Qindra policë francezë në kërkim të “Mizës” që iku pas sulmit ndaj furgonit zyrtar - NACIONALE

Qindra policë francezë në kërkim të “Mizës” që iku pas sulmit ndaj furgonit zyrtar

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Qindra policë janë angazhuar në Normandi të Francës për ta kërkuar të burgosurin Mohamed Amra, i cili u arratis nga një furgon i policisë me të cilin po dërgohej në burg të martën.

I njohur si “Miza”, Amra po kthej nga një seancë gjykate në Rouen, kur një veturë e goditi furgonin e policisë pranë një kabine pagesash, raporton televizioni BBC.

Burra të armatosur pastaj hapën zjarr në drejtim të automjetit zyrtar, duke vrarë dy oficerë të burgjeve.

“Të gjitha mjetet janë duke u përdorur për t’i gjetur këta kriminelë” – tha ministri i Punëve të Brendshme, Gerald Darmanin.

Rreth 200 xhandarë u mobilizuan të martën dhe po zhvillohen kontrolle të automjeteve në vende kyçe.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se “gjithçka është duke u bërë për t’i gjetur autorët”.

Prokurorja shtetërore, Laure Beccuau, tha se dy automjete që besohet se janë përdorur nga kriminelët u gjetën të djegura në dy vende të ndryshme.

Ministri i Drejtësisë, Eric Dupond-Moretti, u tha gazetarëve se njëri nga oficerët e vrarë “la prapa vetes një grua dhe dy fëmijë që do ta festonin ditëlindjen e tyre të 21-të pas dy ditëve”.

Oficeri tjetër i vrarë, 34 vjeç, la pas vetes gruan që është në muajin e pestë shtatzënë.

Tre oficerë të tjerë pësuan lëndime gjatë sulmit. Prokurorja Beccuau tha se edhe ata janë baballarë të moshave 48, 52 e 55-vjeçare.

Amra ishte dënuar për plaçkitje më 15 maj dhe ndaj tij ishte ngritur aktakuzë nga prokurorët në Marsejë për një rrëmbim që kishte çuar në një vdekje.

Lajme të ngjashme