Së paku 98 palestinezë kanë vdekur në ndalim që nga tetori i vitit 2023, sipas të dhënave izraelite - NACIONALE

Së paku 98 palestinezë kanë vdekur në ndalim që nga tetori i vitit 2023, sipas të dhënave izraelite

9 muaj më parë

nga NACIONALE

Të dhënat izraelite tregojnë se të paktën 98 palestinezë kanë vdekur gjatë mbajtjes në ndalim që nga tetori i vitit 2023 dhe numri i vërtetë ka gjasa që të jetë shumë më i lartë, sepse qindra njerëz të arrestuar në Gaza janë të zhdukur, sipas një grupi për të drejtat e njeriut me bazë në Izrael.

Grupi “Mjekët për të Drejtat e Njeriut – Izrael” (PHRI) i përcolli vdekje nga shkaqe të ndryshme, përfshirë dhunën fizike, neglizhencën mjekësore dhe kequshqyerjen për një raport të ri, duke e përdorur lirinë e kërkesave për informacione, raporte të forenzikës dhe intervista me avokatë, aktivistë, të afërm dhe dëshmitarë, raporton gazeta “The Guardian”.

Autoritetet izraelite ofruan vetëm të dhëna gjithëpërfshirëse për tetë muajt e parë të luftës. Gjatë kësaj periudhe, shifrat zyrtare tregojnë një shkallë të pashembullt të të vdekurve në mesin e të ndaluarve palestinezë, mesatarisht nga një vdekje për çdo katër ditë.

Ushtria për herë të fundit i përditësoi të dhënat për të vdekurit në ndalim për majin e vitit 2024, ndërsa Shërbimi i Burgjeve i Izraelit në shtatorin e po atij viti. Hulumtuesit e PHRI-së identifikoi 35 vdekje të tjera në ndalim pas këtyre datave dhe i konfirmoi ato me autoritetet izraelite.

Edhe pse numri i përgjithshëm i të vdekurve që janë evidentuar është dukshëm më i lartë se në vlerësime të tjera, ai me gjasë nuk e paraqet shkallën e plotë të humbjeve të palestinezëve, tha Naji Abbas, drejtor i departamentit për të burgosurit dhe të ndalurit në grupin PHRI.

Të ndaluar e ish të ndaluar si dhe sinjalizues nga ushtria izraelite kanë hedhur akuza për shkelje të vazhdueshme të së drejtës ndërkombëtare.

Lajme të ngjashme