Mustafa i PDK-së, Muratit: Po mburresh me stagnim, kjo qeveri nuk ka ambicie për zhvillim
Deputeti i zgjedhur, Arben Mustafa, i ka reaguar ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Muratit, i cili ka deklaruar se sipas FMN-së, Kosova do jetë ndër vendet me rritjen më të shpejtë ekonomike gjatë viteve të ardhshme.
Mustafa ka vlerësuar se Muratit po mburret me stagnim ekonomik.
Në profilin e tij në Facebook, ai ka shkruar se pretendimet e ministrit tregojnë se kjo qeveri nuk ka ambicie për zhvillim.
“Hekuran Murati po mburret me stagnimin ekonomik. Sot ai iu referua një raporti që parashikon se rritja ekonomike e Kosovës do të rritet nga 3.5% këtë vit në vetëm 3.95% deri në vitin 2031. Kjo nuk është arsye për t’u mburrur. Kjo tregon se kjo qeveri nuk ka ambicie për zhvillim. Kjo normë është më e ulët se rritja ekonomike që Kosova kishte para ardhjes së Vetëvendosjes në pushtet dhe është larg asaj që i duhet vendit për ta ndryshuar realisht jetën e qytetarëve. Në vend të politikave që tërheqin investime, rrisin prodhimin dhe krijojnë vende pune që paguhen mirë, kjo qeveri është përcaktuar ta administrojë varfërinë përmes ndihmave që jepen kohë pas kohe. Me këtë qeveri, nuk pritet zhvillim”, ka shkruar ai.