Protestues pro-palestinezë bllokojnë rrugë drejt aeroporteve në Nju Jork e Los Angeles - NACIONALE

Protestues pro-palestinezë bllokojnë rrugë drejt aeroporteve në Nju Jork e Los Angeles

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Disa protestues pro-palestinezë bllokuan për kohë të shkurtër rrugë hyrëse që çojnë në aeroporte në Nju Jork e Los Angeles të Shteteve të Bashkuara të mërkurën, duke shkaktuar tollovi në trafik në kohën kur kompanitë ajrore amerikane janë të ngarkuara me fluksin e udhëtimeve gjatë festave.

Protestuesit i ndalën veturat në periferi të aeroportit ndërkombëtar “John F. Kennedy” në Nju Jork, ku disa udhëtarë ecën në këmbë për ta tejkaluar tollovinë në trafik, si dhe në aeroportin ndërkombëtar të Los Angelesit. Policia tha se gjithsej 62 persona u arrestuan gjatë dy protestave, raporton agjencia “Associated Press”.

Nju Jork, aktivistët u kapën për dore dhe mbajtën parulla me të cilat kërkuan që t’i jepet fund luftës Izrael – Hamas dhe të drejta të shtuara për palestinezët, duke e shkaktuar ndërprerjen e trafikut për rreth 20 minuta në rrugën “Van Wyck”, e cila çon në aeroport.

Në video të publikuara në rrjete sociale u panë pasagjerë, disa duke bartur valixhe, duke dalë nga automjetet e duke e kaluar pengesën në autostradë.

Përafërsisht në kohën e njëjtë, një rrugë e rëndësishme që çon në aeroportin e Los Angelesit u mbyll nga një grup tjetër i protestuesve pro-palestinezë, të cilët vendosën në rrugë kone trafiku, shporta të mbeturinave, motoçikleta e mbetje, sipas pamjeve të incizuara nga helikopteri.

Lajme të ngjashme