Rusia paralajmëron ShBA-në për rrezik të drejtpërdrejtë të përplasjes ushtarake - NACIONALE

Rusia paralajmëron ShBA-në për rrezik të drejtpërdrejtë të përplasjes ushtarake

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Moska ka paralajmëruar se vendimi i ShBA-së për të dërguar më shumë ndihmë ushtarake në Ukrainë “rrit rrezikun e një përplasjeje të drejtpërdrejtë ushtarake” midis Rusisë dhe Perëndimit.

Sipas BBC-së, ambasadori i Rusisë në ShBA, Anatoly Antonov, tha se “ky ishte një kërcënim i menjëhershëm për Moskën”, duke e përshkruar ShBA-në si "pjesëmarrës në konflikt".

Kujtojmë se një ditë më parë, ShBA njoftoi edhe për një tjetër ndihmë ushtarake prej 625 milionë dollarësh për Ukrainën.

Armatimi i avancuar i ShBA-së është vlerësuar se ka ndihmuar Ukrainën kundër forcave pushtuese ruse, ku gjatë javëve të fundit trupat ukrainase kanë bërë përparime të rëndësishme në veri-lindje dhe jug të vendit.

Në pakon e fundit të ndihmës, është bërë e ditur se ShBA do të nisë edhe katër sisteme të raketave me precizion të lartë.

Deri më tani, Uashingtoni ka dhënë gati 17 miliardë dollarë në mbështetje ushtarake për Kievin që kur presidenti rus Vladimir Putin pushtoi Ukrainën më 24 shkurt.

Por, të enjten në një deklaratë të dhënë, Antonov paralajmëroi se vendimi i ShBA-së "për të vazhduar pompimin e regjimit të Kievit me armë të rënda vetëm siguron statusin e Uashingtonit si një pjesëmarrës në konflikt".

Ai tha se kjo do të rezultonte në "gjakderdhje të zgjatur dhe viktima të reja".

“Ne i bëjmë thirrje Uashingtonit të ndalojë veprimet e tij provokuese që mund të çojnë në pasojat më të rënda”, tha ambasadori rus.

Pasi pësoi një varg humbjesh të mëdha në fushën e betejës në Ukrainë në javët e fundit, Rusia është zotuar të mbrohet me të gjitha mjetet e disponueshme - duke mos përjashtuar përdorimin e armëve të saj bërthamore.

Moska është duke ecur përpara gjithashtu me përpjekjet e saj për aneksimin e katër rajoneve të Ukrainës: Donetsk dhe Luhansk në lindje, dhe Kherson dhe Zaporizhzhia në jug.

Paralajmërimi i Antonov vjen menjëherë pasi presidenti i ShBA-së Joe Biden dhe zëvendëspresidentja Kamala Harris diskutuan bashkëpunimin e mëtejshëm ushtarak me presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky.

Në një deklaratë, Shtëpia e Bardhë theksoi se "Shtetet e Bashkuara nuk do ta njohin kurrë aneksimin e supozuar të Rusisë të territorit ukrainas", ndërsa shtohej se,“presidenti Biden u zotua të vazhdojë të mbështesë Ukrainën pasi ajo mbron veten nga agresioni rus për aq kohë sa duhet”.

Lajme të ngjashme