Koreja e Jugut dhe ShBA-ja i përgjigjen Koresë së Veriut me një breshëri raketash në det - NACIONALE

Koreja e Jugut dhe ShBA-ja i përgjigjen Koresë së Veriut me një breshëri raketash në det

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Pasi Pheniani hodhi një raketë mbi Japoni, në një nga përgjigjet me të mprehta të aleatëve që nga viti 2017, Korea e Jugut dhe ushtria amerikane nisën stërvitje të rralla raketore, duke vendosur edhe një superbartës amerikan në lindje të vendit.

Të martën, Koreja e Veriut testoi një raketë balistike me rreze të mesme veprimi, duke e dërguar më larg se kurrë më parë - mbi Japoni, për herë të parë në pesë vjet dhe duke nxitur një paralajmërim për banorët që të mbroheshin.

Ky veprim i Koresë së Jugut u cilësua nga Shtëpia e Bardhë si "i rrezikshëm dhe i pamatur", duke bërë që ushtria amerikane dhe aleatët e saj ta shtojnë shfaqjen e forcës.

Si përgjigje, trupat e Koresë së Jugut dhe ato amerikane hodhën një breshëri raketash në det.

"USS Ronald Reagan", një aeroplanmbajtëse amerikane që e bëri ndalimin e saj të parë në Korenë e Jugut muajin e kaluar për herë të parë në vite, do të kthehet gjithashtu në detin midis Koresë dhe Japonisë me grupin e saj sulmues të anijeve të tjera luftarake. Ushtria e Koresë së Jugut e quajti atë një lëvizje "shumë të pazakontë", të krijuar për ta treguar vendosmërinë e aleatëve për t'iu përgjigjur çdo kërcënimi nga Koreja e Veriut.

Ushtria e Koresë së Jugut po ashtu konfirmoi veçmas se një nga raketat e saj, "Hyunmoo-2C", dështoi pak pas lëshimit dhe u rrëzua gjatë stërvitjes, por se askush nuk u lëndua.

Pamjet nga dështimi i raketës u shpërndanë në rrjete sociale nga një banor, ndërsa bëhet e ditur se mosfunksionimi ishte shkaktuar nga djegia e karburantit të raketës.

Ky dështim kërcënoi t'i errësojë përpjekjet e Seulit për të demonstruar aftësi ushtarake përballë aftësive në rritje të Koresë së Veriut.

Lajme të ngjashme