Putini thotë se Rusia do të vazhdojë tutje në Ukrainë pas rënies “kaotike” të Avdivkës
Presidenti rus, Vladimir Putin, tha të martën se trupat ruse do të vazhdojnë tutje në Ukrainë për ta zgjeruar suksesin e tyre në fushë të betejës pas rënies së qytezës Avdivka, ku ai tha se trupat ukrainase ishin detyruar që të iknin në kaos.
Kjo qytezë, që dikur kishte 32 mijë banorë, ra në duart e Rusisë të shtunën dhe e paraqet fitoren më të madhe të Putinit në fushë të betejës që nga kapja e qytetit Bakhmut nga forcat ruse në maj të vitit 2023, raporton agjencia “Reuters”.
Putini tha të martën se urdhri ukrainas për t’u tërhequr nga qyteza ishte njoftuar, pasi trupat ukrainase kishin nisur që të largoheshin në kaos. Ai tha se të gjithë ushtarëve të kapur ukrainas duhet t’u jepen të drejtat e tyre sipas konventave ndërkombëtare për të burgosurit.
“Sa i përket gjendjes së përgjithshme në Avdivka, ky është një sukses absolut, unë ju përgëzoj. Ai duhet të zgjerohet” – i tha presidenti rus ministrit të Mbrojtjes, Sergei Shoigu, në Kremlin.
“Por ky zhvillim duhet të jetë i përgatitur mirë, të furnizohet me personel, armë, pajisje e municion. Duket e vetëkuptueshme, sidoqoftë po jua tërheq vëmendjen te kjo” – shtoi Putini.
Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, i tha televizionit CNN se Avdivka nuk do të kishte rënë, nëse vendi i tij do t’i kishte marrë armët që po mbahen pezull nga dështimi i Kongresit të ShBA-së për të miratuar një pako të madhe ndihmash.