Nënkryetari i SBASHK-ut: Gjithçka gati për vitin e ri shkollor, shqetësim mbetet vetëm furnizimi me libra - NACIONALE

Nënkryetari i SBASHK-ut: Gjithçka gati për vitin e ri shkollor, shqetësim mbetet vetëm furnizimi me libra

11 muaj më parë

nga NACIONALE

Nënkryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Ymer Ymeri, ka bërë të ditur se gjithçka është e përgatitur për fillimin e vitit të ri shkollor 2025/2026.

Në një paraqitje në “Info Magazine”, ai u shpreh se kuadri arsimor është mobilizuar dhe ka punuar që nga mesi i gushtit për të siguruar mbarëvajtjen e procesit mësimor. “Mësimdhënësit janë në dispozicion dhe kanë kryer të gjitha përgatitjet e nevojshme,” theksoi Ymeri.

Megjithatë, sipas tij, jo çdo gjë është gati në aspektin infrastrukturor. Disa objekte shkollore në vend janë ende në proces renovimi dhe mund të mos hapin dyert me kohë. Ymeri ka theksuar se këto punime, që janë përgjegjësi e komunave dhe Ministrisë së Arsimit, është dashur të nisin më herët për të evituar vonesa.

“Sa i përket kuadrit arsimor, personeli arsimor është i gatshëm dhe ka filluar punën për përgatitjen e vitit shkollor që nga data 18 gusht. Gjatë këtyre dy javëve, sa kanë qenë nëpër shkolla, kanë bërë të gjitha përgatitjet e duhura për fillimin e vitit të ri shkollor.”

“Ndërsa sa i përket aspekteve të tjera teknike, përgatitjeve të shkollave dhe të tjera, mund të themi se pjesa më e madhe e objekteve të shkollave janë të përfunduara. Disa shkolla janë në procedura renovimi dhe ato, sipas gjitha gjasave, nuk do të mund të fillojnë me kohë. Këto do të duhej të nisin punimet më herët; disa punime fillojnë nga ministria e disa nga komunat,” ka thënë Ymeri.

Nënkryetari i SBASHK-ut, ngriti shqetësime lidhur me furnizimin e nxënësve me libra për vitin e ri shkollor, duke kritikuar qasjen e Ministrisë së Arsimit.

Sipas tij, mënyra e zgjedhur nga MAShTI, ku prindërit detyrohen t’i blejnë vetë librat për t’u rimbursuar më pas, është e gabuar dhe shkakton vonesa.

“Mendojmë se telashe do të ketë për librat shkollorë. Edhe këtë vit ministria ka zgjedhur një formë të gabuar për furnizimin me libra. Mendojmë dhe qëndrojmë se librat do të duhej të bliheshin nga ministria dhe të shpërndaheshin nëpër shkolla, që ditën e hënë të gjithë nxënësit të pajisen me libra. Vitin e kaluar deri në fund të shtatorit ka zgjatur procesi derisa nxënësit u pajisën me libra; presim që edhe këtë vit të jetë i njëjti problem,” tha Ymeri.

Lajme të ngjashme