Sulmi në zyret e KKZ-së, Apeli vërteton dënimet për Llunen dhe Vllaiqin, ul në një vit burg dënimin e Dejan Pantiqit - NACIONALE

Sulmi në zyret e KKZ-së, Apeli vërteton dënimet për Llunen dhe Vllaiqin, ul në një vit burg dënimin e Dejan Pantiqit

2 orë më parë

nga NACIONALE

Gjykata e Apelit e Kosovës ka marrë vendim lidhur me rastin që kishte të bënte me akuzat për terrorizëm dhe huliganizëm ndaj Millun Millenkoviqit-Llune, Aleksandar Vllaiqit dhe Dejan Pantiqit, duke lënë në fuqi pjesën më të madhe të aktgjykimit të shkallës së parë dhe duke ndryshuar vetëm vendimin për dënimin e Dejan Pantiqit.

Gjykata e Apelit ka refuzuar si të pabazuara ankesat e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, si dhe ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve Millun Millenkoviq dhe Aleksandar Vllaiq, duke vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, saktësisht Departamenti Special, të datës 28 korrik 2025, në pikat I dhe III të dispozitivit.

Ndërkaq, Apeli ka aprovuar pjesërisht ankesën e mbrojtjes së Dejan Pantiqit, vetëm në pjesën që ka të bëjë me vendimin mbi dënimin. Me vendimin e ri, Pantiqi është dënuar me një vit burgim, ku do t'i llogaritet koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak, ndërsa në pjesën tjetër ankesa e tij është refuzuar si e pabazuar.

Gjykata e shkallës së parë kishte bërë ricilësimin juridik të veprës penale, duke e shpallur fajtor Pantiq për veprën penale "Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm", pasi e kishte liruar nga akuza për terrorizëm. Për këtë vepër ai ishte dënuar me dy vjet burgim, dhe pas shqyrtimit të ankesës së mbrojtjes, Gjykata e Apelit e aprovoi pjesërisht ankesën vetëm sa i përket vendimit mbi dënimin, duke ia ulur dënimin në një vit burgim.

Ndërkohë, Millun Millenkoviq dhe Aleksandar Vllaiq mbeten të dënuar me nga pesë vjet burgim secili për veprën penale të terrorizmit, pasi Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi aktgjykimin e shkallës së parë edhe në këtë pjesë.

Lajme të ngjashme