Vazhdojnë sulmet izraelite në Gaza, së paku 26 të vrarë gjatë natës së kaluar
Të paktën 26 palestinezë u vranë nga sulmet ajrore izraelite gjatë natës së kaluar në qytetin Khan Younis në jug të Gazës, ndërsa urdhrat e rinj izraelit për evakuim kanë shkaktuar panik në pjesën perëndimore të Qytetit Gaza.
Një burim shëndetësor në spitalin “Nasser” tha se në mesin e të vrarëve kishte edhe fëmijë, më i riu një foshnjë. Nga sulmet u goditën shtëpi dhe tenda ku po strehoheshin familje të zhvendosura si dhe zona përreth qytetit.
Sulmet ndodhën në kohën kur presidenti amerikan, Donald Trump, po e viziton rajonin dhe kur bisedimet për armëpushim dhe për lirimin e pengjeve po vazhdojnë, raporton televizioni BBC.
Një organizatë humanitare e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara ka thënë se do ta fillojë punën në Gaza brenda dy javëve si pjesë e një plani për shpërndarjen e ndihmave, i cili është kritikuar shumë.
Organizata thotë se ka kërkuar nga Izraeli që t’i lejojë Kombet e Bashkuara dhe të tjerët që ta rifillojnë dërgimin e ndihmave derisa ajo të organizohet.
Asnjë dërgesë nuk është lejuar që të hyjë në Gaza për dhjetë javë dhe ka paralajmërime për vdekje masive nga uria.