Së paku 18 të vdekur nga “zjarret më të këqija ndonjëherë” në Korenë e Jugut - NACIONALE

Së paku 18 të vdekur nga “zjarret më të këqija ndonjëherë” në Korenë e Jugut

1 vit më parë

nga NACIONALE

Të paktën 18 njerëz kanë vdekur dhe 19 të tjerë janë lënduar nga zjarret në natyrë në pjesën juglindore të Koresë së Jugut, sipas të dhënave më të reja të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Sigurisë.

Kriza “e pashembullt” mbetet në gjendje kritike, sipas ushtruesit të detyrës së presidentit, Han Duck-soo, i cili tha se këto zjarre “po i rishkruajnë librat e historisë për zjarret më të këqija në natyrë në historinë e kombit tonë”, raporton televizioni BBC.

Më shumë se 23 mijë njerëz janë evakuuar dhe disa objekte të trashëgimisë kulturore janë prekur, përfshirë një tempull budist 1300-vjeçar, i cili është shkatërruar.

Një helikopter i zjarrfikësve u rrëzua në malet e distriktit Uiseong pak pas mesditës të mërkurën, sipas autoriteteve, të cilat po e hetojnë shkaktarin e aksidentit.

Mijëra zjarrfikës dhe rreth 5.000 pjesëtarë të personelit ushtarak janë dislokuar për të luftuar me disa zjarre. Po përdoren edhe helikopterë ushtarakë të ShBA-së që janë të vendosur në Korenë e Jugut.

Të martën, agjencia kombëtare e zjarrfikësve tha se e kishte ngritur në nivelin më të lartë reagimin ndaj krizës. Kjo është hera e parë këtë vit që aktivizohet një alarm i tillë.

Zjarret në natyrë janë relativisht të pazakonshme në Korenë e Jugut dhe viktimat nga to janë të rralla. Zjarret e tanishme tashmë janë bërë më vdekjeprurëset në historinë e vendit.

Rreth 17 mijë hektarë pyje janë shkatërruar, duke i bërë këto zjarre të tretat më të mëdhatë në historinë e vendit në aspektin e sipërfaqes së prekur./Nacionale

Lajme të ngjashme