk është i neglizhueshëm në raport me këtë valë të vapës”, tha Mark Parrington, shkencëtar i Shërbimit Copernicus për Vëzhgimin e Atmosferës.

Ndotja e ozonit ndodh kur nxehtësia dhe rrezet e Diellit ndërveprojnë me gazet serrë, si oksidi i azotit, monoksidi i karbonit dhe përbërësit e brishtë organikë, të cilët lirohen gjatë djegies së lëndëve fosile.
Shkencëtari Parrington tha se prodhimi i ozonit përshpejtohet gjatë valës së vapës, sepse këto reaksione kimike ndodhin më shpejt.
Shkencëtarët thonë se ndotja me ozon do të shtohet gjatë ndryshimeve klimatike. Temperaturat globale tash janë për rreth 1.2 gradë mbi nivelin e periudhës para-industriale dhe valët e vapës janë bërë gjithnjë më të shpeshta e më të ashpra.
Ozoni në nivelin e sipërfaqes njihet për përkeqësimin e sëmundjeve respiratore dhe kardiovaskulare dhe është lidhur edhe me rritjen e shkallës së vdekshmërisë.

Ekspozimi afatgjatë ndaj ndotjes me ozon është përgjegjës për 55.000 vdekje të parakohshme në vit në Evropë, sipas një studimi të vitit 2019.
Rreziku nga zjarret në natyrë
Ndotja me ozon nuk është shqetësimi i vetëm për cilësinë e ajrit. Zjarret në natyrë, të përhapura në Portugali, Spanjë e Francë, ditëve të fundit kanë liruar tym që përmban një materie të njohur si PM 2.5.
“Grimcat e tymit janë njëra ndër format më helmuese të grimcave që mund të prodhojmë”, tha Athanasios Nenes, kimist i atmosferës në Institutin Federal të Teknologjisë në Zvicër. “Kur i thithni, e rrisin gjasën që ju të prekeni nga të gjitha llojet e kancerit”, shtoi ai.
Sipas një studimi të publikuar muajin e kaluar, shkencëtarët e Universitetit të Kalifornisë Jugore zbuluan se në ditët me vapë ekstreme ose ndotje ekstreme të ajrit me grimca është shënuar rritje e rrezikut nga vdekja për 5 deri në 6 për qind./Përktheu: Nacionale