Themelorja i cakton një muaj paraburgim të dyshuarit për sulm seksual ndaj vajzës së tij
Gjykata Themelore në Gjakovë ka bërë të ditur se ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit me inicialet M. S., në një rast që lidhet me dyshimet për sulm seksual.
"Gjykata Themelore në Gjakovë, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, duke i caktuar masën e paraburgimit një (1) muaj të pandehurit M. S., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale të sulmit seksual.”
Sipas gjykatës, kërkesa e prokurorisë përshkruan rrethanat e rastit, por për shkak të ndjeshmërisë së çështjes dhe mbrojtjes së privatësisë së të miturës, detajet janë kufizuar.
Në njoftim thuhet: “Sipas kërkesës së Prokurorisë, ndër të tjera ceket se me datën 1 prill 2026, i pandehuri dyshohet se ka vepruar në mënyrë të papërshtatshme dhe pa pëlqimin e të miturës – vajzës së tij, duke përdorur përmbajtje të papërshtatshme dhe duke bërë kërkesa të papranueshme. Pas incidentit, e mitura ka njoftuar prindin tjetër dhe rasti është raportuar në polici.”
Më tej, gjykata bëri të ditur se “për shkak të ndjeshmërisë së rastit dhe për mbrojtjen e privatësisë dhe dinjitetit të personave të përfshirë, veçanërisht të të miturës, detajet janë kufizuar. Rasti është duke u trajtuar nga organet kompetente.”