Rusia thotë se Gjermania po mundohet t’i shkatërrojë lidhjet dypalëshe në energji
Rusia tha të mërkurën se qeveria gjermane është duke bërë gjithçka që po mundet për t’i shkatërruar marrëdhëniet me Moskën në fushën e energjisë.
Kjo deklaratë erdhi disa orë pasi kompania ruse e gazit, “Gazprom”, e ndali furnizimin me gaz për Evropën përmes gazsjellësit jetik, “Rrjedha Veriore 1”.
Në një konferencë për gazetarë në Moskë, zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, tha se është Gjermania, jo Rusia, që po mundohet që t’i këpusë lidhjet e energjisë mes dy vendeve.
Gjiganti rus, “Gazprom”, e ndali furnizimin e Evropës me gaz përmes gazsjellësit “Rrjedha Veriore 1” me arsyetimin për kryerje të mirëmbajtjes. Gazi nuk do të lëshohet deri më 3 shtator.