Ukraina merr nën kontroll disa fshatra në rajonin jugor, Kherson - NACIONALE

Ukraina merr nën kontroll disa fshatra në rajonin jugor, Kherson

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Forcat ukrainase kanë çliruar një fshat kyç në rajonin jugor, Kherson, duke e përshpejtuar tërheqjen ushtarake ruse.

Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës publikoi një video në të cilën shihet Brigada e 35-të e Forcave Detare duke ngritur një flamur ukrainas në fshatin Davydiv Brid, në kohën e raportimeve për çlirimin e disa fshatrave të tjera në atë zonë.

Forcat ruse tashmë janë detyruar që të tërhiqen në verilindje të Ukrainës. Ato po zmbrapsen edhe në pjesën jugore të vendit, raporton televizioni BBC.

Humbjet e ushtrisë ruse ndodhën kur presidenti Vladimir Putin pritej t’i nënshkruante dekretet për aneksimin e katër rajoneve ukrainase përderisa në të gjitha prej tyre po zhvilloheshin luftime.

Aneksimi nuk ka legjitimitet sipas ligjit ndërkombëtar dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e ka shpallur të pavlefshëm këtë hap të Rusisë.

Presidenti amerikan, Joe Biden, bisedoi të martën me homologun ukrainas dhe e siguroi atë se Shtetet e Bashkuara nuk do ta njohin kurrë aneksimin e rajoneve ukrainase nga Rusia. Ata gjithashtu diskutuan për ndihmën amerikane prej 625 milionë dollarësh, në të cilën përfshihet edhe sistemi raketor HIMARS.

Rusia ende e ka nën kontroll qytetin Kherson, që është kryeqytet rajonal. Sidoqoftë, kontrolli i saj po duket gjithnjë më i lëkundur në tërë zonën në veri të Lumit Dnieper, i njohur si Dnipro në gjuhën ukrainase.

Në 48 orët e kaluara, forcat ukrainase kanë depërtuar në jug përgjatë bregut perëndimor të lumit, ndërsa njësitet ruse janë detyruar që të tërhiqen nga disa vendbanime në pjesën veriore të rajonit Kherson.

Zelensky tha se forcat ukrainase kanë bërë “lëvizje të shpejta e të fuqishme” në jug të Ukrainës dhe kanë çliruar “dhjetëra vendbanime” vetëm gjatë kësaj jave.

“Flamuri ukrainas valon përsëri mbi fshatin Davydiv Brid”, deklaroi Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës në rrjete sociale. Banorët incizuan ushtarë ukrainas duke ecur nëpër fshat.

Lajme të ngjashme