Tregti më e lirë me Zvicrën, Norvegjinë, Islandën dhe Lihtenshtajnin nga 1 tetori - NACIONALE

Tregti më e lirë me Zvicrën, Norvegjinë, Islandën dhe Lihtenshtajnin nga 1 tetori

3 orë më parë

nga NACIONALE

Kosova dhe katër shtetet anëtare të Asociacionit Evropian të Tregtisë së Lirë do të nisin zbatimin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë më 1 tetor 2026.

Lajmi është bërë i ditur nga Ambasada e Zvicrës në Kosovë, e cila ka njoftuar se marrëveshja me Zvicrën, Islandën, Lihtenshtajnin dhe Norvegjinë synon të zgjerojë mundësitë për sektorin privat dhe të thellojë bashkëpunimin ekonomik.

“Një kapitull i ri në marrëdhëniet tregtare: Marrëveshja e Tregtisë së Lirë EFTA–Kosovë hyn në fuqi më 1 tetor 2026!”, thuhet në njoftim.

Sipas Ambasadës zvicerane, hyrja në fuqi e marrëveshjes pritet të krijojë kushte më të favorshme për zhvillimin e marrëdhënieve tregtare ndërmjet Kosovës dhe vendeve të EFTA-s.

“Marrëveshja e Tregtisë së Lirë ndërmjet EFTA-s (Zvicrës, Islandës, Lihtenshtajnit dhe Norvegjisë) dhe Kosovës do të hyjë në fuqi më 1 tetor 2026, duke krijuar mundësi të reja për bizneset dhe duke forcuar lidhjet ekonomike”, thuhet më tej në postim.

Një tjetër hap drejt zbatimit të marrëveshjes është ndërmarrë edhe nga autoritetet zvicerane. Ambasada ka bërë të ditur se Këshilli Federal Zviceran ka miratuar ndryshimet e nevojshme për këtë proces.

“Sot, Këshilli Federal Zviceran miratoi ndryshimet e nevojshme për zbatimin e marrëveshjes — një hap i rëndësishëm drejt forcimit të marrëdhënieve tregtare dhe krijimit të mundësive të reja për bizneset”, thuhet në njoftim.

Lajme të ngjashme