Netanyahu mbledh sot zyrtarë të lartë para vendimit të GjND-së për fushatën në Gaza - NACIONALE

Netanyahu mbledh sot zyrtarë të lartë para vendimit të GjND-së për fushatën në Gaza

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, do të takohet të enjten në orën 15:00 sipas kohës lokale me zyrtarë të lartë ligjorë dhe me zyrtarë të tjerë për t’u përgatitur për një vendim të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë rreth fushatës ushtarake izraelite në Gaza, raporton Radioja e Ushtrisë.

Takimi, i planifikuar për t’u mbajtur në Ministrinë e Mbrojtjes në Tel Aviv, do të shfrytëzohet për të diskutuar rreth skenarëve të mundshëm me rastin e publikimit të reagimit të GjND-së ndaj kërkesës së Afrikës së Jugut për të lëshuar urdhër urgjent për ndërprerje ose kufizim të luftës.

Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për këtë çështje pritet të publikohet të premten në orën 14:00 sipas zonës kohore të Izraelit (në orë 13:00, sipas zonës kohore të Kosovës), raporton gazeta “The Times of Israel”.

Në takimin e zyrtarëve izraelitë do të marrin pjesë kryeprokurorja e Shtetit, Gali Baharav-Miara, ministri i Punëve Strategjike, Ron Dermer, ministri i Drejtësisë, Yariv Levin, këshilltari për Siguri Kombëtare, Tzachi Hanegbi, dhe zyrtarë të tjerë, sipas Radios së Ushtrisë.

Nuk është e qartë nëse në këtë takim do të marrin pjesë edhe zyrtarë ushtarakë, të cilët mund të urdhërohen nga GjND-ja që t’i kufizojnë operacionet në Rripin e Gazës.

Lajme të ngjashme