Sunny Hill Festival – kur muzika bëhet diplomaci kulturore dhe urë mes Kosovës e diasporës
Është vera e katërt që Prishtina shndërrohet në një pikë takimi për mijëra shqiptarë. Festivali "Sunny Hill" nuk është më vetëm një ngjarje muzikore, por një moment rikthimi për diasporën shqiptare që ndërthur nostalgjinë, identitetin dhe kulturën.
Përtej skenës muzikore, "Sunny Hill" po shihet gjithnjë e më shumë si një instrument i promovimit ndërkombëtar të Kosovës.

Për këtë arsye, nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) dhe analistja e politikave kulturore, Besa Luzha folën për Telegrafin mbi ndikimin që festivali ka në diplomacinë kulturore, perceptimin ndërkombëtar të Kosovës dhe lidhjet me diasporën.
Sipas MPJD-së, edhe pse nuk është realizuar një studim empirik i posaçëm për ndikimin e festivalit, vlerësimet institucionale tregojnë se "Sunny Hill" ka luajtur një rol të rëndësishëm në rritjen e dukshmërisë së Kosovës si një vend me energji krijuese, potencial rinor dhe skenë artistike në zhvillim.
Ministria vlerëson se festivali nuk promovon vetëm muzikën, por edhe Kosovën si një shoqëri dinamike, të hapur dhe të lidhur me zhvillimet bashkëkohore kulturore.
"Festivali “Sunny Hill” ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në rritjen e dukshmërisë së Kosovës si vend me energji të re kulturore, kreativitet artistik dhe potencial të madh rinor. Përmes pjesëmarrjes së artistëve vendorë dhe ndërkombëtarë, festivali ka krijuar një hapësirë ku publiku i huaj ka mundësi të njihet më afër me Kosovën, me qytetarët e saj, me skenën kreative dhe me atmosferën mikpritëse të vendit. Në këtë kuptim, festivali nuk promovon vetëm muzikën si ngjarje artistike, por ndihmon edhe në prezantimin e Kosovës si shoqëri dinamike, të hapur dhe të lidhur me trendet kulturore ndërkombëtare.Prania e artistëve vendorë dhe ndërkombëtarë, së bashku me mijëra vizitorë nga vende të ndryshme, krijon një mundësi që publiku i huaj ta njohë Kosovën përmes një përvoje të drejtpërdrejtë", thanë nga MPJD për Telegrafin.
Në këtë kontekst, MPJD e konsideron "Sunny Hill" një formë të diplomacisë së butë.
"Po, festivali mund të shihet si një formë e diplomacisë së butë, në kuptimin që krijon ura komunikimi mes njerëzve, kulturave dhe komuniteteve të ndryshme përmes muzikës, artit dhe shkëmbimit kulturor. Ngjarje të tilla kanë rëndësi sepse ndikojnë në mënyrën se si një vend përjetohet nga publiku ndërkombëtar. Ato krijojnë kontakte njerëzore, përvoja pozitive dhe hapësira ndërveprimi që shpesh kanë efekt më të drejtpërdrejtë sesa format tradicionale të promovimit institucional. Në këtë aspekt, “Sunny Hill” kontribuon në forcimin e imazhit të Kosovës si vend evropian, kreativ dhe mikpritës.Sipas ministrisë, ngjarje të tilla ndërtojnë ura komunikimi mes kulturave dhe ndikojnë në mënyrën se si një shtet perceptohet nga opinioni ndërkombëtar", thuhet në përgjigjen e MPJD-së.

Por, çfarë ndikimi ka pasur festivali në perceptimin ndërkombëtar për Kosovën?
Nga ministria theksojnë gjithashtu se festivali ka ndihmuar në zgjerimin e narrativës ndërkombëtare për Kosovën, duke e larguar fokusin ekskluziv nga historia politike dhe duke e prezantuar vendin si një destinacion me jetë kulturore aktive, rini kreative dhe potencial për turizëm kulturor.
"Përmes pjesëmarrjes së artistëve me njohje ndërkombëtare, pranisë së vizitorëve nga vende të ndryshme dhe shpërndarjes së përmbajtjeve në media dhe rrjete sociale, festivali ka kontribuar në paraqitjen e Kosovës si një vend me jetë kulturore aktive, me rini të angazhuar dhe me potencial për turizëm kulturor. Ky është një kontribut i rëndësishëm, sepse perceptimi ndërkombëtar i një vendi ndërtohet jo vetëm përmes politikës së jashtme formale, por edhe përmes kulturës, artit, sportit, diasporës dhe përvojave të drejtpërdrejta që qytetarët e huaj krijojnë me vendin", vlerësojnë nga ministria.
Sipas MPJD-së, festivali ka ndikuar edhe në forcimin e lidhjeve kulturore ndërkombëtare përmes pjesëmarrjes së artistëve, profesionistëve të industrisë kreative, mediave dhe vizitorëve nga vende të ndryshme, duke krijuar mundësi për bashkëpunime të reja në sektorin kulturor.
"Festivali ka krijuar hapësirë për forcimin e lidhjeve kulturore, veçanërisht në nivelin 'people-to-people'. Prania e artistëve, profesionistëve të industrisë kreative, vizitorëve dhe mediave ndërkombëtare ndihmon në krijimin e kontakteve të reja dhe në rritjen e interesimit për Kosovën si pjesë e skenës kulturore evropiane dhe ndërkombëtare. Këto lidhje janë të rëndësishme sepse bashkëpunimi kulturor shpesh ndërtohet gradualisht, përmes kontakteve, pjesëmarrjes, shkëmbimit të përvojave dhe krijimit të besimit mes aktorëve të ndryshëm".

Por, a mund të shfrytëzohet më tej festivali për promovimin e Kosovës jashtë vendit?
Siç thanë nga MPJD potenciali i festivalit për promovimin e Kosovës jashtë vendit mund të zhvillohet edhe më tej, gjithmonë duke respektuar karakterin e tij kulturor, kreativ dhe organizativ.
"Ngjarje të tilla mund të ndërlidhen më mirë me promovimin e turizmit, të industrive kreative, të rinisë, të diasporës dhe të Kosovës si destinacion për ngjarje kulturore ndërkombëtare. Nga perspektiva e diplomacisë publike, festivale si “Sunny Hill” janë mundësi të vlefshme për të prezantuar Kosovën në mënyrë pozitive, përmes përvojës kulturore, mikpritjes dhe energjisë shoqërore që vendi ofron", thanë nga MPJD.
Një vlerësim të ngjashëm jep edhe analistja e politikave kulturore, Besa Luzha në një prononcim për Telegrafin e cila e sheh festivalin si një prej platformave më të rëndësishme të diplomacisë kulturore që ka krijuar Kosova në vitet e fundit.
Sipas saj, pjesëmarrja e artistëve me reputacion botëror dhe interesimi i mediave ndërkombëtare kanë bërë që Prishtina dhe Kosova të pozicionohen në hartën e ngjarjeve të mëdha kulturore evropiane.
Çfarë e bën Sunny Hill Festival një nga festivalet më të veçanta në rajon?
"Sunny Hill Festival ka luajtur një rol të rëndësishëm në rritjen e dukshmërisë ndërkombëtare të Kosovës. Përmes pjesëmarrjes së artistëve me reputacion botëror dhe interesimit të mediave ndërkombëtare, festivali e ka pozicionuar Kosovën si një destinacion të aftë për të organizuar ngjarje kulturore të përmasave të mëdha. Përveç aspektit argëtues, ai promovon imazhin e një shoqërie të re, dinamike dhe të hapur ndaj bashkëpunimit ndërkombëtar. Ardhja e emrave të mëdhenj të muzikës pop, rap, elektronike etj e ka vu Prishtinen dhe Kosoven ne harten e ngjarjeve madhore te Kultures", tha ajo.
Sipas saj, diplomacia e butë bazohet në aftësinë e një vendi për të ndërtuar reputacion, simpati dhe ndikim përmes kulturës, artit dhe vlerave, më shumë sesa përmes instrumenteve politike apo ekonomike.
"Sunny Hill Festival kontribuon në këtë drejtim duke krijuar një imazh pozitiv për Kosovën, duke tërhequr vizitorë ndërkombëtarë, artistë dhe media, si dhe duke ndërtuar ura komunikimi me audienca të ndryshme. Edhe pse festivali nuk është instrument shtetëror, efekti i tij në diplomacinë kulturore është i dukshëm dhe mund të fuqizohet më tej përmes bashkëpunimit strategjik me institucionet kulturore dhe diplomatike".
Ajo vlerëson se festivali ka ndikuar në ndryshimin e perceptimit ndërkombëtar për Kosovën, duke e zhvendosur vëmendjen nga narrativat e konfliktit drejt një vendi që organizon aktivitete bashkëkohore dhe është pjesë aktive e skenës evropiane të festivaleve.
"Festivali ka ndihmuar në ndryshimin e perceptimit të Kosovës nga një vend që shpesh është identifikuar në diskursin ndërkombëtar me historinë e konfliktit, drejt një vendi që organizon aktivitete kulturore bashkëkohore dhe është pjesë aktive e skenës evropiane të festivaleve. Për shumë vizitorë dhe artistë, pjesëmarrja në festival ka krijuar një përvojë të drejtpërdrejtë që shpesh sfidon stereotipet ekzistuese. Megjithatë, ndikimi afatgjatë varet nga vazhdimësia e organizimit, cilësia artistike dhe mënyra se si ky imazh mbështetet edhe nga politika të tjera kulturore dhe turistike", vlerësoi Luzha.
Sunny Hill Festival 2026 zbulon programin e plotë: Prishtina bëhet gati për tri ditë muzikë botërore
Ajo shton se "Sunny Hill Festival" ka krijuar mundësi të reja për bashkëpunim ndërkombëtar përmes pjesëmarrjes së artistëve, producentëve, partnerëve kulturorë dhe sponsorëve nga vende të ndryshme.
"Ai ka kontribuar në zgjerimin e rrjeteve profesionale dhe në rritjen e interesimit për bashkëpunime të ardhshme në sektorin kulturor dhe kreativ. Megjithatë, për të pasur një ndikim më të qëndrueshëm, këto lidhje duhet të shoqërohen edhe me programe të vazhdueshme shkëmbimi artistik, rezidenca, koproduksione dhe projekte kulturore që vazhdojnë edhe përtej ditëve të festivalit.
Duke folur edhe nga përvoja e saj si drejtuese e festivalit ndërkombëtar "Chopin Piano Fest Prishtina", Luzha thekson se festivalet kontribuojnë në diplomacinë kulturore në mënyra të ndryshme.
"Si dikush që drejton një festival ndërkombëtar si ChopinPianoFEST Prishtina do të shtoja se festivale të ndryshme kontribuojnë në diplomacinë kulturore në mënyra të ndryshme. Sunny Hill e bën këtë kryesisht përmes kulturës popullore dhe industrisë globale të muzikës, ndërsa festivalet e muzikës klasike ndërtojnë marrëdhënie më afatgjata me institucione artistike, ambasada dhe rrjete profesionale. Të dyja format janë plotësuese dhe së bashku pasurojnë profilin kulturor ndërkombëtar të Kosovës", tha ndër të tjera Luzha për Telegrafin.