Putini: Rusia nuk do ta sulmojë NATO-n, por luftarakët F-16 do të rrëzohen në Ukrainë
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë se vendi i tij nuk ka synime ndaj ndonjë shteti të NATO-s dhe se nuk do t’i sulmojë Poloninë, Çekinë ose shtetet e Baltikut, por nëse Perëndimi i jep Ukrainës aeroplanë luftarakë të tipit F-16, ata do të rrëzoheshin nga forcat ruse.
Duke folur para pilotëve të forcave ajrore ruse, Putini tha se aleanca e udhëhequr nga ShBA-ja është zgjeruar në lindje drejt Rusisë nga rënia e Bashkimit Sovjetik më 1991, por se Moska nuk ka plane për të sulmuar ndonjë shtet të NATO-s, raporton agjencia “Reuters”.
“Ne nuk kemi synime agresive ndaj këtyre shteteve. Ideja se ne do të sulmojmë ndonjë vend tjetër – Poloninë, shtetet baltike, edhe çekët gjithashtu po frikësohen – është marrëzi e plotë. Janë thjesht pallavra” – tha kreu i Kremlinit.
Kur u pyet për aeroplanët luftarakë të tipit F-16, për të cilët Perëndimi ka premtuar se do t’i dërgojë në Ukrainë, presidenti rus tha se aeroplanët e tillë nuk do të ndryshonin gjendjen në vendin fqinj.
“Nëse ata ofrojnë F-16-sha, dhe ata po flasin për këtë dhe duket se po trajnojnë pilotë, kjo nuk do ta ndryshojë situatën në fushën e betejës dhe ne do t’i shkatërrojmë aeroplanët, siç shkatërrojmë sot tanke, automjete të blinduara dhe pajisje të tjera, përfshirë raketahedhësit e shumëfishtë” – pretendoi Putini.
Ai shtoi se aeroplanët F-16 mund të bartin edhe armë bërthamore. “Natyrisht, nëse ata do të përdoren nga fusha ajrore në vende të treta, bëhen caqe legjitime për ne, ata mund të lokalizohen” – tha presidenti rus.
Komentet e presidentit rus erdhën pasi kryediplomati ukrainas, Dmytro Kuleba, tha më herët të mërkurën se aeroplanët F-16 pritet të arrijnë në Ukrainë në muajt e ardhshëm.
Ukraina, tashmë në luftë kundër Rusisë për më shumë se dy vjet, ka kërkuar qe disa muaj aeroplanë luftarakë të tipit F-16.
Belgjika, Danimarka, Norvegjia dhe Holanda janë në mesin e shteteve që janë zotuar se do t’i dhurojnë Kievit aeroplanë të tillë, ndërsa një koalicion shtetesh kanë premtuar se do të ndihmojnë me trajnim të pilotëve ukrainas për përdorimin e tyre.