“Mos u tutni, o qyqana”, Koci e kritikon opozitën: Mos e pranoni shantazhin e Kurtit me zgjedhje të reja
Avokati Arianit Koci e ka kritikuar opozitën, duke i quajtur qyqana.
Ai ka bërë me dije se subjektet opozitare po frikësohet nga Albin Kurti se mund t`i dërgojë prapë në zgjedhje.
Në profilin e tij në Facebook, ai ka shkruar se opozita nuk duhet të pranoj shantazhin e Kurtit.
“Opozitë o qyqana, mos u tutni. Mos e pranoni shantazhin me zgjedhje të reja, nëse nuk e votoni presidentin që e preferon Kryeministri Kurti. Sa më shumë i bindeni pozitës, aq më shumë e humbni besimin te qytetarët. Ata presin përfaqësim, jo dorëzim. Mbështetjen dhe votat i riktheni me opozitarizëm të mirëfilltë: me përballje të drejtpërdrejtë me pushtetin, me punë, dije dhe sinqeritet. Assesi me kalkulim politik. Ajo logjikë ju ka sjellë në këtë gjendje”, shkruan ai, duke vazhduar kritiken e tij.
“Në anën tjetër, fati individual i ndonjë lideri nuk është mbi interesin e vendit; shoqërisë. Demokracia mbahet me kundërpeshë të fortë. Kur opozita zbehet, balanca prishet. Prandaj, shkoni në zgjedhje, nëse kjo është rruga. Nuk kaloni keq. Mos lejoni që krejt fuqia të përqendrohet te një njeri – Albini”, ka vlerësuar Koci.