Rënia e çatisë së Komunës: S’ka paraburgim, gjykata vendos masë të sigurisë dhe arrest shtëpiak për dy të dyshuarit - NACIONALE

Rënia e çatisë së Komunës: S’ka paraburgim, gjykata vendos masë të sigurisë dhe arrest shtëpiak për dy të dyshuarit

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur që të dyshuarit Y.J t’i shqiptoj masën e sigurisë, për të mos iu afruar zyreve të Komunës së Prishtinës, si dhe kontaktit me kolegët e tij të punës. Kjo pasi ai dyshohet për shkaktim të rrezikut të përgjitshëm, për rënien e çatisë së Komunës.

Në anën tjetër të dyshuarit B.B, që është punonjës i Kompanisë përgjegjëse, gjykata i ka shqiptuar masën e arrestit shtëpiak.

Kujtojmë se nga rënia e çatisë në gjendje të rëndë vazhdon të jetë një qytetare.

E plotë:

Gjykata Themelore Prishtinë ka caktuar masën e sigurisë për të pandehurit Y.J dhe B.B

Prishtinë, 24 Janar 2024

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda ka mbajtur seancën dëgjimore, duke vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës Ndalim për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar, për të pandehurin Y.J, për shkak të veprës penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, ndërsa kërkesë për caktim të paraburgimit për të pandehurin B.B, për veprën penale Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm nga neni 356 paragrafi 4 lidhur me pararafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Gjyqtarja Procedurës Paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës Ndalim për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar dhe të pandehurit Y.J i caktohet masa e Ndalimit për t’iu afruar vendit ose personit të caktuar, ashtu që të pandehurit Y.J i ndalohet qasja në zyret e Komunës së Prishtinës si dhe kontakti me kolegë e tij të punës. Kjo masë, sipas këtij aktvendimi, do të zgjasë nga data 22.01.2024 deri me datë 21.02.2024 dhe në rast të mosrespektimit të kësaj mase nga i pandehuri Y.J, të njëjtit do t’i zëvendësohet kjo masë me masën e paraburgimit.

Gjyqtarja Procedurës Paraprake ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit ashtu që të pandehurit B.B iu është caktuar masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 1(një) muaj, masa e arrestit shtëpiak të pandehurit B.B, i llogaritet duke filluar që nga data e ndalimit 22.01.2024 deri me datë 21.02.2024. Konform nenit 181 pararafi 5 të KPPRK, gjykata mund të caktoj masën më të rëndë – paraburgimin, nëse i pandehuri nuk e respekton masën e shqiptuar.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Lajme të ngjashme