Publikohet aktakuza për rastin e Liridona Ademajt: Në vitin 2022 u pagua polica e sigurimit jetësor në emër të saj
“Betimi për Drejtësi” ka publikuar aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, e ngritur sot ndaj Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokallës dhe Tom Dodajt, për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt në nëntor të vitit 2023.
Aty, mes tjerash tregohet se si nisi plani i Naim Murselit për vrasjen e Liridona Ademajt.
Mediumi raporton se sipas aktakuzës, “për shkak të raporteve të çrregulluara familjare dhe martesore, gjatë të cilave kanë lindur mllefi dhe dëshira për hakmarrje tek i pandehuri i parë Naim Murseli, ky i fundit ka bërë planin ta largojë tani të ndjerën Liridona nga jeta e tij”.
Në aktakuzë përmendet edhe një policë sigurimi.
Aty thuhet se “pas datës 25 qershor 2022, kur është paguar polica e sigurimit jetësor në emër të Liridona Murselit me kompaninë Folksam, në shumën prej 3.000.000 kruna suedeze, me qëllim që pas vrasjes të ketë edhe dobi financiare, Naimi të pandehurit të tretë (Kushtrim Kokalla), ia ka shpalosur planin e likuidimit të bashkëshortes së tij dhe nga ai ka kërkuar të gjejë mundësi për vrasjen e saj”.