Ukraina përgatitet për sulm bërthamor, shpërndan pilula jodi në qendrat e evakuimit
Qyteti i Kievit ka thënë se e ka nisur shpërndarjen e pilulave me jod kaliumi në qendrat e evakuimit, në përgatitje për një sulm të mundshëm bërthamor rus.
Pilulat e jodit të kaliumit mund të ndihmojnë në bllokimin e përthithjes së rrezatimit të dëmshëm nga gjëndra tiroide, nëse merren pak para ose menjëherë pas ekspozimit ndaj rrezatimit bërthamor.
Në një deklaratë të dhënë nga këshilli i qytetit thuhet se në rast të sulmit, pilulat do t'u shpërndahen banorëve në zonat e kontaminuara nga rrezatimi bërthamor.
Kujtojmë se përderisa forcat ruse janë tërhjekur nga disa zona pas një kundërsulmi të ukrainasëve, presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë se do të "përdorë të gjitha mjetet në dispozicion" për ta fituar luftën.
Duke qenë se trupat tokësore ruse vazhdojnë të pësojnë disfata të mëdha, frika se Putini mund të nisë një sulm shkatërrues bërthamor për të mposhtur Ukrainën, sa vjen e rritet.
Lajmet për përgatitjet e Kievit erdhën pasi gazeta "Times" raportoi të hënën se NATO-ja i kishte paralajmëruar anëtarët se Putini do ta demonstronte gatishmërinë e tij për të përdorur armë bërthamore duke kryer një provë në kufirin e Ukrainës.
Paralajmërimi i NATO-s pretendonte se nëndetësja "K-329 Belgorod", e cila hyri në shërbim aktiv në marinën ruse vetëm në korrik të vitit 2022, mund të drejtohet në Detin Kara për ta testuar dronin e frikshëm bërthamor nënujor, "Poseidon".
Thuhet se "Poseidon"-i është i aftë të udhëtojë në largësi të madhe nën ujë para se të shpërthejë me forcë të mjaftueshme për të shkaktuar një cunami bërthamor prej 1.600 metrash, i projektuar për të mbytur dhe rrezatuar qytete bregdetare.
Deti Kara ndodhet në brigjet lindore të Novaya Zemlya - një ishull i madh i kontrolluar nga Rusia në rrethin Arktik, i cili është përdorur prej kohësh si një objekt testimi i armëve bërthamore.
Ky vend ishte edhe vendi i shpërthimit më të madh bërthamor të regjistruar ndonjëherë në vitin 1961, kur BRSS-ja e kishte shpërthyer bombën "Tsar Bomba" - pajisje bërthamore dhjetë herë më e fuqishme se të gjitha municionet e shpërthyera në Luftën e Dytë Botërore, e cila më pas u zvogëlua për shkak se dizajni i saj origjinal mendohej se ishte shumë i rrezikshëm për t’u testuar.
Gazeta me bazë në Londër gjithashtu raportoi se Rusia kishte zhvendosur një tren që mendohej se ishte i lidhur me një njësi të Ministrisë së Mbrojtjes, që është përgjegjëse për municionet bërthamore.
Megjithatë, kur u pyet në lidhje me raportin e " The Times", zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Rusia nuk dëshiron të marrë pjesë në atë që ai e quajti stërvitje perëndimore në "retorikën bërthamore'.
“Mediet perëndimore, politikanët perëndimorë dhe krerët e shteteve janë duke u angazhuar në shumë ushtrime në retorikën bërthamore tani”, u shpreh Peskov-i, duke shtuar: “Ne nuk duam të marrim pjesë në këtë”.


