OBSH: Nga Covid-19 kanë vdekur një milion njerëz në botë që nga janari - NACIONALE

OBSH: Nga Covid-19 kanë vdekur një milion njerëz në botë që nga janari

3 vjet më parë

nga Lirim Krasniqi

Pandemia e Covid-it ka vrarë një milion njerëz në mbarë botën që nga janari, tha sot Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), duke u bërë thirrje qeverive të përshpejtojnë vaksinimet sepse një e treta e popullsisë së botës nuk është vaksinuar.

“Ne kemi tejkaluar numrin tragjik të një milion vdekjeve për shkak të Covid-19 që nga fillimi i vitit”, tha drejtori i përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus në një konferencë për shtyp.

Ai u bëri thirrje qeverive të të gjitha vendeve që të dyfishojnë përpjekjet e tyre për të vaksinuar të gjithë punonjësit e kujdesit shëndetësor, të moshuarit dhe personat në rrezik në mënyrë që shkalla e përgjithshme e vaksinimit të jetë 70 për qind.

Në janar të këtij viti, OBSH, Fondi i OKB-së për Fëmijët (UNICEF) dhe partnerët e tyre krijuan Partneritetin e Furnizimit të Vaksinave Covid-19 (CoVDP) për të përshpejtuar shpërndarjen e dozave në 34 vende me shkallë vaksinimi nën 10 për qind, të cilat janë të gjitha në Afrika, me përjashtim të gjashtë prej tyre.

Në dhjetë vende, shkalla e vaksinimit është nën 10 për qind

Tani, Tedros shprehu kënaqësinë e tij, vetëm në dhjetë vende shkalla e vaksinimit është nën 10 për qind.

“Por ne kemi ende shumë punë për të bërë”, tha ai.

Sipas kreut të OBSH-së, një e treta e popullsisë së botës ende nuk është vaksinuar, duke përfshirë dy të tretat e punonjësve shëndetësorë dhe tre të katërtat e të moshuarve në vendet me të ardhura të ulëta.

Statistikat e fundit të OBSH-së tregojnë se pandemia e Covid-19 është përgjegjëse për 6.45 milionë vdekje në mbarë botën që kur rastet e para u shfaqën në fund të vitit 2019 në provincën Wuhan të Kinës. /Nacionale/

Lajme të ngjashme