Prokuroria e Prishtinës i reagon Haxhiut: Deklarata të papranueshme, nuk na angazhuat një psikolog që kishim kërkuar
Prokuroria Themelore në Prishtinë, i ka reaguar Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pasi kjo e fundit kërkoi dorëheqjen e kryeprokurorit të Prishtinës e prokurorit të rastit në rastin e 11 vjeçares.
Prokuroria i quajti të papranueshme deklaratat e ministres si dhe theksoi se kanë pasur kërkesë drejtuar organeve ekzekutive për një psikolog, por që s’është plotësuar.
Reagimi i plotë:
Prokuroria Themelore në Prishtinë siguron edhe njëherë opinionin publik se trajtimi i rastit të 11 vjeçares nga ana e Prokurorit të Shtetit është bërë konform të gjitha dispozitave ligjore të cilat janë ndërmarrë në kohë dhe në mënyrë profesionale, në koordinim me institucionet e tjera relevante, andaj, për ne janë të pabaza dhe të papranueshme deklarata të tilla publike”
Në vazhdën e kërkesave të kësaj prokurorie drejtuar organeve ekzekutive ka qenë kërkesë esenciale angazhimi i një psikologu pranë kësaj prokurorie, në trajtimin e çështjeve penale, sidomos atyre për të mitur, e cila kërkesë nuk është aprovuar asnjëherë me arsyetimin se nuk ka mjete buxhetore për ta mbuluar të njëjtën kërkesë, derisa e theksojmë se Prokurori i Shtetit ka vazhduar të trajtojë raste të tilla penale dhe do të mbetet i përkushtuar për përmbushjen e obligimeve kushtetuese dhe ligjore lidhur me këtë rast dhe të gjitha rastet e tjera të cilat i ka në trajtim, gjithmonë duke e ruajtur ndarjen e pushteteve dhe pavarësinë institucionale”