Pas aneksimit, Rusia thotë se centrali i Zaporizhzhia-s do të jetë nën mbikëqyrjen e agjencive ruse
Ministria e Jashtme e Rusisë ka thënë se centrali bërthamor i Zaporizhzhia-s do të funksionojë nën mbikëqyrjen e agjencive ruse, pasi Rusia pretendoi se e ka aneksuar zyrtarisht rajonin më të gjerë të Zaporizhzhia-s, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve, RIA.
Ndërkohë agjencia "Reuters" raporton se një agjenci tjetër shtetërore e lajmeve, "Tass", e transmetoi lajmin se Rafael Grossi, kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, do ta vizitojë Moskën në ditët në vijim për ta diskutuar situatën në termocentralin që është pushtuar nga forcat ruse që nga ditët e para të luftës.
"Tass"-i po ashtu ka raportuar se Yevgeny Balitsky, "guvernatori" i ngarkuar nga Rusia i Zaporizhzhia-s, ka thënë dje se në zonën ku ndodhet centrali bërthamor kanë ndodhur rreth 40 sulme.
