Putini: Perëndimi po mundohet të na shkatërrojë, por ne kemi armë që mund t’i mposhtin në territorin e tyre
Presidenti rus, Vladimir Putin, në fjalimin e tij të enjten porsa pretendoi se Perëndimi po mundohet ta shkatërrojë vendin e tij, por paralajmëroi kundërpërgjigje për këtë.
“Ata po përgatiten që ta sulmojnë territorin tonë dhe t’i përdorin forcat më të mira të mundshme, forcat më efikase, për ta bërë këtë” – deklaroi ai, raporton gazeta “The Guardian”.
“Por ne e kujtojmë fatin e atyre që u munduan ta pushtonin territorin tonë dhe natyrisht, fati i tyre do të jetë shumë më tragjik se gjithçka me të cilën ne do të mund të ballafaqoheshim” – shtoi Putini.
“Ata duhet të kuptojnë se edhe ne kemi armë – armë që mund t’i mposhtin ata në vetë territorin e tyre dhe, natyrisht, tërë kjo është shumë e rrezikshme, sepse në të vërtetë mund ta nxisë përdorimin e armëve bërthamore. A nuk e kuptojnë ata këtë?”- paralajmëroi kreu i Kremlinit.
“I ashtuquajturi Perëndim me prirjet e tij aq kolonialiste po mundohet jo vetëm që ta kufizojë zhvillimin tonë, por ata kanë për qëllim që të na shkatërrojnë ne dhe që ta përdorin hapësirën tonë për çfarëdo që janë qëllimet e tyre, përfshirë Ukrainën” – pretendoi Putini.
“Ata janë absolutisht të vendosur për të futur përçarje mes nesh dhe për të na dobësuar ne... Qytetarët e Rusisë do ta mbrojnë lirinë dhe pavarësinë tonë. Ju përket vetëm juve përcaktimi i rrugës sonë për të ardhmen” – vazhdoi presidenti rus.