Rubio: Negociatat "tepër teknike" për programin bërthamor të Iranit mund të zgjasin me muaj
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka deklaruar të martën se negociatat për programin bërthamor të Iranit do të ishin “shumë teknike” dhe mund të zgjasnin me muaj, shkruan CNN.
Duke folur para Komisionit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, Rubio tha se faza e dytë e bisedimeve do të varej fillimisht nga rihapja e Ngushticës së Hormuzit nga Irani.
“Faza 2 është që ata duhet të angazhohen për negociata shumë specifike mbi … fatin e uraniumit shumë të pasuruar që ende është i varrosur thellë në një mal diku,” citohet të jetë shprehur Rubio. “Ata duhet të bien dakord të negociojnë kufizime të rrepta dhe afatgjata, dhe/ose anulimin e aktivitetit të pasurimit në vendin e tyre.”
Ai më tej ka thënë se çështje të tilla nuk mund të zgjidhen brenda pak ditësh.
“Natyrisht, këto janë çështje shumë teknike, ndaj nuk mendoj se mund të zgjidhen brenda pesë ditësh,” tha Rubio, duke shtuar se do të duhej një ekip ekspertësh që të punonte për 30, 60 ose 90 ditë.
Rubio ka shtuar se Irani duhet fillimisht të shpallë se ngushtica është e hapur, pa tarifa kalimi, të heqë minat dhe të mos qëllojë mbi anijet. Ai shtoi se SHBA-ja nuk ka ofruar lehtësim sanksionesh për këtë hap.