“N’zor prej çikave…”: Shumë komentues në Facebook bëhen me mësuesen që skandalizoi me fjalët e saj
Skandaloze ishin komentet e një mësuese në shkollën në Lipjan ku u ngacmua seksualisht një vajzë e mitur. Skandaloze, janë edhe komentet që disa përdorues të Facebook, kanë lënë poshtë videos ku Nacionale raporton për këtë çështje.
Gjatë ditës së sotme, Nacionale qëndroi në fshatin në Lipjan ku një e mitur, dyshohet se u ngacmua seksualisht.
Policia, paraprakisht njoftoi në raportin 24 orësh mbi këtë rast:
“Lipjan 05.03.2024-10:20. Ankuesi mashkull kosovar, ka raportuar se viktima femër kosovare është ngacmuar nga i dyshuari mashkull kosovar. Lidhur me rastin, i dyshuari është intervistuar dhe me vendim të prokurorit rasti procedohet në procedurë të rregullt".
Fjalët skandaloze, në Lipjan na i tha një arsimtare, që ishte përgjegjëse ditën kur ka ndodhur ngacmimi.
Sipas saj, fajtore për këtë janë vet vajzat. E pikërisht këtë deklaratë, e përkrahën edhe disa komentues në Facebook.
Një shumicë e komenteve poshtë videos së Nacionales, lanë fajtore nxënëset e mitura mbi këtë. Një komentues është shprehur si vijon:
“Bravo mesuese e vertet. Asht kjo”.
Pikërisht në këtë koment, ai ka marrë rreth 50 pëlqime, që do të thotë, të paktën 50 persona pajtohen me atë që e thotë komentuesi.
Siç mund të shihni më poshtë, edhe pjesa tjetër e madhe e komenteve, lënë fajtore vajzat për ngacmimet seksuale që po iu bëhen nëpër shkolla.