Policia ndali kamerat e sigurisë para bastisjes, NPB u bën thirrje punëtorëve që t'i kontrollojnë gjësendet
Para dy ditësh, Policia e Kosovës ka kryer një bastisje në Ndërmarrjen Publike Banesore.
Kjo u konfirmua nga vetë ndërmarrja, ku përmes një poste elektronike të cilën e ka siguruar edhe Gazeta Nacionale, u bën thirrje punëtorëve që t'i kontrollojnë gjësendet e tyre.
Gjithnjë sipas postës në fjalë, kontrolli është kryer pas orarit të punës.
"Përshëndetje, ashtu siç edhe jeni njoftuar tashmë më datë 19 korrik 2022, në zyret e NPB ka pasur një kontrollë nga Policia e Kosovës, pas orarit të punës, kontrollë e cila ka zgjatur më shumë se tri orë. Në këtë interval kohor, gjatë një kontrolle njëorëshe, ashtu siç e shihni në dokumentin e bashkëlidhur, Policia e Kosovës ka ndërprerë kamerat e sigurisë brenda hapësirave të ndërmarrjes dhe kontrollin e ka realizuar pa praninë e asnjë zyrtari të NPB-së. Andaj, si rrjedhojë e kësaj, ju lus ta lajmëroni stafin nëse ju mungon diçka, në mënyrë që udhëheqësit të informohen menjëherë", thuhet ndër të tjerash në postën gjegjëse.
Policia e Kosovës ndërkaq, në faqen zyrtare të Facebook-ut, aty ku i lajmëron shumicën e rasteve, nuk ka njoftuar asgjë për bastisjen në fjalë.



